Demaçi dhe Rugova, historia e parrëfyer e një mërie politike /gazetadita.al

2018-07-31T15:50:20+00:0031 Korrik, 2018 15:50|Kategoritë: Për t'u treguar, Përjetime|

Në fillimin e pranverës së vitit 1990, në një natë të vetme, ndoshta i gjithë qielli i Kosovës, u përflak nga pushkët. Ishte ndoshta hera e parë që kishte një dyndje të tillë nëpër rrugë, jo për të ripërsëritur demonstratat e një viti më parë, të cilat kishin pasur martirët e herojtë e tyre, si Afrim Zhitia dhe Fahri Fasliu, por në pritjen e një burri, i cili, më shumë se sa një emër, ishte një legjendë në më shumë se tri dekada, Adem Demaçi.

Ai ishte asaj kohe një pjesë thelbësore e historisë së Kosovës dhe shtëpia e tij, e cila nuk mund të zinte gjithë njerëzit që ishin sulur ta takonin, ishte jo vetëm e vogël, por ai as që kishte ndër mend ta bënte një rezidencë të lëvizjes çlirimtare. Ata që e kishin pritur këtë do të kishin një fillesë zhgënjimi, por bacës së tyre jo vetëm i falen gjithçka, por edhe duhej pritur më tej.

Adem Demaçi në pranvern e vitit 1990, kur mund të ishte shumë lehtë prijësi i shqiptarëve në Kosovë, çuditërisht bëri thirrje që të përkrahej Rugova, shefi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe këtë e përsëriti edhe dy vite më pas.

Demaçi tha fjalët e papritura për njerëzit e lëvizjes çlirimtare se, “ Kosovën e kishte lënë dimër dhe e kishte gjetur verë” dhe, këtë “verim” e lidhte me Rugovën, megjithëse ky i fundit kishte qenë në strukturat e njohura politike të Lidhjes Komuniste të Kosovës, sekretar politik në Institutin Albanalogjik, e cila ishte cilësuar si qendra e nacionalizmit shqiptar. Demaçi, si dukej , po bënte atë çka u kishte thënë të tjerëve në fjalën kushtuese të librit të tij të njohur, “Gjarpërinjtë e gjakut”, se ua kushton “ jo atyre që ngrejnë gishtin e krimit, por atyre që shtrijnë dorën e pajtimit”.

Po vinte pas burgimit të tretë që kishte zgjatur 15 vite, më shumë se gjysma e dënimeve të tij 28 vjeçare.

Tetë vite më vonë, në përpjekjet e të dërguarëve të Shteteve të Bashkuara, ambasadorit Hill dhe zotit Hoolbruck, për të krijuar në Kosovë, pas marsit të vitit 1998, një qendër të përbashkët koordinimi politik, pikërisht me 4 korrik, Demaçi, duke ngulur këmbë që Rugova të kthehej në shtëpinë e tij si qytetar i zakonshëm, pasi politika e tij kishte dështuar, duke refuzuar postin e kryeministrit të Kosovës, do u thonte atyre se “Nuk është në interes amerikan të përkrahet një politikan krejtësisht i dështuar, çfarë është Rugova”. Ai do të shtonte se “Rugova duhet të tërhiqet plotësisht, ai duhet të kthehet në banesë. Ju mund të bëni çfarë të doni…Më në fund, nuk është hera e parë, e qebesa as e mbrama, si po shoh, që ai juve do t’ju mashtrojë…E keni mbajtur në pushtet, vazhdoni ta mbani edhe tash e tutje.Falë ju qoftë…”

Biseda do të sillte shpërthimin e zotit Hoollbruck, “ Kësi takimi kurrë nuk kam pasur…Ai, Demaçi, nisi të piskasë..Merre me mend, Demaçi po na mëson neve se cili është interesi amerikan në Kosovë dhe me kë duhet të bashkëpunojmë e me kë jo…Nëse merreni vesh ju, qysh sot mund ta shpallim Këshillin, Trupën e Përbashkët e çkado tjetër. Dhe brenda tij i dua edhe Demaçin, edhe Qosen. Dhe, nëse mendoni se Demaçi duhet të jetë patjetër në krye të tij, ashtu do të jetë”.

Demaçi kundërshtoi përsëri. Ai , deri në fund, me gjithë presionin e gjithkahshëm, do të mbetej në mendimin e tij: Rugova duhej të largohej nga skena politike. Ai kishte dështuar, ai kishte mbajtur zgjedhjet e 22 marsit 1998,kur lufta kishte nisur, kishte përjashtuar Drenicën nga zgjedhjet dhe pas operacionit serb të qershorit kishte deklaruar se “ tani jam më i fortë”.

Çfarë kishte ndodhur mes këtyre dy burrave, tek të cilët ishte varur një pjesë e madhe e shpresës së Kosovës dhe të cilët, megjithëse të ndryshëm në shumëçka, për të mos thënë në të gjitha, ishin bërë tashmë dy vetë që e përjashtonin njëri tjetrin deri në fund?

Vdekja e Adem Demaçit, figurës më të shquar të rezistencës shqiptare në mesin dhe fundin e shekullit të shkuar dhe emblema rreth së cilës mblidheshin njerëzit në këtë shekull, sidomos varrimi i tij, zgjoi dhe hapi edhe një herë mëritë e vjetra politike, të cilat, herë të hapura dhe herë të tjera brenda vetes, në shumë raste kanë qenë të njohura, por që nuk është menduar se do të shkonin edhe pas jetës, në ditëvdekje.

Njerëzit e Rugovës, pra, të partisë që ai la pas vetes, herë të gjymtuar dhe herë të ndjeshme, papritmas, si të vinin direkt nga lufta e ftohtë e një kohe të shkuar, deklaruan se nuk do të jenë pjesë e varrimit të Demaçit,dhe, disa prej tyre, shkuan edhe më tej se kaq, duke synuar përdhosjen e një figure që i kishte bërë nder qëndresës shqiptare në Kosovë.

Si duket ka qenë një lëvizje politike e llogaritur ftohtësisht, si një hapje e hesapeve të vjetra që kanë qenë mes Demaçit dhe Rugovës, por edhe si një hakmarrje e vonë e një lëvizje politike, e cila pasi doli nga Lidhja Komuniste e Kosovës, kishte qenë pjesë politike e tri dënimeve të zgjatura të Demaçit, njeriut që kishte turbulluar shumë ujra të ndenjura dhe nuk kishte lënë të humbiste mendimi se mund të kishte rezistencë në Kosovë.

Rasti i Demaçit është shumë i ngjashëm me atë të Ukshin Hotit, staturës tjetër të shquar politike në Kosovë, që, po ashtu si Demaçi, kishte rënë nën mërinë politike të Lidhjes Demokratike dhe shefit të saj dhe që, kur ishte ridënuar, e vetmja gjë që kishte thënë kjo strukturë politike do të ishte se “ ukshin Hoti ishte ashtu si ishte” dhe ishte lënë në harresën e tij.

Përse u zgjuan tani “hesapet” e vjetra mes dy figurave ndër më të njohura të politikës shqiptare në Kosovë: Demaçit dhe Rugovës?

A do të kishte ndodhur kjo nëse Rugova do të ishte ende në jetë apo kjo që ndodhi, kjo shfaqje e hapur refuzimi për të nderuar një figurë kaq emblematike, do të ishte shmangur nga ish presdenti i Kosovës?

Ku filloi mëria e tyre, më saktë, kjo ndarje e thershme politike mes njërit e tjetrit dhe a ka pasur raste kur ato kanë qenë sëbashku, në një vijë, ashtu si edhe në vija të ndryshme?

Demaçi dhe Rugova i takojnë dy lëvizjeve të ndryshme politike, jo vetëm pas vitit 1990, kur në Kosovë u krijua një tabllo fantazmagorike e lëvizjes pluraliste, por edhe shumë më herët.

Si njëri, ashtu edhe tjetri ishin njerëz të letrave. Demaçi ishte më shumë shkrimtar, Rugova e kishte lidhur veten më shumë me kritikën letrare. Romani i Demaçit, “Gjarpërinjtë e gjakut” do të jetë për disa dekada mishërimi i aspiratës së shqiptarëve, për të falur gjaqet brenda vetes dhe për të qenë sëbashku ndaj një armiku tjetër; ndërsa studimet e Rugovës, sidomos për Buzukun, do të jenë sinjale të një pune studimore serioze, por që u ndalën pas futjes së tij në thellësinë e politikës, pasi kishte qenë shumë vite në ujrat e ndërmjetme.

Demaçi dhe Rugova kishin përfaqësuar që herët dy rryma të ndryshme politike, nganjëherë të kundërta dhe në disa raste dy rryma që përjashtonin njëra-tjetrën.

Demaçi kishte ardhur në politikë përmes qëndresës. Në fakt ai ishte një nacionalist i bindur që kishte lëvozhgë lëvizjet marksiste, të cilat do i hedhë pa asnjë droje e dhimbje menjëherë pas vizitës së tij të parë në Shqipëri. Egon nacionaliste do e mbajë deri në fund pas vetes.

Rugova, me një fillesë të çuditshme në politikë, ka të dhëna se babai i tij, Ukë Rugova është vrarë nga forcat serbe pas vitit 1945, do të bëhej shumë shpejt antar i Lidhjes Komuniste të Kosovës dhe njeri i besuar i saj.

Në kohën e burgimit të parë të Demaçit është edhe pranimi i Rugovës në parti.

Në kohën e burgimit të dytë të Demaçit do të jetë edhe rritja e parë politike e Rugovës brenda suazës komuniste kosovare dhe serbe, pasi Lidhja e Komunistëve të Kosovës varej drejtpërsëdrejti nga Lidhja Komuniste e Serbisë.

Në ditët e burgimit të tretë të Demaçit, tani në Staragradishkë, në Kroaci, Rugova do të ketë dy rritje politike, si sekretar i LKK dhe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve deri në fundvitin 1989 dhe pas pak si kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovs.

Megjithatë, ata, herë pas here, e gjetën gjuhën e rrugën e përbashkët. Sidomos deri në mesin e vitit 1996 ata ishin një zë i përbashkët, por me disa nuanca të ndryshme.

Demaçi do të thyhej ngadalë nga besimi që kishte pasur dhe, ashtu si ishte, pak i vështirë për të punuar me të, shumë i drejtpërdrejtë dhe i hapur, impulsiv dhe rrezatues njëkohsisht, do e kishte gjithnjë e më të vështirë të pranonte ecjen e ngadaltë të Rugovës dhe do të zemërohej me deklarimet e tij politike ndaj UÇK-së.

Rugova, nga ana tjetër, më i qetë, më llogaritës, aspak impulsiv, me një besim të perëndimorëve ndaj tij, që herë zbehej dhe herë rritej, por që ishte një besim i pranishëm, nuk harronte kurrë në zemërimin e tij, megjithëse nuk e shfaqte.

Demaçi, pas emërimit të tij nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së të reprezantojë UÇK-në në proçesin e unifikimit të forcave politike shqiptare dhe krijimit të institucioneve të reja të Kosovës, kishte ngritur zyrën në Prishtinë, kishte marrë pas vetes disa djem të rinj, mes të cilëve shquante Albin Kurti dhe fliste me një gjuhë krejt ndryshe nga ajo e Rugovës.

Krisja e tyre e parë erdhi në vitin 1996 dhe erdhi nga shteti shqiptar dhe presidenti i kohës , Berisha.

Po afrohej kriza e piramidave dhe synimi i shtetit shqiptar ishte që një pjesë të krizës të deportohej në Kosovë. Duheshin krijuar lëvizje politike dhe mosbindje qytetare, të cilat binin ndesh me politikën e Kosovës. Duhej krijuar një kauzë jashtë Shqipërisë, që të kërkonte pjesëmarrjen e Berishës në zgjidhjen e saj dhe, pavarësisht se vendi nuk ishte i përgatitur ende dhe UÇK-ja ishte në fazat e zhvillimit ,duke u shtrirë në disa zona, kështu që mund të kishte pasoja të pandreqshme, Berisha kërkoi të lëvizë boshtin.

Ai thirri në Tiranë Hydajet Hysenin, asaj kohe nën kryetar i LDK-dë, ish i burgosur politik dhe kërkoi të rriste protestat. Megjithë autoritetin e tij të dyfishtë, Hyseni nuk lëvizi gjë dhe më pas, ai bashkë me shumë të burgosur të tjerë politikë, Rugova i largoi qetësisht nga LDK-ja.

Pas tij , në lojë, ndoshta verbas,por me dëshirë për ndryshim, hyri Demaçi. Ishte një frut i papjekur ende dhe kështu që ra. Vetëm në vjeshtën e vitit 1997, kësaj here nën drejtimin e Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe Unionin Studentor , nisi lëvizja e qendresës përmes demonstratave.

Rugova nuk ia harroi kurë këtë Demaçit. Ai nuk bëri nota verbale apo protesta në publik. Ai vetë heshti, por njerëzit e tij, në media dhe përmes Qendrës për Informim të Kosovës, u sulën ndaj Demaçit. Ashpërsisht. Demaçi u ashpërsua edhe më shumë.

Ndarja e dytë, më e madhe e më reale , ishte në qëndrimin e tyre ndaj UÇK-së. Ndërsa njëri, Rugova, i mohonte krejtësisht, tjetri, Demaçi, ishte zëdhënësi i tyre. Nuk kishte se si të ndodhte ndryshe.

Ishin dy njerëz që i takonin dy mendimeve të ndryshme politike, kishin bërë rrugë të ndryshme dhe kishin pasur qëndrime të kundërta.

Por, të dy, duam apo nuk duam, ishin e mbeten pjesë e historisë së Kosovës.

Demaçi, kundërshtari i rreptë i Rugovës, pas largimit nga jeta të këtij të fundit, nuk e përmendi asnjëherë negativisht. Ai heshti në shenjë nderimi për njeriun me të cilin kishin pasur përpjekje të mëdha dhe ishin përplasur sa herë kishin dashur.

Nëse Rugova do të ishte gjallë ende, nuk jam i bindur nse do të kishte qenë pjesë e ceremonialit të Demaçit. Jo vetëm sepse ishte idhnak i pandreqshëm që nuk harronte kurrë, por edhe nga precedenti tjetër: sa ishte në jetë ai nuk vajti asnjëherë tek Kullat e Adem Jasharit dhe Jasharëve të tjerë.

Nuk e di përse ishte bërë idhnak edhe ndaj tyre, ose më saktë, edhe nëse e di, kjo nuk është temë e këtij shkrimi.

/gazetadita.al