Nëse do ta shihnit nga jashtë i ngjan një ndërtese – nëse mund të cilësohet kështu – e destinuar për një përdorim krejt tjetër, pasi në të kaluarën funksioni i saj ndryshonte nga ai i sotëm.

Për të vizituar muzeun më të vogël në botë duhet të bëjmë një udhëtim në Yorkshire. Pikërisht këtu, një kabinë e kuqe, e vogël, ikonë telefonike, është shndërruar në një muze. Projekti është realizuar si pjesë e nismës “Adopto një kabinë” e promovuar nga British Telecom, që i ka lënë të gjithë pa frymë.

Warley Museum, i cili e merr emrin pikërisht nga fshati i Yorkshire, në të cilin është realizuar, sot është kthyer në një atraksion turistik, si dhe një pikë referimi për vendin. Këtë gjë e dëshironin pjesëtarët e Warley Community Association (WCA) që panë te nisma e British Telecom një mundësi të vërtetë për fshatin.

Dhe kishin të drejtë, duke qenë se Warley Museum është shndërruar në një atraksion turistik i veçantë, duke u cilësuar muzeu më i vogël në botë. Por si mund ta vizitoni një hapësirë kaq të vogël?

Hyrja i lejohet vetëm një vizitori. Përkundër hapësirës së kufizuar, pjesa e jashtme e kabinës së vjetër telefonike është një vepër arti më vete. Në xhamat e “red telephone box” shfaqen fotografi të vjetra, ndërsa brenda një përzgjedhje sendesh personale që tregon historinë e fshatit.

Dhe duhet ta theksojmë se – ndër gjithë kabinat e rilindura telefonike të përfshira në program – disa janë shndërruar në biblioteka, disa në kioska – ajo e komunitetit Warley është një nga më të bukurat, dhe sigurisht më origjinalja.

Kabina telefonike ndodhet në zemër të qytetit të Warley, jashtë Maypole Inn, një ndër restorantet më të frekuentuara në vend. Në këtë mikro muze, protagoniste është historia lokale e treguar nëpërmjet fotografive, dokumenteve dhe objekteve të tjera. Megjithatë është një muze dinamik, në ndryshim të vazhdueshëm. Komuniteti angazhohet për të ndryshuar dhe për të pasuruar ekspozitën

Me pak fjalë, një muze për rekord Guinness, i cili pret vetëm njohjen zyrtare.

Burimi: Si Viaggia.it/ MONITOR.AL