Lojtari olimpik në kërkim të medaljes botërore

Nga Elert Yzeiri

Nëse në Shqipëri, Komiteti Olimpik nuk i dha asnjë mundësi për tre vjet, madje i krijoi probleme dhe vështirësi, duke mos e shpërblyer financiarisht,  Bullgaria i bëri një vend mes më të mirëve duke i dhënë gradat e liderit të ekipit kombëtar.

Pak orë pasi kishte fituar titullin Kampion Kombëtar i Bullgarisë, titull që i jep të drejtën të përfaqësojë këtë shtet në garat ndërkombëtare, pata mundësinë të flisja në telefon me Elisin ndërsa ishte duke festuar me miqtë e tij të skuadrës.

Ishte shumë i mallëngjyer, por ndërkohë edhe i trishtuar. “Tani jam kampion i Bullgarisë, sepse më ‘përzunë’ nga Shqipëria”, më tha Elisi. “Isha në kulmin e formës time dhe askush nuk e vuri re këtë. Do doja të isha afër familjarëve të mi, që ta ndaja me ta këtë emocion që jam duke përjetuar. Ndihem mirë dhe shpresoj që shumë shpejt të arrij objektivin kryesor, të kualifikohem për Lojërat Olimpike. Për disa muaj nuk do të ma dëgjoni zërin se do jem në Amerikë, por kur të kthehem do të tregoj më shumë”, më thotë ai, duke mos harruar të përshëndesë të gjithë miqtë e dashamirësit. Mendjen e ka te shokët, që i ka të pafundë, si në Shkodër dhe në Tiranë. E ka mendjen te nëna e tij, që e pret me lot në sy dhe babai me krah hapur, ashtu siç e ka rrokur edhe shumë vite më parë, kur ai përqafoi “Legjendën e Gurit”, nga e cila rrjedh edhe mbiemri i familjes së tyre.

Ç’ndodhi me sportistin kampion?

Të bëhesh një kampion i madh, nuk mjaftojnë vetëm muskujt dhe forma e mirë sportive, as paratë dhe sponsorët për të të stimuluar, por ndonjëherë është shumë e rëndësishme për të patur mundësinë e garimit. Dikush ka nevojë për një skuadër, dikush për një aktivitet, por ka dhe nga ata që kanë nevojë për një shtet.

Elis Guri, shkodrani 27 vjeçar që arriti rezultatet më të mira për Shqipërinë në Lojërat Olimpike të Pekinit në vitin 2008, prej më shumë se tre muajsh ka marrë edhe nënshtetësinë dhe është bashkuar me ekipin kombëtar të Bullgarisë. Për shumë ‘nacionalistë’ veprimi i mundësit shkodran mund të duket i padrejtë, por duke shfletuar me pak kujdes ‘mëkatet’ e institucioneve ndaj mundësit më të mirë shqiptar të dy dekadave të fundit, do të kuptojmë më së miri që ai ka rënë viktimë e një loje të ndyrë të politikës, që për fat të keq as sportin nuk e ka kursyer në vendin tonë.

Nëse në Shqipëri, Komiteti Olimpik i pati bllokuar çdo mundësi garimi për 3 vjet, Bullgaria i bëri një vend mes më të mirë dhe aktualisht i ka dhënë gradat e liderit të ekipit kombëtar.

Kampioni i ri i Bullgarisë

Lajmi është se në ditët e para të muajit janar, mundësi i lindur në familjen shkodrane Guri, me tradita në sportin e mundjes është shpallur kampion kombëtar i Bullgarisë për peshën deri në 96 kg. Një fitore spektakolare për Elis Gurin, që nuk hasi asnjë pengesë për të arritur te triumfi, edhe pse në zemrën e tij ishte një trishtim i madh, që tani nuk i përket më Shqipërisë.

Kjo është më se e trishtueshme edhe për ne, pasi në gjirin tonë kishim një kampion të madh, vlerat e të cilit i kemi parë në kampionatin botëror të vitit 2007, ku ai u rendit në vendin e shtatë dhe po në atë vit ai zuri vendin e tretë edhe në Kampionatin Europian. Jo më pak e admirueshme ishte edhe paraqitja e tij në Lojërat Olimpike ku ai eleminoi kampionin olimpik në fuqi, duke bërë që të gjithë shqiptarët të ndienin një krenari të ligjshme për ngjyrat e flamurit. Por më pas erdhi viti i mbrapshtë 2009, kur politika, jo vetëm që shkatërroi sportin olimpik, por me vullnet të plotë “vrau” edhe Elis Gurin, e shumë shokë të tij.

Elisi sot është në Bullgari, pjesë e ekipit kombëtar të vendit ballkanik. Shumë nga miqtë e tij u gëzuan pa masë kur dëgjuan për rezultatet e tij, krejtësisht të merituara, shumë të tjerë nuk i kursyen kritikat. Dhe ishin pikërisht ata që e ndëshkuan atë. Ishin po ata njerëz që e përzunë nga Shqipëria dhe që çdo ditë me sportistë si Elis Guri apo shumë të tjerë, mbushin xhepat e tyre të thellë të korrupsionit dhe mbajnë peng sportin shqiptar. Janë pikërisht ata “vrasës të sportit”, që kanë menduar vetëm për vete kurrë nuk kanë ditur t’ia dinë për nevojat, vështirësitë financiare deri në mbijetesë të Elisit apo sportistëve të tjerë.

Sot Elisi edhe pse është në Bullgari, ndodhet atje vetëm fizikisht. Sepse zemrën ai e ka në Shqipëri, në Shkodrën e tij, atje ku ka familjen si dhe në Tiranë ku u stërvit për shumë vite, duke dalë për dhjetë vjet rresht kampion i padiskutueshëm kombëtar.

Anatomia e një talenti

Këto rreshta duhej të ishin në një tjetër kontekst sot, për një sportist i cili është ndër më të mirët që ka prodhuar shkolla shqiptare e mundjes në 20 vitet e fundit.

Me një fizik prej kollosi dhe një plastikë muskulore perfekte për sportin e mundjes, Elis Guri spikati që në momentet e para. Pasi kish provuar më parë sportet me top, si futboll dhe basketbolli, Elisi ra në sy të specialistëve për një tjetër talent, që mesa duket i rridhte në vena.

Ndoshta ai kishte trashëguar të njëjtat cilësi, ndoshta edhe më të mira të të atit, kampionit të jashtëzakonshëm të tapetit, Iljaz Guri. Në shumë pak vite Elisi u bë pjesë e ekipit kombëtar dhe një sportist që do të nderonte flamurin kombëtar në aktivitete të rëndësishme.

Arritja më e madhe është padyshim medalja e bronxit në Kampionatin Europian të vitit 2007, zhvilluar në Finlandë, në peshën deri në 96kg. Trajneri i tij në atë kohë, por edhe për disa vite të tjea, Besnik Shehi shprehej me superlative dhe kërkonte vetëm pak më shumë vëmendje që ky sportist të arrinte rezultatet më të mira që mundja shqiptare kish arritur në historinë e saj. Po në vitin 2007, Elisi arriti të merrte dhe biletën për në Pekin. Vendi i shtatë në Botërorin e zhvilluar në Azerbajxhan ishte trampolina që për herë të parë mundja shqiptare të përfaqësohej në Lojërat Olimpike dhe për më tepër me kualifikim të drejtpërdrejtë.

Edhe në Pekin Elis Guri nuk zhgënjeu. Vendi i 8-të ishte rezultati i dytë më i mirë në historinë shqiptare në Olimpiadë. Ndeshja me kampionin Olimpik në fuqi, egjiptianin Karam Gamber, të cilin Elisi e mundi në mënyrë spektakolare, ishte një nga ndeshjet më të bukura të mundjes. Mundësitë e tij për të fituar një medalje në Pekin duke i siguruar Shqipërisë të parën medalje olimpike në historinë e saj ishin shumë të mëdha. Të gjithë shpresonin tek ai, por fati i keq e ndoqi në atë stadium. Në ndeshjen me përfaqësuesin e Gjermanisë Elisi bëri një ‘spektakël’ të vërtetë duke treguar epërsinë e nevojshme për një fitore. Mijëra njerëz që kishin mbushur stadiumin brohoritën në favor të sportistit Shqiptar duke menduar se ai ishte fituesi. Dhe dukej shumë qartë nga gara. Këtë e besonte edhe vetë Elisi i cili ngriti grushtin lartë në shenjë fitoreje pasi ra gongu. Por do të shtangte si Elisi dhe publiku kur të shikonin tabelën elektronike me pikët qe jepnin rezultatin e raundit. Asnjë pikë për sportistin shqiptar sepse kishte shkelur vizën e tapetit. Ky do të ketë qenë momenti më i vështirë ndoshta i tërë jetës së tij.

Problemet me federatën dhe ‘divorci’ me mundjen shqiptare

Në palmarësin e sportistit të mundjes numërohen edhe dhjetëra trofe dhe tituj kombëtarë, si edhe shumë ndërkombëtarë, duke e bërë një prej sportistëve më të mirë shqiptarë të të gjitha kohërave.

Në janarin e vitit 2009 në Asamblenë e KOKSH, Elis Guri bëri një manovër që i rezultoi e gabuar. I pozicionuar në krah të një prej kandidatëve për presidentin e Komitetit Olimpik.

Për disa minuta sportisti u shty të prishte mbledhjen ku do të bëheshin dhe zgjedhjet. Zgjedhjet për komitetin olimpik u ndërprenë, së bashku me Elisin u përfshinë edhe disa sportistë të tjerë, trajnerë dhe presidentë federatash, duke bllokuar zhvillimin e mëtejshëm të saj. Në të vërtetë drejtuesit e Federatës së Mundjes janë më të përfolurit e sportit në Shqipëri, duke  krijuar sherre të vazhdueshme për vendet kryesore drejtuese të saj.

Komisioni i disiplinës i Komitetit Olimpik e ndëshkoi Elis Gurin me tre vjet pezullim nga të gjitha aktivitetet kombëtare dhe ndërkombëtare. Po ashtu edhe shumë persona të tjerë të përfshirë në atë ngjarje morën të njëjtat ndëshkime. Ndërkohë ata që e përdorën Elisin në planin e tyre për pushtet, më pas e braktisën dhe sportisti që nga ajo kohë pati një divorc të përkohshëm me mundjen. Ai nuk mund të garonte në asnjë aktivitet dhe për të mundja mund të humbiste vlerë. Por ai e dashuron këtë sport dhe nuk kishte as edhe më të voglën ide për ta braktisur sportin. Për muaj me radhë Elisi bëri stërvitje individuale, më kot të pritje për një amnisti nga KOKSH apo organizma të tjerë sportivë, pasi vendimi ishte i pakthyeshëm. Mbi të gjitha vendim i dhënë për interesin e ngushtë të ndokujt. Por tashmë i pakthyeshëm ishte edhe vendimi i ‘divorcit’ të Elisit me mundjen shqiptare!

Insistimi i kërkesës bullgare

I gjendur në vështirësi ekonomike nga një sport që nuk i dha kurrë përfitime minimale përfshirë ushqimin dhe strehimin e njëkohësisht i konsideruar në Shqipëri  një “disident”, Elis Gurin e prisnin me krahë hapur disa mijëra kilometra larg nga vendlindja e tij. Pikërisht në Sofje, ku Elisi nuk ishte krejt i panjohur.

Në muajt e parë të vitit 2008 Elisi kish patur mundësinë të stërvitej për një kohë relativisht të gjatë pranë ekipit kombëtar të Bullgarisë, ku edhe pati një rritje cilësorë në garimin e tij. Trajneri i ekipit kombëtar të Bullgarisë ja kishte shprehur gjithnjë dëshirën për ta patur në skuadër, ndërkohë Elisit në atë kohë nuk i shkonte në mend një gjë e tillë. Më saktë nuk ja ndjente nevojën për një manovër të tillë, edhe pse Federata e Mundjes bullgare insistonte ta tërhiqte sportistin shqiptar duke parë tek ai një talent që shumë shpejt mund të merrte një medalje olimpike ose botërore.

Pas pezullimit që mori në vitin 2009, transferimi në Bullgari ishte më shumë se një opsion, ndoshta ishte e vetmja rrugë për shkodranin për të ushtruar profesionin e tij. Në mars të vitit 2010 erdhi edhe kërkesa e parë zyrtare për t’u larguar dhe Elisi e bëri zgjedhjen e tij, duke u bashkuar me ekipin kombëtar të Bullgarisë. Në pak muaj sportisti arriti të merrte edhe pasaportën bullgare, e prej andej ai u bë zyrtarisht pjesë e ekipit kombëtar.

Në pjesëmarrjen e tij të parë në kampionatin kombëtar të Bullgarisë Elis Guri bëri prezantimin spektakolar, duke fituar të gjitha ndeshjet dhe duke ngritur lart kupën si kampion. Tanimë ai është pjesë e ekipit kombëtar dhe ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku për një periudhë tre mujore do të zhvillojë një fazë përgatitore për një tjetër aktivitet të rëndësishëm, Kampionatin Europian që zhvillohet në muajin mars. Synimi kryesor, arritja e një rezultati që vitin e ardhshëm ai të udhëtojë drejt Londrës, për Lojërat Olimpike.

Legjenda e mbiemrit “Guri”

Në familjen Guri ekzistonte një legjendë, ishte pikërisht Legjenda e Gurit. Gjyshi i Elisit, më saktë babai i të madhit Iljaz Guri ka qenë një burrë i fuqishëm i Malësisë. Në rrëzë të shtëpisë së tyre ishte një gur i madh, më saktë një copë shkëmbi që kish rrëshqitur prej shumë vitesh në prag të shtëpisë. Në atë kohë, babai i Iljazit e pat ngritur në krahë atë copë shkëmbi. Fjala mori dhënë dhe atëherë familjes i mbeti nofka Guri. Shumë vite më vonë, në të ritë e tij, kampioni i madh i mundjes shqiptare, Iljaz Guri kish tentuar të njëjtën gjë, por pa ja dalë me sukses. Në pranverën e vitit 2007, Elisi ndoqi traditën e familjes. Ja vuri duart shkëmbit të madh dhe me gjithë forcë e ngriti mbi krye. Legjenda u përsërit dhe që nga ajo kohë, Elisi ka njohur veç suksese në sportin e mundjes.