Paratë sigurisht që nuk kanë gjini, por ato menaxhohen në mënyra të ndryshme nga femrat dhe meshkujt. Kjo ka të bëjë me gabimet tipike të secilës gjini. Meshkujt gabojnë duke mbivlerësuar veten e duke mos i marrë parasysh të gjitha rreziqet, femrat ndeshen me probleme të tjera. Po cilat janë tri gabimet tipike që femrat bëjnë në menaxhimin e financave?

Gabimi nr.1: Kapriçot femërore

Vetëm për ndjesi të forta, të tilla si: “sa këpucë të bukura”, “më duhet patjetër një telefon i ri”, apo “duhet të blej atë kremin e fytyrës antirrudhë”, femrat shpenzojnë shpesh gjysmën apo më shumë të rrogës së tyre. Situata përkeqësohet nëse këto gjëra blihen me kartë krediti, pasi rëndojnë buxhetin për muaj me radhë. Duke qenë se jetojmë në kohë të vështira ekonomike, ekspertët ju rekomandojnë që të siguroni kursime në masën e 3-6 paga mujore për ditë të vështira apo për ndonjë periudhë të paparashikuar papunësie. Sigurisht që ideale do të ishte që ju të kursenit çdo muaj një shumë të caktuar, të cilat më pas mund t’i investonit për të ardhmen.

Gabimi nr. 2 – Paqëndrueshmëria e karakterit

Kjo pjesë e karakterit të femrave përbën një pengesë serioze në arritjen e qëllimeve. Sot ju doni të shkoni me pushime ndërsa nesër me të dëgjuar që një mikesha juaj ka blerë makinë të re, vraponi dhe ju që të blini një të tillë.

Prandaj duhet bërë shumë kujdes me objektivat, pasi me pushime ju mund të shkoni pas tre muajsh, ndërsa për makinën ndoshta do t’ju duhet të prisni e të kurseni për disa vite ose të keni të ardhura të larta e të sigurta dhe të merrni kredi.

Gabimi nr. 3 – Këshillat e shoqeve

Shumë femra bazohen te këshillat e shoqeve dhe mikeshave të tyre edhe për çështje financiare, madje edhe kur këto të fundit nuk janë specialiste financash, por thjesht mund të punojnë në bankë apo në marketing. Por, duhet të bëni kujdes, askush më mirë se ju nuk e di gjendjen financiare në të cilën jeni. Ajo padashur mund t’ju japë një këshillë të gabuar apo të papërshtatshme.

Qëllimi dhe strategjitë

Për çdo qëllim duhet hartuar strategjia përkatëse e realizimit duke marrë parasysh faktorët e mundshëm të rrezikut, përparësitë dhe mangësitë. Prandaj mendohuni mirë se çfarë doni të arrini dhe analizoni me qetësi dhe vëmendje instrumentet e duhura, duke ruajtur qëndrueshmëri e mos ndërroni mendje herë pas here duke u ndikuar nga të tjerët. Tri gjërat që duhet të keni parasysh për menaxhimin e financave tuaja janë:

1.  Përcaktimi sa më i qartë i qëllimeve për të ardhmen dhe i hapave për realizimin e tyre

2. Mosndikimi apo mosorientimi ekskluziv nga qëllimet dhe instrumentet financiare të shoqeve apo miqve

3. Vendosmëri në arritjen e objektivave dhe jo vetëm dëshira për të jetuar të sotmen e për t’i pasur menjëherë të gjitha.

 

/ME PERSHTATJE NGA FORBES