Enxhi & Stresi: “Urreheshim për t’u dashuruar çmendurisht”

2018-02-26T13:55:40+00:0012 Prill, 2013 8:18|Kategoritë: Intervista, Kuvendim|

Ajo është Enxhi Kamenica e njohur nga BigBrotheri për lojën e saj që bëri për vete publikun me ekzibicionet, origjinalitetin dhe spontanitetin e saj . Ai quhet Arkimed Lushaj por fansat e muzikës hip hop e njohin me emrin Stresi. Dy natyra energjike, dy karaktere antikonformistë që u lidhën nga ndjenja e dashurisë e cila duket se ka zbutur shpirtrat e tyre rebelë. Koha i kishte bërë ta urrenin njeri-tjetrin derisa papritmas do të dashuroheshin deri në marrëzi.

Si lindi kjo ndjenjë? Çfarë ndodhi midis tyre? Pse natyrat e tyre të pavarura dhe egocentrike iu nënshtruan joshjes? Edhe pse lidhja e tyre po bën disa muaj, Enxhi dhe Stresi kanë vendosur të tregojnë për herë të parë gjithë historinë e tyre.

Enxhi:

“Gjeta më së fundi një si veten”

Çfarë opinioni ke patur për Stresin para se ta njihje?

Me familjen e Stresit kam pasur një miqësi disa vjeçare. Madje nëna dhe motra e tij janë miket e mia më të mira. Ndërsa për marrdhënien që kam me babain e tij nuk gjej fjalë të shprehem sepse është njeri unik.

Dhe të hyjmë në zonën e nxehtë, Stresin. Duke qenë se kemi të njëjtën natyrë dhe nuk i hapnim kurrë rrugë njeri tjetrit për hir të së vërtetës urreheshim për vdekje. Respektonim njeri tjetrin vetëm për hir të miqësisë familjare.

Si u afrove me Stresin?

Verën e kaluar përveç të tjerave dashur pa dashur filluam të frekuentonim shoqërinë dhe ambjentet e njëjta. Dhe të them të vërtetën kur ai mungonte nuk kalonte koha aspak.

Fillova të kuptoj se po ndieja mungesën e prezencës së tij. Habitesha me veten sesi mund të filloja të kërkoja pikërisht atë  njeri që deri pak kohë më parë më ishte dukur i padurueshëm.

Problemin e zgjidhëm duke i lënë të kuptojmë njeri tjetrit se kërkonim më shumë kohë për të qenë bashkë. Janë disa gjëra që nuk është nevoja t’i shprehësh me fjalë sepse të tradhëton fytyra, mimika, vështrimi dhe shprehja e syve.

Këtë po kuptoja se po ndodhte mua dhe çfarë më çudiste më shumë është se po të njëjtën ndjesi po shikoja edhe tek Stresi. Ishte bukur kur rrinim orë të tëra dhe kujtonim kohën e humbur kur vetëm ziheshim.

Ishte një tërheqje e menjëhershme?

Më duket shumë e ftohtë fjala ‘tërheqje’. Për ne do të shkonte më shumë pyetja “U çmendët menjëherë pas njeri tjetrit? Dhe unë të jap një ‘po’ të padiskutueshme.

Çfarë të bëri të “çmendeshe”?

Në jetë gjithmonë kam ‘vuajtur’ për të gjetur një njeri si veten. Dhe ajo që më tërhoqi më shumë te Stresi ishte gadishmëria për të më mbështetur në gjithçka pa më gjykuar.

Stresit iu desh të bënte shumë për të të afruar?

Të them të drejtën pa dorashka, Stresi për mua ka bërë gjithçka që një femër do të ëndërronte nga një mashkull. Dhe nuk e prisja prej tij nga çfarë e kisha menduar si tip.

Ai përgjithësisht është natyrë rebele. Me ty u soll më ëmbëlsisht?

Njerëzit njohin Stresin si raper rebel. Ndërsa unë njoh Arkimedin një djalë shumë të ëmbël, kavalier dhe të dashur. Më vjen mirë që e kam pasur unë ekskluzivitetin për të zbuluar këtë pjesë të tij.

Sa kohë lidhja juaj qëndroi në fshehtësi?

Shumë shpejt bëjmë një vit që jemi lidhur bashkë dhe do të organizojmë një super parti. Të afërmit dhe miqtë tani kanë kohë që e dinë për lidhjen tonë. Por kjo është hera e parë që shprehemi të dy bashkë.

Jemi treguar të kujdesshëm vetëm me paparacët. S’e di por na ka pëlqyer të luajmë pak me ta duke mos ju dhënë mundësi të faktojnë lidhjen tonë që kishte filluar të përflitej si thashethem. Këtë ekskluzivitet po e japim në vendin e duhur.

Kur ndodh që të mërzit?

Deri tani nuk ka ndodhur kurrë ta kemi mërzitur njeri tjetrin. Gjithmonë ecim me parimin “Mos i bëj tjetrit atë që nuk do doje të ta bënin ty”, dhe kemi gjetur rehati me këtë parim.

Cila është cilësia që të pëlqen më shumë tek Stresi?

Po të filloj të flas për cilësitë e tij nuk do përfundoja kurrë. Gjithsesi do të veçoja pjesën e të qenit realist dhe i drejtë. E di sa perfekt do ju dukej Stresi po ta shikonit me sytë e mi?

Por ajo çfarë të nervozon më shumë prej tij?

Më nervozon pjesa kur i merren vlerat për dobësi. Por tani që e kam marrë në menaxhim vetë nuk ka për të ndodhur më.

Ti je një natyrë e fortë dhe eksplozive. Po ashtu edhe Stresi. Për çfarë “shpërtheni” më shpesh me njeri tjetrin?

Në fakt grindemi shpesh për telekomandën e televizorit si dhe për rrobat e tij që mua më pëlqen t’ia vesh gjithmonë.

Në çift, për të patur një marrëdhënie të qetë duhet që njeri të tolerojë më shumë. Cili prej jush toleron më shumë?

Absolutisht Stresi.

Sa xheloze je ?

Xheloze? Është e vetmja ndjesi që nuk e kam provuar për asnjë dhe asgjë.

Nëse duhet të ndryshoje diçka tek ai cila do të ishte ajo?

Nuk do ndryshoja asgjë. Madje dhe nëse ai ndryshon ndonjë gjë tek vetja, kjo do ishte një arsye shumë e fortë për tu bërë “nami”.

E kujton eksperiencen e Big Brotherit?

Edhe po të mos doja ta kujtoja unë nuk do më linin në asnjë moment njerëzit pa ma kujtuar.

Ke kontakte me banorët e BB3?

Kam marrëdhënie të mirë me të gjithë, por për shkak të angazhimeve të shumta që kam vetëm rastësia na takon.

Ke kujton me më shumë respekt dhe admirim nga ata?

Nuk po veçoj asnjë sepse nuk dua të krijoj hatërmbetje.

Edhe pse shumë mendojnë për ty se je modele, ti shprehesh se nuk të pëlqen moda. Pse?

Eksperiencat e mia në modë janë shumë të pakta për të marrë titullin e modeles. Fakti që kam drejtuar agjenci dhe revista mode i ka bërë njerëzit të mendojnë se unë jam modele.

Me se po merresh aktualisht?

Jam angazhuar me fushatën elektorale të Partisë Demokratike në Korçë dhe menaxhimin e Stresit.

Kujdesesh më shumë për trupin apo për lookun tënd?

Për trupin kujdesem vetë ndërsa për lookun Stresi.

Çfarë preferon midis stilit elegant dhe atij sportiv?

Sipas ambientit përshtat dhe veshjen. Në shkollë me fustan balloje, në palestër me taka dhe në darkë me atlete (qesh)

A ke zë për tu bërë këngëtare?

Në fakt jam duke punuar seriozisht me producentin më të mirë të momentit, Flor Mumajesin për të thyer rekordin e këngëtares së madhe Vaçe Zela (qesh)

Televizioni të pëlqen?

Varet se në çfarë forme përfshihesh në të, por s’është se e kam me shumë pasion.

Cilat janë planet e tua për më tutje?

Të diplomohem sa më parë për drejtësi, pasi dua të filloj një shkollë tjetër në shtet për arkitekturë.

Na thuaj një dëshirë të parealizuar?

Të gjitha dëshirat e mia janë realizuar pasi Stresi më hapi një ditë sirtarin dhe ma la bosh.

Nëse do të kishe mundësi të nisë në këtë moment për pushime me Stresin, ti ku do ta kishe çuar?

Për të bërë ato pushimet ideale ku nuk të shikon asnjë dhe nuk të shqetëson asgjë do ta çoja në hapësirë.

Nga : Arjan Konomi