Kelmendi, i cili prej vitesh administron bujtinën Jezerca në zonën turistike të Valbonës humbi të gjitha fitimet që burojnë nga sezoni i festave dhe turizmi i dëborës prej mungesës së energjisë elektrike.

Miqtë që kishin prenotuar më parë u njoftuan se nuk ofrohet shërbim, teksa dhjetëra turistë rastësorë u kthyen mbrapsht. Në datën tre janar energjia elektrike në zonën e Valbonës mungon prej 10 ditësh. Në kontrast me zymtësinë e bujtinave jashtë pamja është përrallore prej e dëborës që prej dy javësh ka mbuluar të gjithë luginën.

Për të shijuar këtë pamje të mrekullueshme qindra turistë po vizitojnë luginën, por hotelet dhe bujtinat nuk janë në punë. Shumica e tyre janë me ngrohje elektrike, por gjithashtu baret dhe restorantet ofrojnë shërbim të kufizuar pasi pajisjet frigoriferike dhe ekspresët nuk punojnë.

Valbona ofron shërbime turistike gjithë vjetore prej bukurive natyrore, ajrit të freskët dhe dëborës në dimër. Këtë vit prej pandemisë bujtinat kanë punuar shumë pak. Turistët nga Europa që mbushën hotelet dhe lëndinat me kampingje këtë vit kanë munguar tërësisht. Vendalinjtë i kanë vizituar vetëm fundjave dhe nuk kanë qenë të mjaftueshëm për të kompensuar mungesën që krijuan të huajt.

Kelmendi i cili që fëmijë u rrit duke shërbyer në bujtinë shpresonte që humbjet e pandemisë të kompensoheshin disi në sezonin e festave. Turizmi i bardhësisë po tërheq çdo vit e më shumë turistë, por dëbora e këtij viti në vend që të ishte gëzim të bizneset në Valbonë erdhi si mallkim. Linjat e vjetra të energjisë nuk kanë mundur të përballojnë motin e keq, duke lënë vendasit në errësire, mijëra turistë pa shërbim dhe humbje të mëdha për bujtina.

Valbona është shndërruar në një destinacion mjaft popullor për të huajt, por edhe vendasit. Prej kërkesës së lartë bujtina dhe hotele të reja ngrihen ditë përditë. Zona po urbanizohet me shpejtësi teksa tre HEC në pjesën e poshtme të luginës kanë përfunduar. HEC të cilat po cenojnë zhvillimin e qëndrueshëm të mjedisit dhe turizmit nuk kanë mundur të zgjidhin as problemin me energjisë në zonë.

Mungesa e energjisë krijoi humbje po aq sa pandemia. Në anë të rrugës një grup pune nga OSHE-e po punojnë për defektet. Furtuna e në dhjetëditëshin e fundit të dhjetorit e dëmtoi të gjithë rrjetin dhe grupet e punës ende nuk kanë mundur të riparojnë defektet. Banorët thonë se rrjeti i energjisë është që në kohën e diktaturës është shumë i amortizuar dhe i paaftë për të përballuar konsumin që po rritet çdo ditë në zonë. Edhe në ditë normale shumë pajisje nuk punojnë për shkak të voltazhit të ulët.

Vendasit me shumë se për humbjet ndjehen të turpëruar që nuk kanë mundur të presin dot klientët që prej vitesh kalojnë festat e sezonit në Valbona. investimet në shtëpizat e pritjeve kryesisht nga guri e druri i kanë bërë pak e nga pak me fitimet që sigurojnë, por ka qenë e pamundur të mbulojnë boshllëqet që vijnë nga mungesa e infrastrukturës./B.Hoxha

Monitor.al