“E zonja e bujtinës” komedia më moderne e komedianit italian Carlo Goldoni, përballfemrën me mashkullin në skenën e Teatrit të Metropolit, me regji të Hervin Çulit. Një ftesë për emancipimin e shoqërisë, por mbi të gjitha një shfaqje dinjitoze, plot elegancë dhe finesë.

Kur shkon si spektator për të parë komedinë “Zonja e Bujtinës” shkruar nga dramaturgu i famshëm italian, Carlo Goldoni, dhe të vënë në skenë nga regjisori Hervin Çuli në Teatrin e Metropolit, menjëherë me përfundimin e saj, kupton se koha prej 2 orë e 15 minutash ka kaluar pa u ndjerë, me një ritëm të jashtëzakonshëm emocioni dhe atmosfere, mes lojës së bukur të gjashtë aktorëve elegantë, që edhe ata vetë kënaqen ndërsa luajnë në skenë.

Eshtë një pjesë mjaft zbavitëse, si për publikun që e ka ndjekur me interes shfaqjen, si për regjisorin i cili ka treguar finesën e tij, ashtu edhe për vetë aktorët protagonistë.

Publiku që mbush sallën e vogël, është gati të presë se çfarë do të ndodhë në një bujtinë të vogël të Firences, ku nga dritarja e saj në qendër të skenës shfaqet një kompozim i disa fisnikëve të kohës, teksa drekojnë gjithë oreks në hanin e Mirandolinës (emri i të zonjës së bujtinës). Në skenë janë të varur qepë e hudhra, janë nderë rrobat e lara të mysafirëve dhe fillon e dëgjohet kënga e shërbëtorit Fabricio. Githçka premton për një atmosferë të bukur dashurie dhe për dy orë teatër të mirë. Publiku çlirohet….

Fillimisht të duket pak e habitshme, se si Hervin Çuli ka zgjedhur një dramaturg të 17000- ës për ta sjellë në skenë, sidomos nëse kemi parasysh ftohjen mes publikut shqiptar dhe teatrit në përgjithësi. Por, sapo hyn në sallë, sapo ndeshesh me skenografinë elegante, publikun e mbështjell një atmosferë e mirë kënaqësie, që rrallë e provon dhe thotë: Sa mirë që ndihem në teatër!

Nga Firence në Tiranë

Ja ku kemi para syve shfaqjen e një komedie, ndër më të mirat shkruar nga Carlo Goldoni, dhe një punë krijuese me kërkesa të larta estetike, nga regjisorit Hervin Çuli.

Nëse për teatrin e Goldonit, nga kritika thuhet se është realist, se ai ngjit në skenë dhe bën të flasin personazhe realë, që prezanton situata reale, ashtu siç mund të ndodhin edhe sot, regjisori Hervin Çuli për më tepër ka studiuar personazhet e komedisë në detaje, gjuhën e tyre, ka gjetur çelësin e duhur për paraqitjen e tyre.

Nëse Goldoni i gjente personazhet e tij duke ecur përmes shesheve të Venecias, duke hyrë nëpër dyqanet dhe hipur në gondolierat e fisnikëve, e pastaj i transportonte drejtpërdrejtë këto personazhe dhe situata në skenë, regjisori i shfaqjes, Hervin Çuli i ka ndeshur edhe ai në jetën e sotme, por i paraqet me hir, i bën më të butë, i zbut kontrastet e ashpra mes tyre. Madje, edhe kur i shohim personazhet: fisnikë, dama, apo njerëz të thjeshtë duke u grindur, ata asnjëherë nuk shkojnë në ekstrem, regjisori gjithmonë përdor sensin e tij të masës dhe të harmonisë.

Mirandolina, zonja që josh prej shekujsh

“Zonja e Bujtinës” është shkruar nga Carlo Goldoni në 1750 dhe është vënë në skenë për herë të parë në Venecia në 1752. Personazhet e kësaj vepre të Goldonit janë tre fisnikët, Kalorësi i Ripafratta-s, Markezi i Forlipopoli-t  dhe Konti i Albafiorita-s, pastaj vjen Mirandolina që është edhe zonja e bujtinës, Ortnesia e Dejanira, dy aktore komike dhe kamarieri Fabricio. Ngjarjet zhvillohen në Firence ku Mirandolina ka bujtinën e saj, të trashëguar nga i ati. Mirandolina është një vajzë e re, tërheqëse dhe e zgjuar dhe ne kuptojmë se e gjithë simpatia e regjisorit shkon për të. Jo vetëm xhevahire e shami mëndafshi i shtrohen nën këmbë, por edhe më maskilisti arrin të rendë pas fustanit të saj. Me komedinë “E zonja e bujtinës”, regjisori Hervin Çuli ka arritur plotësisht të tregojë se është marrëzi të shpërfillësh femrat. Eshtë një grua që ka një karakter shumë të fortë, është e paramenduar dhe prototipi i fuqizimit të pushtet femëror.

Mirandolina, është në fakt një zonjë shumë e mirë, që synon mbi të gjitha të mbajë bujtinën e saj. Ajo ka sens praktik, përdor me zgjuarsi intelektin dhe si armë më të fortë, joshjen. Të gjithë klientët fisnikë që bujtin në hanin e saj, duan të martohen me të, por ajo luan me të gjithë. Ajo i pranon të gjitha dredhitë e kësaj bote, që nga dhuratat deri tek lajkat, por në asnjë moment nuk e shet veten e saj.

Dy orë me gjashtë aktorë

Në një skenë të vogël, siç është ajo e Teatrit të Metropolit, ku gjithë historia luhet në tre akte dhe në pak metra katrorë, në një shfaqje që zgjat më shumë se dy orë, rreziku ishte që shfaqja edhe mund të bëhej monotone dhe publiku të mos e superonte dot. Por regjisori i shfaqjes Hervin Çuli dhe gjashtë aktorët e zgjedhur prej tij, na sollën një shfaqje me atmosferë, ndjeshmëri dhe ritëm, gaz dhe mendim.

Gjashtë aktorët protagonistë të shfaqjes Fatos Sela, Genci Fuga, Arben Spahia, Eni Jani, Adelina Muça, Ermonela Alika Plasari dhe Genti Deçka kanë ndërtuar gjashtë karaketere skenike origjinalë, të besueshëm dhe të freskët njëkohësisht. Aktori Fatos Sela, në rolin e Kalorësit, një ndër zërat më të mirë të skenës së teatrit shqiptar, me një eksperiencë të gjatë skenike mbi supe, arriti të mbajë një peshë të madhe të shfaqjes. Jemi mësuar ta shohim në role dramatike, por kësaj rradhe ai erdhi me një rol në komedi. Solli një personazh plotësisht të besueshëm për publikun, ndërtoi një Kalorës të egër në pamje të parë, por të brishtë dhe viktimë të vendimeve të tij. Kalimet emotive, nga përjashtimi i çdo ndjenje të bukur për femrat, tek përulja pa kushte para Mirandolinës, ishin realizuar bindshëm nga aktori.

Eni Jani në rolin e Mirandolinës, solli një personazh të plotë, një figurë të plotësuar në të gjitha dimensionet që kërkon ky personazh. Genci Fuga, me këtë rol dëshmoi se komedia dhe sidomos loja me mimikën është ndër armët e tij më të mira. Personazhi i Kontit që interpretohej prej Genci Fugës, ishte mishërimi i një personzhi që kishe qejf ta shihje në skenë. Aktori shkodran Arben Spahia, për herë të parë në skenën e këtij teatri ishte një surprizë për shfaqjen, pasi dialekti i tij, ishte një vlerë e shtuar. Me gjuhën e tij interpretative, solli një thyerje të këndshme dhe mjaft argëtuese për publikun. Ndërkohë tre aktorët e rinj, Adelina Muça, Ermonela Plasari dhe Genti Deçka, treguan se duhet besuar tek të rinjtë. Dy vajzat në interpretimin e dy aktoreve komike, duhen lavdëruar për spontanitetin, atmosferën, gjallërinë, që sollën në skenë, me interpretimin gati në sinkron njëra me tjetrën, por edhe duke guxuar të hyjnë në sprova të vështira, siç ishte loja e drejtpërdrejtë me violinë, gërshetimi i pantomimës me marjonetën, apo kënga që solli në fillim të shfaqjes aktori Genti Deçka, i cili për më tepër luante edhe në kitarrë.

Spektatorët, ndërsa dalin nga ky teatër i vogël dhe intim, vijojnë të qeshin me vete, e ndërkohë mendojnë se sa mirë ndihesh nga e qeshura kur ajo është produkt i një arti aspak vulgar, përkundrazi mjaft fin.

Carlo Goldoni jetoi në vitet 1700 dhe gjatë karrierës së tij ka shkruar 112 vepra. Është cilësuar reformator sepse modifikoi dhe rinovoi artin e komedisë. Janë të famshme komeditë “La Locandiera” (E zonja e Bujtinës), “L’avaro” dhe  “Il Burbero benefico”.

Në komedi interpretojnë aktorët Fatos Sela, Genci Fuga, Arben Spahia, Eni Jani, Adelina Muça, Ermonela Alika Plasari dhe Genti Deçka. Një trupë kompakte aktorësh, me të cilët regjisorin Çuli e lidh dëshira, pasioni dhe kuptimi për artin e teatrit

Intervistë me regjisorin e shfaqjes Hervin Çuli:

“Nuk kam xhelozi artistike, jam një ndër më të mirët”

Si e shpjegoni suksesin e komedisë?

Besoj se janë një komleks gjërash, kostumet, dialogjet, muzika, aktorët, të cilat lidhen në harmoni me njëra-tjetrën dhe krijojnë një energji pozitive dhe kultivojnë një gusto të mirë artistike dhe estetike tek publiku.

Përse keni zgjedhur “Zonjën e Bujtinës”, një komedi e 1700 – ës për ta sjellë në skenën e sotme?

Sepse atmosfera që ofron teatri i atyre viteve është e papërsëritshme dhe përfaqëson modelin ideal të një teatri të vërtetë.

Spektatori ndihet mirë pas shfaqjes suaj. Është meritë e Goldonit, juaja si regjisor, apo aktorëve?

Të treja bashkë, ndoshta më tepër e imja(!)

Ju vetë a do të donit të jetonit në kohën e parukeve të personazheve tuaj? Edhe në këtë rast do të merreshit me teatër apo do të pëlqenit diçka tjetër?

Do më pëlqente, sepse edhe mënyra e të shijuarit të jetës në atë kohë ishte më pak konvencionale sesa sot, dhe me larg teknologjizimit, kompjuterizimit dhe digjitalizimit të gjithçkaje. Ndoshta nuk do të isha regjisor, por me siguri do të isha një prej admiruesve më të mëdhenj të teatrit.

Gjuha e zgjedhur prej jush si regjisor nuk njeh limite: në shfaqje operohet me mimikën, pantonimën, muzikën, e shumë detaje të tjera që përcjellin atmosferë mjaft të mirë. Pse bëtë këtë zgjidhje?

Sepse  ky është stili i teatrit që pëlqej unë, sepse kjo është mënyra ime e të bërit teatër.

Komeditë që shfaqen sot tek ne më së shumti shkojnë drejt humorit vulgar. Ju bëni të kundërtën.  Përgjithësisht a janë shijet e publikut të tilla, apo regjisorët janë gllabruar nga komercialiteti?

Nuk do të doja të gjykoja kolegë të tjerë regjisorë; nuk do të doja të gjykoja as shijet e spektatorit, dua vetëm të siguroj vetveten që rruga drejt një teatri të pastër, është ajo e cila kam zgjedhur unë…..

Cilat janë komentet që keni marrë për shfaqjen, ato më tipiket?

Që shfaqja është e shkëlqyer dhe që aktorët, pavarësisht se nuk janë në Teatrin Kombëtar (përveç të madhit Fatos Sela),  janë më ustallarë se shumë syresh të kënetës së vjetër me emrin TK.

Kolegët janë dashamirës pas suksesit tuaj, apo keni ndjerë xhelozi pas fjalëve të mira që janë thënë për ju?

Nuk më interesojnë opinionet e kolegëve, as dashamirësia e tyre, më intereson vetëm opinioni i publikut dhe dashamirësia e tij.

Xhelozia artistike a ju nxit ju sa për të vënë në skenë 10 kryevepra të tjera, apo ju lëndon dhe plogështon?

Nuk kam xhelozi artistike, se e di që jam një nga më të mirët.

Thuhet se jeni një regjisor mjaft strikt dhe i rreptë…..

Përpiqem të çoj deri në fund profesionalisht misionin që kam marrë përsipër. Nuk e di nëse kjo do të thotë rreptësi?!

Duke ditur aftësitë tuaja edhe si aktor, përse nuk zgjodhët ndonjërin prej roleve të meshkujve dashnorë?

Nuk më pëlqen të jem edhe aktor edhe regjisor njëkohesisht.

Ju vetë a do të pëlqenit një femër si Mirandolina? Ju ka ndodhur të gllabëroheni nga një si ajo?

Çdo mashkulli, pa dyshim, do t’i pëlqente një Mirandolinë dhe çdo mashkull pa dyshim, ka pasur një Mirandolinë në jetën e tij.

Cila është shfaqja më e re që keni ndër mend të vini në skenë?

Janë disa projekte…. akoma nuk mund ta specifikoj.

Regjisori Hervin Çuli (39 vjeç), me komedinë “E zonja  e bujtinës”, ka realizuar padyshim shfaqjen më të mirë të karrierës së tij. I shquar për zgjedhjen plot sqimë të repertorit, ka vënë në skenë shfaqje të tilla si “Xhaxha Vanja” e Çehovit, “Kopraci” i Molierit, “Zonjusha Zhuli” nga August Strindberg, “Anonimi i Venedikut” nga Giuseppe Berto, “Jashte bie borë” nga V. Salemme, “Genjeshtari” nga Goldoni, etj. Për Hervinin metodës ruse e Stanisllavskit e të bërit teatër, mbetet më frymëzuesja, ndërsa pasioni për teatrin i gjithëpushtetshëm.