Shqiptarët vazhdojnë ta përdorin kartën bankare kryesisht për të tërhequr pagën nga bankomatet. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se tërheqjet e parasë cash dominojnë, me mbi 85% e totalit të veprimeve me kartë.

Pagesat automatike me kartë, megjithëse kanë një tendencë në rritje, ende vijojnë të zënë një peshë relativisht të ulët në përdorimin e kartës nga shqiptarët. Vlera totale e blerjeve me karta bankare vitin e kaluar arriti në 26.2 miliardë lekë (rreth 210 milionë euro), me një rritje vjetore prej 21%. Por, megjithëse pagesat në terminalet elektronike POS kanë arritur vlerat më të larta historike, ende ato përbëjnë vetëm 11.4% të totalit të veprimeve me kartë.

Këto të dhëna dëshmojnë se ekonomia shqiptare dominohet dukshëm nga përdorimi i parasëcash. Një studim i katër viteve më parë, kryer nga Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Bankën Botërore, tregoi se rreth 96% e pagesave nga konsumatorët në ekonominë shqiptare bëhet me para në dorë.

Ky fenomen lidhet me faktorë të shumëfishtë, si varfëria, niveli i lartë i informalitetit dhe i evazionit fiskal, por edhe mungesa e strategjive të rëndësishme për të nxitur kanalet alternative të pagesave.

Sistemi bankar ka bërë investime të rëndësishme për zhvillimin e infrastrukturës së pagesave, por nuk mund të jetë promotori i vetëm i kthesës në kulturën e pagesave. Numri i terminaleve të pagesave POS në mesin e këtij viti arriti në më shumë se 11 500, me një rritje prej pothuajse 24% apo 2200 njësi në harkun e një viti. Shtimi i terminaleve POS është i domosdoshëm për të zgjeruar kulturën e pagesës me kartë në blerjen e mallrave dhe shërbimeve.

Statistikat tregojnë se në mesin e vitit 2020 shqiptarët kishin në duart e dyre rreth 1.26 milionë larta. Që nga fundi i vitit të kaluar, numri total i kartave është rritur me 51 mijë njësi ose rreth 4.2%. Më shumë se 85% e totalit janë karta debiti, të lidhura me llogaritë e pagave dhe që individët i përdorin kryesisht për të tërhequr paratë nga bankomatet.

Kartat e kreditit, që janë një instrument kryesisht në funksion të pagesave direkte, aktualisht përbëjnë rreth 9% të numrit total të kartave. Në mesin e këtij viti, shqiptarët zotëronin rreth 113 mijë karta krediti, me një rënie të lehtë që nga fundi i vitit 2019.

Monitor.al