Për herë të parë këngëtarja e famshme flet për jetën e saj private. Ajo na surprizon sërish. Kësaj here jo me zërin e saj, jo me performancë artistike por se së shpejti do të bëhet nënë. Pret një vajzë që do ta ketë emrin Evita. Edhe pse ka vendosur të mos martohet ajo shijon këtë moment si më të bukurin e jetës së saj bashkë me djalin e ëndrrave, italianin Alessandro. Të gjitha detajet e kësaj dashurie ekzotike

Nga Arjan Konomi

Një artiste e lindur. Një personazh i rrallë në botën e madhe të celebriteteve që me spektrin e ndjeshmërisë artistike do të bënte çdo audiencë ta adhuronte. E talentuar, e zhdërvjellët, me shumë pasione, një intelektuale me një shpirt të lirë aventure. Kanë qenë të forta motivet që e kanë nxitur drejt suksesit e drejt iniciativave që vetëm ajo ka ditur t’i japë shijen e së bukurës, shijen e të vërtetës.
Elsa Lila na rrëfen me një stil gati poetik, duke zhvendosur imagjinatën tonë në kohë dhe në  vende të jashtëzakonshme, mes magjisë së ujit të oqeanit dhe savanave afrikane. Pikërisht atje si në një film romantik aventure me skenar ekzotik, ku elementët e natyrës ndërthuren me ato të shqisave dhe ndjenjave për t’i dhënë jetë jo vetëm një lidhje të bukur dashurie, por për t’i dhënë jetë një krijese të vogël që së shpejti do të lindë.
Nuk e pyesim për këngën, për projekte muzikore apo performanca artistike por për të gjitha detajet e jetës së saj private, për të cilën ajo kurrë më parë kishte folur.
Nën qiellin e Madagaskarit, në ujrat e kthjellta të Oqeanit Indian Elsa Lila i dha jetë një jete të re.
Nuk dëshiron të martohet, as të vishet nuse si shumë moshatare të saj do të donin. Bashkë më Alessandron, djalin italian që së shpejti bëhet baba do të presin ardhjen në jetë të Evitës, apo “Evës së vogël”, që për Elsën simbolizon shumë më tepër sesa çfarëdo emri tjetër. Guximi dhe kurajoja janë ato që e kanë bërë të arrijë suksesin ashtu si tani guxon të pozojë para objektivit të fotografit shtatë muajshe shtatzënë, ashtu si Demi Moore e Monica Belluci ndër të vetmet aktore hollivudiane që patën po të njëjtën kurajo.
Mezi pret që të takohet me të voglën e saj, Evitën, ku fare pak ditë e ndajnë nga ardhja e saj në jetë. Burimi i një muze të tërë, e cila do i japë gjithë energjinë e duhur për të krijuar melodinë e një kënge, e një kënge jete.

Intervista

Si je njohur me Alessandron, tashmë shokun tënd të jetës?
Alessandron e kam njohur gjatë një udhëtimi shumë të veçantë në ishullin e largët të Madagaskarit në Afrikë, vendi ku ai jeton që prej pesë vitesh dhe punon si zhytës profesionist.

Si ndodhi që shkove atje?
Ishte fundi i dhjetorit të 2008-ës dhe unë sapo kisha mbaruar së prezantuari për të dytën herë Festivalin në RTSH. E lodhur dhe e stresuar nga puna e madhe dhe prapaskenat e pakëndshme që më ndodhën atë fundviti pune intensive, vendosa të shkoja diku larg për të kaluar Vitin e Ri dhe për t’u rigjeneruar disi psikologjikisht, shpirtërisht dhe fizikisht. Unë dashuroj detin dhe mendova të shkoja në një vend të nxehtë, prandaj, pasi studiova për të qindën herë hartën e botës dhe gjithë vendet nën ekuator, nuk e di pse, sytë më shkuan te ishulli i madh i Madagaskarit. Pa e menduar gjatë, organizova udhëtimin dhe si zakonisht vetëm (pasi mua më pëlqen shumë të udhëtoj vetëm) u nisa!

Dhe atje kur mbërrite e njohe që ditët e para?
Ditën e parë të pushimit, e dehur nga ngjyrat, aromat dhe panoramat e këtij ishulli magjepsës, kuptova se nuk do largohesha dot aq kollaj nga ai vend. Duke qenë se unë jam zhytëse që prej disa vitesh, u drejtova tek njëra prej qëndrave të zhytjes në ishull për të prenotuar disa “ekskursione” nënujore. Aty…ishte Alessandro! Që nga ai moment, u bëmë gati të pandashëm, si mbi ujë dhe nën ujë (qesh). As unë e as ai, nuk e prisnim këtë shpërthim të menjëhershëm ndjenjash…vendosëm, thjesht të ndiqnim instiktin dhe emocionin duke jetuar çdo çast në maksimum! Ishulli me ngjyrat, aromat, palmat, rërën e bardhë dhe detin kristal ishin dhe janë një peizash perfekt për të filluar dhe jetuar një histori dashurie shumë romantike. Filluan arratisjet tona me varkën e tij modeste nëpër ishuj të vegjël paradiziak të pabanuar, ndërtimi i tendave nëpër plazhe ku ekzistonim vetëm ne dhe ku darkave bënim zjarr dhe piqnim peshqit që kishim kapur në varkë gjatë ditës si dhe shëtitjet nënujore nëpër kopshte koralesh shumëngjyrëshe…një ëndërr e bukur që vazhdon ende dhe asnjë prej të dyve nuk dëshiron të zgjohet nga gjumi!

Si lindi pasioni i zhytjes tek ty?
Sepse jam gjysmë vlonjate, se kam lindur në katër korrik, se prindërit e mi zhvendoseshin çdo vit për pushimet verore në bregdetin e mrekullueshëm të Vlorës… Ata më kanë treguar që më kanë hedhur në ujë që në atë moshë dhe se më pëlqente dhe rrija e qetë. Kur u rrita, vazhdoja të kultivoja një dashuri e pasion të madh për detërat e oqeanet, shihja me kuriozitet të madh dokumentarët nënujore. Vendosa t’i shihja me sytë e mi ato që deri dje i kisha parë vetëm në ekran duke bërë një kurs zhytjeje në vitin 2003, të cilin e bëra në Egjipt, në Detin e Kuq.

Je ndjerë ndonjëherë në rrezik gjatë zhytjeve?
Sigurisht që nën ujë ndodhin shpesh të papritura, herë të këndshme, herë të pakëndshme. Edhe mua më kanë ndodhur të shumta, por njëra në veçanti ishte mbresëlënëse.
Isha 30 metra nën ujë që prej 20 min me Alessandron dhe disa zhytës të tjerë…ndodhesha në oqeanin Indian në ngushticën e Mozambikut. Koha ishte e keqe, uji i turbullt dhe rryma e fortë. Në një moment, rryma më hodhi nuk e di se ku dhe papritur u gjeta totalisht e vetmuar në mes të oqeanit Indian në thellësinë 30 metra dhe pa pajisje për të kryer ringjitjen dhe për të lajmëruar në sipërfaqe vendodhjen time. Ndërkohë që kafshë të mëdha e të vogla nënujore më kalonin fare afër…histori e gjatë zgjidhja e situatës, por pak me fat e pak me gjakftohtësi arrita të ringjitem në sipërfaqe dhe të me gjente varka me Alessandron, i cili po më kërkonte dëshpërimisht dhe ndërkohë që koha kalonte tmerri i tij shtohej duke qenë se mendonte më të keqen duke njohur mirë detin dhe të papriturat e tij. Për fat, çdo gjë shkoi më së miri!

Në Madagaskar, këto dy vitet e fundit ke shkuar shumë herë. Thonë që të zë “Il mal d’Africa”. Në rastin tënd ishte kështu apo ishte “il mal d’amore”?
Patjetër arsyeja kryesore është “il mal d’amore”, por e ndërthurur bukur me dashurinë për Afrikën, një kontinent që mbart mbi lëkurën e tij bukuri mahnitëse natyrore, tradita të hershme tribale e histori të dhimbshme të popujve që e popullojnë. Qiejt e Afrikës me perëndimet marramendëse, xhungla dhe gjithçka ajo fsheh brenda, banorët me thjeshtësinë, virgjinitetin dhe prakticitetin e tyre. Koha që duket sikur atje rrjedh shumë më ngadalë…të gjitha këto të bëjnë padyshim të të vijë “il mal d’Africa”.

Cila ishte ajo çfarë të bëri më shumë përshtypje tek Alessandro në fillim të njohjes?
Përshtypja që kam patur për të në fillim të njohjes tonë është e njëjta me atë që kam tani pas dy vjetësh pasi ai është një njeri shumë i sinqertë dhe transparent…Ai është larguar nga Milano, qyteti i tij i lindjes që prej rreth 17 vitesh për të ndjekur pasionin e zhytjes i cili menjëherë u kthye në profesion. Për këtë arsye ka qëndruar për gjithë këto vite në vende ekzotike si Maldive, Meksikë, Egjipt, Santo Domingo, Kube, Venezuelë e shumë të tjera.
Për këtë arsye është një europian atipik. Jeton në simbiozë me natyrën dhe detin. Përdor shumë pak celularin (sa për të komunikuar me mua), rri më shumë në varkë se sa në makinë, nuk sheh televizor, ecën zbathur, veshjet për të janë dytësore pasi jeton në vend të nxehtë dhe është gjithmonë i veshur si për plazh, kontrollon çdo ditë ciklin e hënës për të parë si do të jetë batica apo zbatica ditën e nesërme për të organizuar zhytjet, ka një raport krejt të veçantë me kafshët në përgjithësi dhe peshkaqenin në veçanti të cilët ai i adhuron. Duket sikur ata e kuptojnë kur i ndeshim shpesh herë nën ujë…afrohen qetësisht dhe largohen po aq qetësisht.. Qyteti dhe jeta kaotike, moderniteti dhe gjithçka ai sjell duket se nuk i përkasin minimalisht. Kur kthehet në Itali për të më takuar (rrallë herë, pasi shkoj unë më shpesh atje) duket tamam si ai peshku jashtë ujit. Atëherë më thotë: hajde kthehemi atje, këtu të shkon jeta dëm! Në të gjitha këto më ngjason shumë mua, dhe karakterit tim prandaj, besoj se në këtë rast “ka gjetur tenxherja kapakun”!

Sa problem është distanca e madhe gjeografike midis jush?
Në të kundërt nga ç’mund të imagjinohet, distanca i ka ndihmuar raportit tonë. Frymëmarrja dhe largimi nga njëri-tjetri herë pas here ka bërë që ndjenja dhe interesi për njëri-tjetrin të mbeten gjithmonë në maksimum. Asnjëherë nuk na mbetet kohë të përfundojmë në rutinën e përditshme dhe mbi të gjitha na merr malli për njëri-tjetrin, gjë shumë e rëndësishme. Sa herë që takohemi është si herën e parë, dhe kemi shumë histori e të reja për të treguar që na kanë ndodhur gjatë kohës së largimit (që asnjëherë nuk e kalon tre javëshin apo muajin).

Shtatzënia ishte e pa parashikuar?
Mendoj se në kohërat moderne në të cilat jetojmë dhe me gjithë informacionin që kemi është e vështirë të mbetesh rastësisht shtatzënë. Si unë dhe ai, ndjenim që kishte ardhur momenti të bëheshim prindër…Janë ato ndjesi që të lindin natyrshëm me kalimin e kohës dhe moshës! Pastaj si ai dhe unë i adhurojmë fëmijët. Ëndërronim të dy të kishim një vajzë pasi të dyve na pëlqejnë shumë…dhe për fat natyra po na dhuron një vajzë!

Kur e kuptuat që ti ishe shtazënë?
Shtatzënia ime filloi në Madagaskar në qershor të 2010-ës. E zbuluam kur unë isha pesë javëshe dhe ndërkohë, duke mos e ditur që isha shtatzënë, vazhdoja të zhytesha çdo ditë (sport i cili është rreptësisht i ndaluar në gjendje shtatzënie), të hidhesha nga shkëmbinj 10 metra të lart mbi ujë, me kishin pickuar mokafui (mushkonja tipike të Madagaskarit që mund të mbartin dhe malarje), të haja nëpër baraket e ishullit ushqime (të cilat unë i pëlqej shumë) të gatuara aty për aty me mjete rrethanore nga banorët e ishullit në kushte jo të mira higjenike etj etj. Kur e zbuluam u kthyem menjëherë në Itali për të bërë vizitat mjeksore e për të parë nëse gjithçka ishte në rregull, duke qenë se unë “nuk isha sjellë dhe aq mirë”!

Aty mësuat që ishte vajzë?
Po. Dhe unë i propozova ta quanim Evita që në spanjisht do të thotë “Eva e vogël”. Eva doja ta quaja në kujtim të nënës sime. Dhe ja ku jam tani, në muajin e tetë e ajo lëviz e shkallmon brenda trupit tim.

Çfarë ndjesie të jep kjo gjendje?
Për sa i përket ndjesisë se të paturit një qenie njerëzore brenda teje, gjakun e gjakut tënd, e cila jeton me ty, ushqehet nga ty, rritet brenda teje, mund të shkruaj një libër më vete. Është eksperienca më e bukur, më emocionuese, më e rëndësishme që një grua mund të përjetojë në jetën e saj. Kam qarë me ditë të tëra nga gëzimi dhe lumturia dhe tani që i ka ardhur fundi, me zor pres ta “takoj” e ta mbaj në krahë e të shoh se ç’fytyrë ka, ç’karakter ka, çfarë zëri ka kur qan, gjithçka!

Ti je një natyre çapkëne dhe e zhdërvjellët. Shtatzënia të ka ndryshuar?
Unë dhe Evita nuk kemi ndalur një çast deri më sot. Kemi fluturuar pa fund sa për punë e sa për të shkuar në Madagaskar. Kemi lëvizur të dyja me motor nëpër qytet dhe vazhdojmë të lëvizim edhe tani…Natyrisht që çdo lëvizje që bëj e bëj me kujdesin më të madh, ndonëse kam vazhduar të jetoj sipas natyrës sime.

Po për martesë keni menduar?
Si unë dhe ai respektojmë në maksimum personat që zgjedhin të martohen, por ne nuk jemi dakord me këtë formë rituali. Personalisht mendoj se nëse midis dy njerëzve ka një ndjenjë të fortë dashurie dhe respekti, nuk është aspak e nevojshme të betohesh para Perëndisë apo ligjit. Besoj se “burokracia” në të dyja rastet, si fetare dhe ligjore, nuk ka të bëjë fare me lidhjen shpirtërore midis dy personave, prandaj ne nuk do të martohemi!

Nëse do të jetoje në Shqipëri mendon se do të ishte e mundur të bëje një fëmijë pa bërë një martesë përpara?
Edhe nëse do të kisha jetuar në Shqipëri do të kisha qëne koherente me mendimet dhe principet e mia dhe do të kisha vepruar në të njëjtën mënyrë.

Po familja, gjyshërit me të cilët ti je shumë e lidhur dhe të afërmit e tu si e pritën?
Babai im i cili do të bëhet gjysh për herë të parë, motra ime e dashur, gjyshërit e mi të dashur që bëhen stërgjyshër, të gjithë të afërmit dhe miqtë e pritën lajmin e ardhjes së Evitës me një emocion e dashuri shumë të madhe. Të gjithë kujdesen gati çdo ditë nëpërmjet telefonit duke u informuar mbi ecurinë dhe shëndetin tonë.

Ke filluar të blesh robat rozë për Evitën?
Nuk më ka rënë radha të blej ende veshje për të, pasi dhuratat e të gjithëve janë kaq të shumta sa e ka pothuajse gati gardërobën për gjashtë muajt e para të jetës. Madje nga Shqipëria, si gjyshja por dhe disa mikesha që janë shumë të zonja të punojnë me shtiza e punëdore, më kanë përgatitur komplete e kuverta shumë të bukura të bëra me dorë, të cilat do t’i ruaj më pas si kujtim.

Alessandro për momentin është në Madagaskar. Është e vështirë ta përballosh këtë periudhë paralindjeje vetëm?
Në fakt unë kam vazhduar të bëj nëntë orët e fluturimit deri atje deri në dhjetor, prandaj nuk shihemi vetëm që prej një muaji. Megjithatë ai është shumë i kujdesshëm të më rrijë afër me telefon dhe internet dhe shumë shpejt do të jete këtu për të kaluar së bashku muajin e fundit të shtatzënisë dhe muajin e parë të jetës së Evitës. Më pas do të ketë një tjetër largim të shkurtër nga ana e tij, dhe më pas, kur Evita të jetë forcuar e rritur pak, rreth tre muajshe, do të udhëtojmë së bashku drejt ishullit magjik ku gjithçka filloi!

Ke frikë se lindja mund të ndryshojë trupin tënd?
Deri tani në muajin e tetë nuk kam pësuar transformime apo deformime. Kam shtuar pak në peshë. Jam pothuaj ajo që kam qenë por me barkun e madh e të rrumbullakët normal të një gruaje shtatzënë. Kam besim se pas lindjes, me pak forcë vullneti do të rikthehem në gjendjen e mëparshme. Edhe nëse nuk rikthehem ajo që isha, për mua nuk përbën aspak problem, pasi nuk i kam dhënë asnjëherë prioritet trupit por të tjera gjërave.

Po përsa i përket këngës mendon se rritja e një fëmije mund të ketë një kosto?
Mendoj se Evita do të më frymëzojë shumë dhe do të më japë forcë dhe energji akoma më pozitive për të bërë projekte të bukura muzikore në të ardhmen e afërt. Ardhjen e saj e ndiej dhe e shoh si shtysë drejt kreativitetit akoma më të madh dhe aspak si pengesë. Besoj se kur të shoh sytë dhe buzëqeshjen e saj, poezitë e tingujt do të lindin vetvetiu duke harruar botën e realitetin e vështirë që na rrethon përditë e na e ngurtëson fantazinë dhe ndjenjën. Prandaj: Forca Evita!

A e ndjek politikën dhe ngjarjet e fundit në Shqipëri?
E ndjek me vëmendje, me ankth dhe shpresë çfarë ndodh dita ditës në vendin tonë! Në Shqipëri ka një përplasje të madhe, që as nuk nis dhe as nuk përfundon si luftë politike dhe thjesht e vetëm si luftë politike. Për mendimin tim është shumë më shumë! Shqipëria nuk e mbylli ciklin e daljes nga komunizmi as në fund të viteve ‘90, as në dekadën e parë të mijëvjeçarit të ri!
Në Shqipëri i është bërë funerali komunizmit, por ai është ende i gjallë e më se prezent në shoqërinë tonë. Është e pamundur të mos gjesh sot një shqiptar që të jetë indiferent ndaj politikës. Sepse politika në Shqipëri, dashur pa dashur të ndryshon jetën! Të bën të pasur brenda një dite, të rrënon biznesin dhe jetën brenda një dite. Të bën të jesh i “mirë”, të damkos si “të keq”. Jeta e çdo shqiptari, ndryshe nga jeta e një qytetari europian, ndryshon me ndryshimin e ngjyrës në qeverisje. Ndaj jemi të gjithë spektatorë dhe aktorë të një loje në të cilën jemi edhe në fushë, edhe në shkallët e stadiumit!

Mendon të përfshihesh politikë?
Unë vendosa të sjell në jetë një fëmijë! Ndodhi sapo dola nga një grevë urie e organizuar nga Opozita për votën e lirë. Hyra si një qytetare europiane, koshiente për një përballje të egër me dhembjen dhe vuajtjen vetjake, duke dashur që vajza ime të vinte në jetë jo në emër të dhembjes dhe të vuajtjes. Nëse kjo gjë dikujt i duket se është përfshirje në politikë, i them se sot klithma për drejtësi, më shumë se kërkesa për bukë, është politika e vetme që i duhet këtij vendi!