Speciale: Big Brother ndër vite

Personazhet më të famshëm në katër edicionet e këtij reality show vijnë në këtë rubrikë duke na treguar veten e tyre. Çfarë janë duke bërë aktualisht? Ku punojnë?

Çfarë kujtimesh kanë nga eksperienca e tyre televizive dhe çfarë këshillash u japin të rinjve që duan të ndjekin ëndrrën e tyre… por dhe si u shkon dashuria

 

Ermela Mezuraj: “Dashuria?! Jam për të më marrë sysh”

Ermela Mezuraj është vajza vlonjate që fitoi edicionin e fundit të Big Brother duke shënuar kështu edhe femrën e parë në katër edicione të këtij reality që do të ishte banorja më e votuar e shqiptarëve,

vota që i dhanë asaj vendin e fitueses dhe çmimin prej 100 milionë lekësh të vjetra. Ekstroverse, inteligjente dhe e shkathët jo vetëm në veprime por edhe nga “goja”

Ermela do të shprehte gjatë qëndrimit të saj të njëqind ditëve një karakter aspak të luhatur dhe të vendosur që nuk mendoi për asnjë moment seçfarë do mendohej për të. Një personalitet i formuar por njëkohësisht edhe I brishtë përsa i përket emocioneve.

Tashmë ndjek këtë edicion të ri të BB sepse është e lirë edhe më kohën. Po bën një jetë të qetë dhe po “gëzon” profesionin e “shtëpiakes” duke u marrë më me gatime, dhe shumë punë të tjera që një amvisë e mirë do t’i përkushtohej.

E bën me shumë dëshirë sepse ndoshta për herë të parë në jetë ndihet e lumturuar në dashurinë e saj të cilën po e përjeton larg famës, bujës mediatike, lokaleve të natës si nuk kishte ndodhur me të më parë.

“I jam përkushtuar jetws time private me dëshirën më të madhe pasi pas daljes nga BB mora një mësim të mirë. Asnjë lloj pasurie nuk është më e vlefshme se dashuria. Kisha paratë, suksesin, famën, por nuk më hynin në sy sepse ndihesha personi më i vetmuar në tokë”,

– tregon Ermela me pasionin e një njeriu të dashuruar marrëzisht që I ndrisin sytë sa herë i jepet mundësia për të folur për këtë. Kur e pyesim nëse di të gatuajë përgjigjët: “Po. Biles shumë mirë sa çuditem edhe vetë”.

Po çfarë kujtimesh i sjell asaj Big Brotheri tek sheh që ka rifilluar sërish edicioni pasardhës. “Eh! Nuk më duket si kujtim sepse unë ndoshta akoma nuk kam dalë që aty. E kam marrë pak frikë sepse po më pengon në jetën time të përditshme.

Vetwm ata që kanë qenë pjesë e asaj shtëpie e dinë se çdo të thotë të jetosh aty. Jo vetëm unë por dhe disa banorë të tjerë me të cilët jemi bërë si këshilluesit, psikologët e njwri tjetrit kanë një gjendje të rënduar psikologjike.

Unë pak më rëndë se të tjerët sepse kam patur një BB të vështirë. Kur e pyesim çfarë ke bërë me 100 milionët ajo qesh e thotë “Bobo kjo pyetja!  Ato që kanë ngelur i kam mbyllur në bankë”.

Ndërsa për sugjerimin që do t’u bënte banorëve të rinj të shtëpisë më të famshme në Shqipëri Ermela shpreset se  “duhet të jenë të matur mirë për hapin që kanë bërë. Ia vlen të luftosh për 100 milionë, por të mos mendojnë se hynë aty dhe kanë kapur qiellin me dorë.

Realiteti shqiptar është shumë i hidhur. Në sensin që shumica ëndërrojnë të kapin lehtë një vend pune me famën e tyre, apo të kenë një karrierë të sigurt…” “Me këtë mendje hymë dhe ne në këtë format, por gjithçka është ndryshe dhe zhgënjim.

Uroj të kenë forcë karakteri e të përballojnë stresin psikologjik që të lë dalja nga BB. Më e sinqertë se kaq s’kam qenë ndonjëherë në një intervistë”-, shprehet Ermela. Edhe pse fitoi e morri atë që mijëra të rinj e kishin ëndërruar,

edhe pse ishte shumë e kërkuar për intervista dhe e kudoftuar në festa e klube të njohur jo vetëm të kryeqytetit ajo nuk ndihej e qetë nga e gjithë kjo. Nuk po i jepte lumturi fama aq sa dashuria që po shijon këtë moment me djalin të cilin ajo kishte vite që e kishte njohur.

“Jam për të më marrë sysh”,- përfundon duke qeshur kur e pyesim sesi i shkon dashuria.

 

Poli Babi: “BB, një trampolinë e mirë në jetë”

Poli ishte një nga finalistët e edicionit të parë të BB dhe u pëlqye jo vetëm si një djalë tërheqës por edhe shumë i ndjeshëm dhe i sjellshëm. Edhe pse kanë kaluar disa vite ai është shpesh në vëmendjen e mediave dhe të publikut.

“Aktualisht jam menaxher produksioni në agjensinë e reklamava Oz Productions. Është një punë e bukur që e kam shumë pasion dhe e bëj me kënaqësi”. Ai i ka “harruar” dashuritë gjatë përjetimit të reality-s,

por mban ende kujtime të bukura me vete. “Nga momenti që kam hyrë deri në ditën e fundit që kam dale ka qenë i gjithë një moment i bukur dhe i paharrueshëm”. “Nuk është se ka ndryshuar ndonjë gjë e madhe qysh atëhere në jetën time,

tregon Poli kur e pyesim sesa ka ndryshuar jeta e tij pas kësaj eksperience krejt të veçantë që shumë të rinj e ëndërrojnë. “Pak përveç vëmendjes së njerëzve që të njohin dhe të hedhin ndonjë shikim rrugës”.

“Është deri diku dhe një trampoline e mirë për të arritur rezultat në një aspekt profesional që ti kërkon, por dhe në këtë rast je ti ai që duhet ta fitosh me përkushtim dhe punë sepse fakti që ke qenë në Big Brother nuk mjafton.

Mbetet më tepër në kuadrin e një prezantimi të mirë apo të kushtimit të vëmendjes më shumë sesa të paraqitesh në rrethana të tjera”. Por cila do të ishte këshilla që Poli i jep një banori të ri të kësaj eksperiencë?

“Ta përjetojë pozitivisht këtë eksperiencë dhe të mundohet të kënaqet pa fund, sepse të vjen vetëm një herë në jetë si mundësi”, thotë ai.

Nuk i pëlqen shumë të flasë për dahurinë edhe pse shpesh është përmendur në faqet e shtypit rozë për dashuri të supozuara për faktin se është parë shpesh në shoqërinë e vajzave simpatike. Nuk ka një raport stabël dhe kur e pyesin se si shkon dashuria ai përgjigjet më humor:

“Mirë. Dashuroj përditë”.

 

Najada Konomi: “Kam njerëz që i dua dhe më duan”

Kush nuk e mban mend Najadën apo Noçen si i thërrisnin shkurt në Big Brother! Ajo në njëfarë mënyre është heroina e edicionit të parë. E para femër që theu tabutë e ekranit dhe me çiltërsinë e saj, thjeshtësinë e buzëqeshjen që nuk i hoqi kurrë nga buza,

bëri për vete mijëra shqiptarë, që vazhdojnë ta kujtojnë ende sot si vajzën nga Fieri që theu “rregullat” e një morali absurd. Dashuria e saj me Olsin, e lindur brenda mureve të shtëpisë zgjati për disa vjet edhe pse pati shkëputjet

dhe vështirësitë e saj por dukej sikur ata ishin bërë për njëri tjetrin. Përshtateshin dhe si karaktere por edhe si tipologji. Megjithatë rreth një viti më parë ata u ndanë duke ruajtur respektin dhe fjalën e mirë për ish partnerin.

“Olsi është njeri dhe djalë shumë I mirë”,- thotë Najada edhe sot kur e pyesim. Ndërsa kur vjen fjala për eksperiencën e saj në reality ajo më buzën në gaz thotë: “Kam shumë kujtime të bukura nga BB dhe është e vështirë t’i veçoj.

Provat e javës, zënkat, ngacmimet, etj. Di të them vetëm një gjë; sa herë i rikthehem vidiove për t’i parë ose momenteve të mia më të bukura, shikoj se unë kam qenë gjithmonë e qeshur. E kam shijuar qëndrimin në shtëpi

dhe kjo është një gjë pozitive”. Për një vajzë të realizuar në jetë dhe me ide të qarta nuk është rasti që Big Brotheri mund të ndryshojë shumë gjëra përveç famës dhe njohjes. “Jeta ime më pas nuk është se ka ndryshuar shumë.

Vazhdoj të jem po ajo, Najada që isha edhe para se të hyja në shtëpi. “Aktualisht punoj në Bashkinë e Fierit, në sektorin e kulturës. Gjithashtu vazhdoj Universitetin e dytë në degën e Psikologjisë.

E kisha shumë pasion dhe duke qenë se kam kohë mendova që pse mos të kryeja studimet edhe në këtë fushë që më duket shumë interesante. Edhe pikturën për të cilën ajo ka studiuar në Akademinë e Arteve nuk e ka harruar por e ushtron më tepër sesa një profesion si një hobi.

“Sigurisht kohën e lirë e zë piktura”,- tregon ajo. Kur e pyes për ndonjë sugjerim për banorët e rinj ajo shprehet “sugjerime kam shumë…por shumë ama, (qesh). Nuk do doja t’i thosha të gjitha por vetëm një që është: të kenë besim në vete, të jenë ata dhe të mos ndikohen nga askush,

sepse kjo mund të ndikojë tek ata edhe pas daljes nga shtëpia”. Për afro një vit ka patur një lidhje dashurie me një djalë por që ka vetëm pak kohë që ka përfunduar. E kur e pyes sesi shkon dashuria për të ajo përgjigjet me humor, zakon që tashmë e dimë të gjithë:

“Dashuria shkon shumë mirë. Kam njerëz që i dua dhe më duan”,- përfundon duke qeshur.

 

Jetmir Salaj

Kam patur zhgënjime nga aktivizimi im në politikë

Ai diti të bëjë për vete shumicën e shqiptarëve të cilët e votuan masivisht dhe i dhanë fitoren e edicionit të dytë të Big Brotherit. Inteligjent, antikonformist dhe i “papërtuar” nga goja mban rekordin e numrit më të lartë të nominimeve gjatë gjithë histories së shkurtër të këtij reality show.

Djali vlonjat që preku shumën e100 milionëve diti të manovrojë dhe të reagojë me zgjuarsi mes situatave të ndryshme të krijuara gjatë jetesës në shtëpinë e “Vëllait të Madh” duke “Luftuar” pa asnjë përjashtim goditjeje me banorët e tjerë dhe duke bërë për vete publikun.

Thotë se nuk i ka shpenzuar paratë që fitoi por i ka investuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Në një biznes importi nga Kina. Në dallim nga banorët e tjerë u tërhoq shumë nga jeta publike duke shkuar të jetonte në Vlorë bashkë me të dashurën që gjeti në BB3,

vajzën nga Kosova, Rrezartën. Nuk bëri thuajse fare intervista dhe shërbime fotografish nga një tip ekzibicionist që dukej nga ekrani, sepse shumë shpejt ai u kthye në një tip krejt të kundërt. “Aq famë mjaftonte, thotëai kur e pyesim mbi këtë zgjedhje.

Nëse nuk bën diçka konkrete që t’ia vlejë është e kotë të dalësh nëpër gazeta rozë duke treguar se ku ishe apo çfarë bëre”. Siç e kishte shprehur edhe në BB3 i interesonte politika. “U aktivizova me grupin e Të rinjve Patriotë”,-

tregon ai, dhe me ta organizuam shumë mitingje në Tiranë dhe në qytete të tjera të Shqipërisë, duke dashur të zgjojmë te të rinjtë ndjenjën e atdhedashurisë. Jo se atyre u mungon por për faktin se duhet të bëhen më tepër aktivë në jetën politike të vendit,

sidomos kur bëhet fjalë për gjëra më madhore si ishte edhe iniciativa për mbledhjen e firmave në ndihmë të çështjes çame. Unë e besoj se e kam treguar edhe në Big Brother që jam shumë patriot dhe çështjet kombëtare i kam për zemër.

Nuk e di sesa është kuptuar kjo”. Politika është në zemër të tij duke qenë se ka studiuar Shkenca Politike në Universitetin e Romës. U aktivizua shumë me Partinë Drejtësi dhe Integrim, e cila mbron të drejtat e popullsisë çame dhe ishte një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të drejtuesit të saj Shpëtim Idrizit.

Por pas një periudhe tepër active, Jetmiri u shkëput dhe asnjëherë nuk u prononcua publikisht për arsyet e largimit. “Nuk është ajo që doja unë ose më saktë ajo që prisja unë nga politika,- tregon ai.

Unë kam një vizion tjetër dhe e ndjeva se nuk përshtatesha shumë. Unë e mendoj politikën me strategji më madhore dhe insistoj në mendimin se të rinjtë janë ata që mund t’i japin jo vetëm një shtysë të re mënyrës së të bërit politikë por sepse kanë energji dhe botëkuptim tjetër më modern,

e natyrisht më të efektshëm në politikë”. Është ndarë nga Rrezarta, vajza nga Prishtina me të cilën bashkëjetoi për mesë një vit e gjysmë në Vlorë dhe në Tiranë. “Nuk është se kishim ndonjë kontradiktë,- thotë ai, përkundrazi shkonim shumë mirë,

por jetët tona ishin shumë të ndryshme sepse asaj i duhej të shkonte në Shba për një master, unë që jetoja në Vlorë dhe rrethanat gjeografike dhe perspektivat tona të jetës na bënë që të merrnim bashkarisht këtë vendim.

Kështu i dhashë mundësi Rrezartës që të vazhdojë studimet që janë të rëndësishme për të ardhmen e saj. Jemi në marrëdhënie të mira miqësore dhe respekti dhe e kujtoj periudhën e kaluar më të si një nga periudhat më të këndshme të jetës sime”,- përfundon Jetmiri.

Aktualisht Jetmiri jeton në Vlorë dhe është në pritje të një punësimi në Tiranë që mund të ndodhë shumë shpejt, por që rezervohet të tregojë se ku, për të na e lënë surprise.

Qetsor Ferunaj: “Më pëlqen të flas për politikë por jo të merrem me të”

Karizma e Qetsorit është e fortë ende sot e kësaj ditë edhe pse nga ai BB ku morri pjesë kanë kaluar tashmë afro tre vjet. Familjar shembullor, por edhe një tip djaloshar,

me karakter dhe zgjuarsi diti të manovrojë ashtu si duhet duke bërë edhe “lepurin edhe luanin” siç është shprehur vetë ai derisa doli fitues në edicionin e dytë të këtij reality.

“Merrem me biznesin e skrapit  që e kam nisur pak kohë më pare dhe mendoj se do të funksiojë”,- thotë Qetsori kur e pyesim se me çfarë po merret momentalisht. Hoteli është një punë e bukur por edhe stresuese.

E keqja e hotelit tim është se dukë qenë në Orikum afër detit periudha e dimrit është pothuajse zero përsa i përket punës dhe hoteli kërkon mirëmbajtje dhe riparime gjatë kohës së dimrit. Ndaj dhe nuk është një biznes shumë fitimprurës”.

Vazhdon të frekuentojë vitin e tretë për Shkenca Politike në një universitet privat të Vlorës dhe duket se kjo i pëlqen shumë.

“Ndonjëherë bëhem i lodhshëm për njerëzit se  kam qejf që të flas për politikë dhe  për probleme të tjera e shpesh miqtë e mi ma kthejnë më shaka duke më thënë “Sori pusho se nuk je në BB këtu”.

Djali dhe vajza po i rriten dhe tashmë ndihet edhe më i lirë sesa kur ishin më të vegjël. “Merrem shumë me peshkim dhe zhytje. Është pasioni im dhe jo vetëm për gjuetinë e peshkut por edhe për të kërkuar në det sende e objekte antike e të vjetra që ndodhen në fundin e detit”.

Kur e pyet se çfarë kujtimesh ka nga jetesa në BB ai qesh dhe thotë: “Gjithçka që kam kaluar aty. Fati deshi që unë të fitoja se nuk e di çfarë përshtypje do të kisha sot për atë periudhë nëse do të kisha shkuar deri në finale dhe nuk do të kisha fituar.

Po ashtu mbaj marrëdhënie të mira me të gjithë dhe shumë prej tyre i takoj me kënaqësi sa herë më jepet rasti”.

Kur e pyesim Qetsorin pse nuk arriti të fitonte te Vip Shpija në Kosovë, një reality show i realizuar me personazhe të njohur të botës së spektaklit ai qesh e shprehet “se ia bënë me hile atje”.

Për banorët e tanishëm nuk është se ka ndonjë këshillë të veçantë. “Mjafton të kenë parë BB2, ku kam qenë unë dhe të bëjnë si bëra unë”,- përfundon Qetsori pa hequr dorë asnjëherë nga sensi i humorit të tij.

 

Nga: Arjan Konomi