Për katër netë me radhë u transmetua Festivali më i njohur në Shqipëri. Festivali kombëtar, që kësaj radhe për në Eurovizion përzgjodhi Juliana Pashën me një këngë sa ritmike aq edhe moderne. Të konceptuarit e spektaklit, sfidat live, prezantuesit si dhe të gjithë elementët që rezultojnë me një para-eurosong. Ngjashmëritë e dy festivaleve

Nga Elona Vrenezi

Përfundoi edhe këtë vit një nga festivalet më të ndjekur të sezonit, ai i radiotelevizionit shqiptar. Është një nga festivalet që edhe me zbehjen që ka pasur këto vitet e fundit konsiderohet si më i ndjekuri dhe vlerësuari jo vetëm nga kritika por edhe audienca e gjerë. Është një traditë interesante që duket se i bashkon shqiptarët në evenimente të tilla për të parë, ndjekur dhe pse jo shijuar muzikën shqiptare. Sepse për të qenë realist muzika e lehtë shqiptare gjithmonë buron nga ky eveniment i muzikës. Festivali kombëtar është destinuar për të qenë i vetmi, ku jo vetëm do të prezantohen muzikantët dhe këngëtarët e rinj por do të ruajë vlerat e muzikës së vërtetë shqiptare. Edhe këtë vit festivali përvijoi traditën e tij me të njëjtin konceptim, katër netët e ndryshme, interpretimet live, bigët e skenës si dhe fituesin për në eurovizion. Sepse edhe qëllimi kryesor duket së është bërë festivali europian. Meqë çdo përgatitje i dedikohej eurosongut, duket se festivali i muzikës së lehtë tashmë ngjan me një skenë të tillë.

Të konceptuarit e festivalit

Edhe këtë vit tradita e prezantimit të këngëve nuk ndryshoi shumë nga ajo e viteve të mëparshme. Po respektohet thuajse i njëjti format. Natën e parë konkurruan bigët, apo siç njihen ndryshe këngëtarët e mëdhenj. Ata që kanë vite në skenën e festivalit dhe që tashmë njihen mirë nga publiku shqiptar. Natën e dytë u prezantuan të rinjtë, ku në fund u shpallën dy fitues të cilët kalonin automatikisht në natën finale. Kështu ata bëheshin pjesë e konkurrimit për në Eurovizion. Ndërsa nata e tretë ishte planifikuar për duetet. Këngëtarët këndonin me njëri tjetrin duke i dhënë më shumë ngjyrë dhe emocion prezantimit. Midis tyre merrnin pjesë të njohur të muzikës, që edhe pse nuk ishin pjesë e konkurrimit pjesëmarrja e tyre ishte po aq dinjitoze. Nata e fundit sigurisht që kishte më tepër elementë spektakolarë. Përveç njëzet këngëve që ishin jo vetëm interpretuese por edhe konkurruese nata e fundit, si një traditë që vijon, pati të ftuarit e saj dhe numrat koreografikë edhe pse dukeshin të sforcuar. Brenda këtij formati, publiku mundi të ndiqte drejtpërsëdrejti festivalin kombëtar. Sigurisht që nuk munguan edhe komentet, që zakonisht bëhen mbi fituesit apo elementë të tjerë të spektaklit.

Live, një sfidë e arrirë

Nëse festivalet në përgjithësi na krijojnë ndjesi të bukura duke na dhuruar emocione kjo nuk vjen vetëm nga muzika. Faktori kryesor ka të bëjë me mënyrën se si kjo muzikë transmetohet. Dhe këtu sigurisht ka të bëjë këngëtari dhe mënyra se si ai interpreton. Të marrësh pjesë në një festival të tillë do të thotë të jesh vërtet në gjendje të përcjellësh vlera dhe art, përmes muzikës dhe të kënduarit që bën. Kështu që testi kryesor që duhet të kalojë këngëtari është të kënduarit live. E pikërisht kjo është edhe pjesa më e bukur por edhe më e vështirë. Këngëtarët, qofshin të rinj apo të mëdhenj, janë mësuar me këtë ide. Dhe për vite me radhe kanë kuptuar që kjo skenë, të paktën për ato netë, është një festival ndryshe. Këtu lind edhe diferenca me festivalët e tjerë. Këngëtarët duhet të mendojnë veçanërisht për interpretimin, atë për të cilën thelbësisht ndodhen aty. Veshjet nuk janë të parat që mendohen. Në fund të fundit publiku kërkon të marrë atë për të cilën paguan; këngën, emocionin.

Para -Euro Song

Jo më kot u përqendrova te të kënduarit live, që përbën edhe një ndër elementët bazë të festivalit. Vitet e fundit konkurrimit në festival i është shtuar edhe një tjetër arsye më madhore. Bëhet fjalë për festivalin europian apo i thënë ndryshe Eurosong. Tashmë këngëtarët e shohin festivalin kombëtar si një trampolinë për të prekur ëndrrën europiane. Vitet e fundit Shqipëria ka pasur një prezantim dinjitoz nga këngëtaret, që edhe pse shumicën e rasteve vinin nga ‘Ethet’ kanë mundur të jenë në finale. Dhe kjo ka qenë një arritje në fakt.

Ndaj jo pa qellim ky festival ka në vetvete pak dozën e konceptit të “Eurosongut”. Shumë këngë janë të shoqëruara me balet, ose nga instrumentistë. Janë videoklipe skenike që i shërbejnë të ardhmes, për të qenë sa më pranë edhe kërkesave moderne. Orkestra lihet disi në hije dhe duket sikur e gjithë vëmendja i është lënë rrethit ku interpreton këngëtari, dhe një sfondi projektues që ndodhet pas figurës së tij. Të gjithë elementët janë të koordinuar në atë mënyrë që këngëtari të ndihet më se i përgatitur për një prezantim europian. Me të drejtë mund të themi që ky konkurrim këngësh ngjan me një “para euro song”.

Interpretime cilësore

Përsa i përket këngëtarëve që morën pjesë mbeten ata të cilët këtë kompeticion e kanë vlerësuar vërtet vitet e fundit. Emrat e mëdhenj nuk është se kanë ndryshuar shumë. Mbeten po ata. Është për t’u vlerësuar pjesëmarrja e Rovena Dilos, Juliana Pashës apo Pirro Çakos, të cilët kanë kontribuar jo vetëm me këngë por edhe kompozime. Përsa i përket të rinjve duhen vlerësuar ata këngëtarë që edhe pse kanë dalë nga kompeticione të tipit “Ethet”, tashmë me të drejtë mund të quhen big të skenës. Kështu nuk mund të lëmë pa përmendur Anjeza Shahinin, kënga e së cilës ishte një pretendente e mirë për Eurovizion. Duke mos harruar Linda Halimin, Flaka Krelanin, apo Kejsi Tolën dhe Bojken Lakon. Ishin të shumtë këngëtarët e vërtetë që morrën pjesë, të cilët përcollën interpretime cilësore për katër netë me radhë.

Prezantuesit simpatikë

Ndryshe nga dy vitet e fundit që ishim mësuar të shihnim divën e muzikës, Elsa Lilën, këtë vit publiku shqiptar pati dyshen simpatike Miriam Cani dhe Alban Skënderaj. Një zgjedhje e tillë ishte e mirë menduar nga regjisorët e festivalit. Sepse pyetja që lind në këto lloj rastesh është pse këta? Sepse një festivali të madh i duhen jo vetëm prezantues të mirëfilltë por mbi të gjitha artistë të cilët duhet të dinë të këndojnë apo kërcejnë. Pra formatit të prezantimit i duhet shtuar edhe elementi spektakolar. Dyshja e lartpërmendur u përpoq ta bënte këtë.

Për herë të parë emri i Miriam Canit është përmendur në spektaklin “Miss Globe International”, ku interpretoi bashkë me grupin e saj “Preluders”. Cani kishte një karrierë të sajën në Gjermani si këngëtare, moderatore dhe producente. Kthehet sërish në Shqipëri për musicalin “Chicago”. Për një kohë të gjatë, historia e saj me këngëtarin Alban Skënderaj u qëndroi larg publikimeve mediatike dhe intervistave. Ndërsa, vitin e kaluar ata deklaruan në media se përveç marrëdhënies së punës, projekteve, muzikës, i lidhte edhe pëlqimi i përbashkët. Prezantuesit, edhe pse e kishin për herë të parë këtë lloj eksperience, sollën një impakt simpatik te publiku gjatë netëve të spektaklit.
Fituesit

Juliana Pasha do të përfaqësojë Shqipërinë në festivalin Europian 2010 që do të zhvillohet në Oslo, të Norvegjisë.
Kënga “Nuk munden pa ty” e shkruar nga Ardit Gjebrea dhe Pirro Çako fitoi çmimin e parë të Festivalit të 48 të Radio Televizionit Shqiptar. Çmimin e dytë e mori Anjeza Shahini me këngën “Në pasqyrë” , ndërsa vendin e tretë e mori Kamela Islami me këngën “Gjëra të thjeshta”, e cila vlerësohet për herë të parë me një çmim.