Kriza që ka mbërthyer vendin po nxjerr dhe një anë tjetër, atë të disa punëdhënësve që nuk apikojnë për punonjësit e tyre, u kërkojnë t’u kthejnë mbrapsht ndihmën financiare, apo nuk u japin pagat e prillit, ndonëse kanë punuar, me argumentin se i ka paguar shteti.

Një dukuri e tillë është denoncuar për Monitor nga individë dhe kontabilistë. “Në këtë periudhë të vështirë, shumë kompani iu kanë mbajtur pagën e muajit Prill punonjësve që kanë përfituar edhe ndihmën financiare prej 40,000 lekësh, përveç pagës që kanë marrë për ditët dhe djersën që kanë punuar. Me pretendimin se janë paguar”, thotë Atos Pesha, kontabilist. Ai shton se punonjësit tremben të ndjekin ankimin në rrugë ligjore.

Bëhet fjalë për punonjësit e masës 3 të paketës së dytë, “Të punësuarit e subjekteve me të ardhura vjetore deri në 14 000 000 lekë, të lejuara për të ushtruar aktivitet sipas urdhrit/ave të MSHMS, të cilët kanë qenë në punë në në datën e hyrjes në fuqi të Urdhrit/ave të MSHMS, përfitojnë ndihmë financiare prej 40.000 (dyzetëmijë) lekë”.

Pesha thotë se kategoritë që po refuzojnë t’u japin pagat punonjësve janë subjektet e vogla kryesisht në sektorët e furrave të bukës, call center dhe fasoneri, të cilat kanë punuar normalisht. Edhe pse fasoneritë dhe call center janë kryesisht biznese të mëdha, por ka dhe të vogla, përmes copëtimit të aktivitetit në NIPT-e të ndryshme.

Një tjetër dukuri e konstatuar ishte mosaplikimi nga bizneset e mëdha për ndihmën e punonjësve të tyre. Më herët, kryeministri Rama, pas ankesave të shumta të punonjësve, deklaroi se ka  punonjës të larguar nga puna deri në datën 10 prill, të cilëve një numër jo i madh po as i vogël punëdhënësish, u kanë kthyer kurrizin dhe i paralajmëroi punëdhënësit me gjoba.

Nga ana tjetër, punëdhënësit janë ankuar se ata nuk arrijnë të aplikojnë për shkak të afateve të largimit të punonjësve.

 Lexo edhe këtë: Pse punëdhënësit nuk po aplikojnë për ndihmën financiare të punonjësve?! Bizneset fajësojnë procedurat dhe afatet

Sipas të dhënave nga tatimet, të përditësuara deri në 5 maj, nga 176 mijë punonjës në total që janë planifikuar për të përfituar ndihmën financiare, deri tani kanë aplikuar 31.8 mijë biznese, për 100 mijë punonjës, ose 58% e totalit të planifikuar të punonjësve.

Pjesa më e madhe e tyre i përkasin masës 3, me rreth 58 mijë aplikime punonjësish në total. Më pas janë aplikuesit e masës 2, “Të punësuarit e subjekteve të lejuar për të ushtruar aktivitet, të cilët janë larguar nga puna nga data e hyrjes në fuqi të Urdhrit/urdhrave të MSHMS deri në datën 10 Prill 2020”, me 27.5 mijë punonjës.

Nga masa 1 “Të punësuarit e subjekteve me të ardhura vjetore mbi 14 000 000 (katërmbëdhjetë milionë) lekë, të mbyllura sipas Urdhrit/ave të MSHMS, të cilët kanë qenë në punë në datën e hyrjes në fuqi të Urdhrit/ urdhrave të MSHMS”, kanë aplikuar 12 mijë punonjës dhe më pak nga masa 4  “Të punësuarit e subjekteve që ushtrojnë aktivitet në sektorin e strukturave akomoduese, të cilët figurojnë në listepagesat e subjekteve, deri në datën e Urdhrit/ave të MSHMS”, ku kanë aplikuar rreth 4,400 punonjës.

Norma e refuzimeve ka qenë e ulët, në rreth 3.5% të totalit.

Ndërkohë tatimet u kanë bërë shpesh thirrje bizneseve që ta aplikojnë. Sipas një njoftimi të fundit të tatimeve janë edhe rreth 13.5 mijë subjekte përfitues për masën 1,2,3 dhe 4, të cilët ende nuk e kanë plotësuar Kërkesën për përfitim të ndihmës financiare.

Monitor.al