Mbyllja fizike e restoranteve bëri që një pjesë e mirë të kërkonte alternativa të reja për të shkuar te konsumatori. Nona sh.p.k., që ka aktualisht në pronësi dy restorante të ndryshëm nga njëri-tjetri “Ulliri” dhe “Yamato”, vendosi të kalonte pikërisht tek shërbimi delivery.

Elvina Serani, përfaqësuese e kompanisë, thotë se për restorantin që ofron sushi dhe ushqim japonez, fokusimi te shpërndarja në shtëpi ishte më i thjeshtë, pasi ofrohej edhe më herët dhe klientët e njohin. Për restorantin tjetër, ecuria është e ngadaltë, por gjithmonë me tendencë pozitive. Por cilat janë sfidat me të cilat përballet sot një biznes restorant në kushtet e koronavirusit dhe çfarë zgjedhin shqiptarët të konsumojnë në karantinë?

“Sigurisht si një nismë e re dhe e përshtatur me kushtet aktuale, ecuria për pjesën “delivery” te restoranti është e ngadaltë, por është zgjidhja më e mirë që mund të bëhet në përshtatje me kushtet”, thotë Serani.

Ajo beson se pjesa e shpërndarjes së porosisë te klienti do të mbetet edhe pasi të ketë kaluar kjo situatë. “Besojmë se do të mbetet edhe pasi kjo situatë të ketë kaluar. Është diçka plotësuese e një biznesi dhe një mënyrë e duhur për të qenë pranë klientit. Ne e kemi menduar edhe më herët, para kësaj situate pjesën e “delivery” si opsion për disa klientë që nuk mund të frekuentonin ambientin e restorantit. Tani që e shohim si funksionon, sigurisht që do të jetë pjesë integrale e biznesit edhe më vonë”.

Serani shton se konsumi dhe porositë po shtohen gradualisht dita-ditës, pasi edhe njerëzit po ambientohen me kushtet e reja. “Në fillim, duhet thënë që pati goxha rënie. Kjo ishte goditje për gjithë sektorin e restoranteve dhe kafeneve, pasi ishin të parat që u mbyllën, por edhe paniku i njerëzve. Shumica morën furnizime pafund nëpër supermarkete e dyqane. Tashmë ajo fazë ka kaluar. Njerëzit po mundohen ta shfrytëzojnë kohën ndryshe. Disa mundohen që ta shohin porositjen e ushqimit nga jashtë si diçka ndryshe në rutinën e tyre. Të tjerë vazhdojnë të punojnë nga shtëpia dhe porositjen e ushqimit jashtë e shohin si zgjidhjen e një vakti në kohën kur kanë angazhime dhe nuk u mbetet kohë për t’u dedikuar plotësisht në kuzhinë”.

Më shumë porositen ato që nuk arrijnë dot t’i bëjnë në shtëpi. “Për shembull, “Yamato” që është i dedikuar për sushin zgjidhet pikërisht për këtë pjesë, pasi njerëzit nuk e përgatisin dot në shtëpi. Ndërsa te restoranti tjetër bëhen porosi për pica apo mishra të gatuar në mënyra të ndryshme”.

Me restorantet dhe kafetë, që do të jenë të fundit që do të hapen për të shkruar drejt normalitetit, por duke plotësuar kushte të reja, Serani shton se kur të fillojnë, asgjë nuk do të jetë më si më parë, të paktën në muajt e parë. “Njerëzit do të kenë ende një lloj stepje, pasi në kushtet kur ende mund të jetë i pranishëm virusi me raste sporadike, frika mbetet. Mendoj se nëse gjithçka ecën si duhet, ashtu sikurse është deklaruar nga autoritetet, ndoshta në fund të majit apo fillim të qershorit do të kemi një hapje të kategorisë së biznesit bar-kafe, restorant. Gjithsesi ka shumë paqartësi mbi ecurinë çka e bën çdo parashikim të saktë të pamundur”, pohon ajo.

Monitor.al