Aventuriere, pasionante, simpatike, moderne….. Këmbëngulëse, luftarake, e zgjuar dhe ëndërrimtare. Eridiona Shuli, ndoshta vajza më interesante e BB3 rrëfen eksperiencat e saj të pakrahasueshme jetësore, ku asgjë nuk ka qenë e pamundur

Nga Arjan Konomi

Nga Afrika, vendi ku ndodhet prej pak muajsh rrëfen eksperiencat e saj, që do t’i kishte zili shumë kush. Jo vetëm se ka ndjekur aty kampionatin e futbollit dhe ka provuar nga afër atmosferën festive të botërorit, por ka shkelur edhe vendet më të varfëra të Afrikës, ka ndihmuar njerëzit në nevojë, është hedhur me parashutë, është zhytur në oqean, ka mësuar sërf, ka takuar shumë miq të rinj, ka njohur zakone vendase dhe provuar shijet e gatimeve të tyre. Por nuk mbaron këtu. Tani dëshiron të ngjitet në Everest, të takojë Nelson Mandelën…. Po tjetër?
As vetë nuk e di se ku i mbarojnë ëndërrimet, por me sa duket për Eridionën, vajzën e ëmbël por me karakter të forte të BB3, ato nuk kanë fund.
Projekte të tjera dhe guxim për t’i vënë në jetë nuk i mungojnë, ndërkohë që profesioni që ka zgjedhur, ai i gazetares, bën që botën ta shohë me ngjyrat e veta reale.

Tashmë ndodhesh në Afrikën e Jugut. Çfarë u ke treguar miqve aty për eksperiencën në BB?
Kishte mbetur shumë pak për t’u treguar, pasi të gjithë më kishin ndjekur pothuajse çdo të shtunë dhe e dinin rrjedhën e ngjarjeve. Pyetjet që kam dëgjuar më shpesh prej tyre ishin: “si ishte?”, apo “nuk u mërzite mbyllur atje më shumë se një muaj?” Megjithatë u tregova se është një eksperiencë surreale, në të cilën përfshihesh emocionalisht dhe për sa kohë qëndron vetvetja, mund të thuash, që ishe një pjesë e rëndësishme e asaj shtëpie.

Çdo të thotë për një vajzë në karrierë të marrë pjesë në reality show?
Nuk do ta quaja dot veten një vajzë në karrierë në një kohë që nuk kam akoma një punë stabël, kështu që nuk e di se sa ndryshe do të ndihej vajza në karrierë nga një vajzë e thjeshtë.

Si e konsideron si eksperiencë më shumë se dy muaj pas përfundimit?
Ishte një eksperiencë interesante, që mund të realizohej vetëm një herë.

Surprizat për ty kanë qenë shumë të bukura. Si ndihesh kur i përjeton në ekran?
Më kanë pëlqyer të gjitha surprizat. Do të më kishin pëlqyer akoma më shumë nëse do ta kisha ditur se torta për ditëlindjen time ishte nga motrat dhe lulet nga mami. Arrin një moment kur kamerat brenda në shtëpi nuk të bëjnë më përshtypje, janë pjesë e saj. Kështu që nuk e di se sa ndryshe mund të jetë përjetimi i surprizave në ekran nga përjetimi i tyre jashtë tij.

Ke dëshirë të merresh me televizion?
Do të kisha shumë dëshirë, po nuk e di se sa shumë dëshirë do të kishte televizioni të merrej me mua. Të qëndrosh para kamerave dhe të arrish të mbash publikun të mbërthyer përpara ekranit duhet aftësi dhe eksperiencë.

Mendon se nga BB arrite të bësh ndonjë person mik?

Nga BB arrita të njoh njerëz interesantë dhe në rrethana mjaft të çuditshme -të mbyllur në një shtëpi, gjë që s’do ta kisha bërë dot më parë.

Me cilin nga banorët ke kontakte?
Me banorët që përdorin internetin, e vetmja mënyrë që kam për momentin për të komunikuar me të gjithë.

Je një femër e emancipuar. Çfarë do t’u thoshe vajzave shqiptare në këtë drejtim?
Do t’u thoja diçka që ato tashmë e dinë…thjesht të kenë një synim në jetë dhe të mos heqin kurrë dorë për ta realizuar atë, pavarësisht pengesave.

Do të kishe preferuar një të dashur shqiptar?
Nuk kam një të dashur të huaj, sepse kam diçka kundër shqiptarëve. Përkundrazi! Mendoj që shqiptarët janë mjaft pasionantë dhe shumë të dashur nga vetë natyra. I vetmi ndryshim që i dashuri im ka nga një shqiptar është gjuha që flet, asgjë tjetër.

Të huajt në dashuri janë më të sjellshëm me femrat sesa shqiptarët?
Mund të them që ka të huaj që janë arrogantë me femrat, ashtu siç ka shqiptarë që janë arrogantë me femrat. Nuk ka shume rëndësi se nga vjen.

Si nisi historia me Chopin?
Jam njohur me Chris-in në projektin e autostradës shqiptare para dy vitesh, ku ai punonte si menaxheri i IT-së. Ishte një njohje mëse normale, në barin e kampit ku ishim të gjithë punonjësit pas një dite të lodhshme pune.

Keni folur për martesë?
Është diçka që e kemi lënë për ta diskutuar më vonë, pasi është ende herët për momentin dhe duam të fokusohemi më tepër te puna.

Prindërit e tu do të donin që ti të martoheshe kaq larg vendit tënd?
Nuk besoj se ndonjë prind do të uronte që vajza e tyre të martohej larg vendit- madje dhe prindërit e Doruntinës duhet të kenë qenë të mërzitur. Familja ime është shumë e rëndësishme për mua dhe ne mundohemi të kalojmë sa më shumë kohë bashkë. Është mëse normale që mërziten kur u them se më duhet të iki për disa muaj por gjithmonë i kanë respektuar vendimet e mia dhe më kanë mbështetur.

E konsideron veten një tip aventuriere?
Pak a shumë. Po do të doja që jeta ime të ishte një aventure e re çdo ditë.

Në jetë, cila është gjëja që të shtyn më shumë përpara?
Ideja që çdo ditë e re është një mundësi e re për të provuar emocione të reja dhe për të bërë një ndryshim nga e djeshmja.

Çfarë mendon se i duhet një femre për të arritur suksesin?
I duhen të njëjtat gjëra që i duhen një mashkulli për të arritur suksesin. Përgjegjshmëria, këmbëngulja dhe përkushtimi.

Ti vetë si e sheh suksesin?
Për të gjithë mendoj se është në një farë mënyre realizim i vetvetes.

Ke treguar që je shumë e ëmbël por edhe me karakter të fortë sidomos me djemtë. Ke patur eksperienca që je ndier jo e përfillur nga meshkujt përsa i përket profesionit?

Kam punuar në terren për një kohë të gjatë, ku punonjësit ishin 90% meshkuj dhe mund të them që nuk e kam ndier veten ndonjëherë të papërfillur. Mendoj se komunikimi i shëndoshë është sekreti për të pasur një marrëdhënie të mirë me njerëzit që të rrethojnë.

Aktualisht ku punon?
Aktualisht jam duke ndihmuar Chris-in në një projekt që përfshin mbështetjen e shoqatave të ndryshme të bamirësisë, siç janë ato të mbrojtjes së planetit, vendeve të botës se tretë dhe kafshëve në zhdukje. Nuk do ta quaja punë, pasi nuk kam një shpërblim financiar prej saj, por që më dhuron shumë kënaqësi të merrem me këtë projekt. Tani për tani është një eksperiencë e re.

Si e menaxhon kohën midis punës dhe qëndrimeve të gjata në kontinentin afrikan?
Duke nënshkruar dorëheqje nga puna para largimit për në Afrikën e Jugut dhe duke aplikuar për punë të reja që javën e parë që kthehem në Shqipëri. Po mos i tegoni njeriu (qesh).

Të pëlqen më shumë gazetaria apo marrëdhëniet publike?
Më pëlqejnë të dyja. Unë kam pasur mundësi të punoj vetëm si PR në një agjenci të njohur në Tiranë dhe ka qenë shumë interesante. Por në thelb nuk janë shumë ndryshe.

Cila është aventura më e bukur që ke bërë këto javë që je në Afrikë?
Mundësia për të ndjekur nga afër kampionatin botëror të futbollit ishte e pazëvendësueshme. Ka qenë një atmosferë festive kudo, që në momentin e parë kur zbrita në Johannesburg kishte tifozë të ndryshëm, flamuj nga e gjithë bota dhe ato të uruara vuvuzela. E di që ka shumë njerëz që i pëlqejnë, por më besoni janë të padurueshme, kur dëgjon një stadium të tërë me vuvuzela. Megjithatë ishte një aventurë që ndodh një herë në katër vjet dhe ndihem me fat që kisha mundësi ta ndiqja drejtpërdrejt.

Çfarë dëshirash apo ëndrrash ke për momentin?
Nuk di nga t’ia filloj aq shumë dëshira dhe ëndrra kam. Do të më duhej të bëja një listë shumë të gjatë që t’ua tregoja. Fillojnë që nga ngjitja e Everest-it dhe vazhdojnë me takimin e Nelson Mandelës (kjo bën pjesë tek ëndrrat). Nuk e di se ku mbarojnë. Ju thashë janë shumë lëmsh në kokën time.

Po ndonje peng?
Mundohem të bëj të gjitha gjërat që më pëlqejnë. Është e vetmja mënyrë për të mos pasur asgjë peng.

Cilat janë gjërat që vlerëson më shumë në jetë?
Familja dhe shoqëria. Janë dy gjëra pa të cilat nuk bëj dot, sepse në një farë mënyre janë pjesë e jetës sonë të përditshme.

Po ato që i kushton më shumë kohë?
Do të doja shumë t’i kushtoja më shumë kohë familjes time, sepse janë të mrekullueshëm. Por meqënëse për shkak të largësisë nuk mundem, mundohem t’i kushtoj më tepër kohë hobeve që kam.

Kur mendon të kthehesh?
Do të kthehesha që nesër (qesh). Aq shumë më ka marrë malli për Shqipërinë. Por më parë më duhet të mbaroj disa kurse që nuk mund t’i bëj në Shqipëri. Për dy muaj marr licensën e fluturimit për parashutizëm, mbaroj një kurs surf-i dhe diving (zhytjeje në oqean). Me t’i mbaruar këto do të kthehem në shtëpi tek sportet e vërteta ekstreme – Bjorn dhe Nikol. Nipi dhe mbesa ime …ata dinë si të ma marrin frymën.

Cila është gjëja e parë që do të bëjë kur të vije në Shqipëri?
Do të vulosja pashaportën? Ajo që bëj gjithmonë, të takoj familjen time.