Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka paralajmëruar se koronavirusi po përhapet kryesisht nga të rinjtë e moshës 20, 30 dhe 40 vjeç, të cilët nuk janë të vetëdijshëm se janë infektuar.

Takeshi Kasai, drejtori rajonal për OBSH-në në Paqësorin Perëndimor, tha në një konferencë virtuale se të rinjtë që udhëheqin përhapjen përbëjnë një rrezik për grupet më të rrezikuara. Deklarata vjen në kohën kur numri i të infektuarve ka tejkaluar 21.8 milionë njerëz në të gjithë botën, dhe me mbi 770 mijë vdekje.

Ndërsa puna për të gjetur një trajtim efektiv dhe një vaksinë vazhdon me shpejtësi, një kompani e madhe farmaceutike kineze në pronësi të shtetit pretendon se vaksina e saj kundër koronavirusit do të jetë në dispozicion deri në fund të këtij viti.

‘SinoPharm’ ka dy vaksina kandidate dhe një kapacitet prodhues vjetor prej 220 milionë doza, tha kreu i saj, Liu Jingzhen. Vaksina do të kushtojë më pak se 140 dollarë dhe do te jepet në dy doza me një diferencë kohore prej 28 ditësh.

Jingzhen tha se vaksinën duhet ta marrin studentët dhe punëtorët në qytetet e mëdha, por jo ata që jetojnë në zona me popullsi të rrallë.

“Jo të gjithë 1.4 miliardë njerëzit në vendin tonë duhet ta marrin atë”.

Nga ana tjetër Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë thirrje për ti dhënë fund “nacionalizmit të vaksinave”.

Pandemia është përkeqësuar nga vendet që nxitojnë të lidhin kontrata për furnizimin e tyre me një vaksinë të mundshme të Covid-19, paralajmëroi kreu i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Ai deklaroi sot se çdo vend duhet të veprojë “strategjikisht dhe globalisht” pasi “askush nuk është i sigurt derisa të gjithë të jenë të sigurt”.

Ghrebreyesus tha se ai iu kishte dërguar një letër të gjithë anëtarëve të OBSH-së, duke u kërkuar atyre që të bashkohen në përpjekjet shumëpalëshe të vaksinimit COVAX./The Independent