Nga Dr. Bledar Kurti

Një  nga shprehjet më  të  njohura por dhe më  të keqpërdorura nga politika, qeveritë  dhe opozitat në  vende të  ndryshme të  botës është “Është ekonomia, o budalla.” Ajo ka shërbyer prej vitesh si një thirrje ndaj qytetarëve që të japin votën e tyre pro apo kundër një qeverie duke bërë vlerësimin e tyre personal se vetëm ekonomia është ajo që ka rëndësi. Nëse ekonomia është e mirë atëherë ata duhet të votojnë sërish qeverinë që kanë, nëse ekonomia nuk është e mirë atëherë ata duhet ta largojnë atë.

“Është ekomonia, o budalla,” ishte slogani i krijuar nga JamesCarville, menaxheri i fushatës së BillKlinton në vitin 1992, për të bindur publikun të ndryshojë udhëheqjen presidenciale në mes të një recesioni. Funksionoi. Clinton u zgjodh President i SHBA.

Por, edhe pse në dukje ekonomia duket si faktori kryesor në jetën e qytetarit dhe vendit, në fakt është më e komplikuar sesa kaq, pasi është fjala dhe koncepti më abuzues si për atë që është në pushtet ashtu edhe për atë që kërkon të vijë në pushtet. Dhe mbi të gjitha, është një grackë për qytetarin i cili së pari këtë fjalë nuk e kupton, dhe së dyti, përpihet e humbet në morinë e shifrave dhe të dhënave si Produkti i Brendshëm Bruto (PBB), rritja e PBB, PBB për frymë, Borxhi i Jashtëm, etj,  të cilat edhe vetë ekonomistët e kanë të vështirë t’i kuptojnë. Ndaj edhe fjala ekonomi është më e preferuara e politikës, pasi ajo mund të përdoret sipas interesit të palëve.

Po qytetari? Si mund t’ia thjeshtojmë këtë fjalë dhe ta bëjnë të vetëdijshëm për ta vlerësuar realisht atë?

Fare thjeshtë. Këtë do e shpjegoj më poshtë.

Si fillim le të udhëtojmë në labirintin e fjalës ekonomi dhe tymnajës që kjo fjalë, tashmë e pranuar si shkencë, ka shkaktuar në dekadat e fundit.

Në fillim të shekullit të 20-të fjala ekonomi nuk njihej aspak. Të pyesje kreun e një shteti se si po ecte ekonomia do kishte rrudhur vetullat me çudi pasi nuk do e kishte kuptuar se për çfarë po e pyesje. Kur njerëzit e viteve 1900 flisnin për “ekonominë,” zakonisht ata donin të thonin “shoqëria.” Por vitet 1950-të sollën një brez të ri teknokratësh të cilët shpikën një synim tërësisht të ri: idealizimin e fjalës “ekonomi” dhe ta bënin “ekonominë” që “të rritet.” Rritja tingëllonte bukur. Rritja ishte e mirë. Rritja i shërbente politikës.Edhe politikanët, pavarësisht dallimeve, gjithmonë pajtohen që PBB-ja duhet të rritet. Rritja është gjë e mirë. Është e mirë për punësimin, është e mirë për fuqinë blerëse, dhe është e mirë për qeverinë, sepse ka më shumë për të shpenzuar.

Në fillim të shekullit të njëzetë, qeveria e Shteteve të Bashkuara, djepi i PBB-së, punësoi vetëm një ekonomist; më saktë, një “ornitologjist ekonomik,” puna e së cilit ishte të studionte zogjtë. Në më pak se dyzetë vite më vonë, Byroja Kombëtare Amerikane e Studimit Ekonomik punësoi 5,000 ekonomistë, siç njihen sot me këtë emër. Këtu u përfshinë edhe SimonKuznets dhe MiltonFridman, dy mendimtarët më të rëndësishëm të atij shekulli. Këtu nisi periudha kur në mbarë botën, ekonomistët nisën të luajnë një rol dominues në politikë e madje ta diktojnë politikën duke ndjekur një lloj të ri dhe shkencor të ekonomisë të përqendruar në modele, ekuacione, dhe numra. Shumë e shumë numra.

Përpara shpikjes së PBB-së, shtypi rrallë i citonte ekonomistët. Por gjatë viteve pas Luftës së Dytë Botërore ata u bënë të përhershëm në gazeta. Ata u bënë yjet e medias e për më tepër ata diktonin politikat e shteteve. Ata kishin përvetësuar një rrengë që askush tjetën nuk mund ta bënte: të menaxhonin të tashmen dhe të parashikonin të ardhmen. Me kalimin e kohës, gjithnjë e më shumë, ekonomia u konsiderua si një makineri me leva të cilat i tërhiqnin politikanët për të promovuar “rritjen.”

Rritja e PBB-së sot merret e garantuar si një e mirë e përbashkët. Ajo sjell begatinë e një vendi. Pak e dinë që PBB-ja lindi nga Depresioni i Madh dhe nga kohë lufte.

Në vitin 1932, Kongresi Amerikan punësoi një profesor të ri të shkëlqyer me emrin SimonKuznets për t’iu përgjigjur pyetjes së thjeshtë: sa gjëra mund të prodhojmë ne?

Përgjatë disa viteve të ardhshme, Kuznets hodhi themelet e asaj që më vonë do njihej si PBB. Përllogaritjet e tij fillestare shkaktuan një ngazëllim të furishëm dhe raporti që i paraqiti Kongresit u bë bestseller në mbarë vendin. Shumë shpejt, nuk mund të ndizje dot radion pa dëgjuar “të ardhurat kombëtare” kështu e “ekonomia” ashtu.

Dhe ja PBB-ja, shërbeu si një vizore fantastike për pushtetin e një kombi në kohë lufte. Me PBB-në lindi një ide.Dhe nuk ka asnjë dyshim, ashtu siç e shpjegon edhe RutgerBregman,  që është një ide madhështore shumë e dobishme gjatë luftës, kur armiku ishte tek porta dhe vetë ekzistenca e një shteti varej nga prodhimi i sa më shumë tankeve, aeroplanëve, bombave, dhe granatave. Në të vërtetë, gjatë kohës së luftës, nuk ka vizore më të dobishme se sa PBB-ja.

Sot pranohet se ekonomia e një kombi matet zakonisht nga Produkti i saj i Brendshëm Bruto i cili mat vlerën e prodhimit të të gjitha mallrave dhe shërbimeve të prodhuara brenda vendit brenda një viti.

PBB matet duke marrë sasitë e të gjitha mallrave dhe shërbimeve përfundimtare të prodhuara dhe shitur në treg, duke i shumëzuar ato me çmimet e tyre aktuale dhe duke shtuar numrin e përgjithshëm.

Por a është PBB-ja matës real i ekonomisë së qytetarit? Jo. Sepse disa fakte turbulluese e shqetësojnë qytetarin e thjeshtë.

E lindur gjatë një kohe lufte PBB-ja ka mangësi në kohë paqe. “PPB-ja … mat gjithçka … me përjashtim të asaj gjëje për të cilën ia vlen të jetosh,” tha Robert F. Kenedi. Ajo nuk arrin dot të masë faktorë të tjerë kryesorë në jetën e qytetarëve dhe vendit.Ajo nuk arrin të masë shpërndarjen reale të të ardhurave në të gjithë shoqërinë dhe nivelin e pabarazisë. Përqindja e PBB-së së një vendi ku një grusht njerëzish zotërojnë një pasuri sa një e katërta e totalit të pasurisë së gjithë vendit, ndërkohë që e gjithë popullata mbetet në nivelin e mbijetesës, nuk është tregues real i ekonomisë së qytetarit. Ndaj edhe disa shtete me PBB-në më të lartë në botë kanë nënshtetas që vuajnë për bukën e gojës. Për shembull në Indi, njëzet e pesë njerëzit më të pasur në Indi kanë një pasuri e cila është e barabartë me një të dhjetën e të gjithë prodhimit ekonomik të Indisë.

Po në Shqipëri? Ne jemi në vendin e 125 në renditjen sipas PBB-së me 13 miliardë dollarë, me një rritje prej 3.8%, duke ja kaluar edhe Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi. Por, të dyja këto vende kanë standarde më të larta jetese, klimë më të mirë biznesi, dhe zhvillim ekonomik më të qëndrueshëm. Një grusht njerëzish në Shqipëri zotërojnë një pasuri të madhe, duke kontribuar kështu në matjen e PBB-së së vendit, ndërkohë pabarazia sociale është e dukshme, dhe pjesa më e madhe e shqiptarëve kanë paga, të ardhura dhe standard jetese të ulët.

Pra, duke iu rikthyer ekonomisë, se si një qytetar i thjeshtë mund ta masë realisht ekonominë e tij, kjo bëhet fare thjesht: duke matur ekonominë në shtëpinë e tij. Duke matur standardin e jetesës. A jeton denjësisht apo jo? A i përmbush nevojat e tij apo jo? A është më mirë sot sesa dje. A jetoi më mirë këtë vit sesa vitin e kaluar? Kaq thjeshtë çdo qytetar mund të dallojë nëse ekonomia e tij është në rritje apo në zbritje. Dhe vetëm kështu mund të japë vlerësimin real mbi qeverinë e tij e cila, siç e thamë më lart, e siç ka ndodhur e do ndodhë gjithmonë në botë do propagandojë rritje ekonomike, rritje të PBB-së, etj, duke publikuar shifra, shifra, dhe vetëm shifra, të cilat për qytetarin e thjeshtë nuk kanë asnjë kuptim.

“Ka tre lloje gënjeshtrash: gënjeshtra, gënjeshtra të neveritshme, dhe statistika,” tha me tallje një herë e një kohë Kyeministri britanik Benjamin Disraeli. Ndaj për të mos rënë pre e gënjeshtrave, statistikave apo keqpërdorimit me fjalën ekonomi, çdo qytetar duhet ta kuptojë realitetin në të cilin jeton vetëm duke matur ekonominë e shtëpisë së tij, standardin e jetës së tij dhe duke prekur sesa para ka në xhep apo në portofol.

Për këtë arsye çdo qeveri apo opozitë nëse vërtet ka si qëllim rritjen reale të ekonomisë, matësi më real është standardi i jetës së qytetarit. Rritja e standardit të jetesës së qytetarit duhet të jetë qëllimi i çdo qeverie.

Dhe për ta realizuar këtë institucionet duhet të jenë të përgjegjshme dhe t’u jepet rëndësia e duhur. Institucionet janë “rregulla e lojës” që krijojnë stimuj për njerëzit dhe bizneset. “Rregullat e lojës” ndihmojnë në përcaktimin e stimulimit ekonomik për të prodhuar. Për këtë arsye, shumë ekonomistë sugjerojnë që institucione të tilla si të drejtat e pronës, tregjet e lira dhe të hapura, dhe sundimi i ligjit ofrojnë stimujt dhe mundësitë më të mira për individët për të prodhuar mallra dhe shërbime.

Katër janë hapat më të rëndësishme për ta arritur këtë:

E drejta e pronës: Pasi e drejta e pronës i mundëson njerëzit të prodhojnë, të blejnë, dhe të shesin mallra dhe shërbime, si edhe të përfitojnë nga sipërmarrjet. Këtu hyn edhe e drejta për ta shitur pronën. Pa të drejta të sigurta të pronës aktiviteti ekonomik nuk është i sigurt dhe i qëndrueshëm. Shqipëria vazhdon të ketë probleme madhore me të drejtën e pronësisë ndaj edhe zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik ka munguar gjithnjë.

Tregu i lirë dhe i hapur: Kjo do të thotë që individi dhe biznesi të blejë dhe të shesë mallra dhe shërbime me ndërhyrjen më minimale nga shteti. Ky është një raport i balancuar. Teksa qeveria siguron mbrojtje për nënshtetasit e vet përmes rregullave, rregullat e tepruara e bëjnë aktivitetin ekonomik pa përfitime dhe aspak tërheqës. Renditja e Shqipërisë si vendi i fundit në rajon për klimën e biznesit është tregues mbi mangësitë e mëdha që shteti ka treguar ndaj biznesit nuk e shtrënguar atë e jo duke e mbështetur.

Sundimi i ligjit: Kjo do të thotë qëështë ligji dhe jo pushtetarët ai që sundon në një vend. Dhe njerëzit duhet të ndjekin ligjin dhe jo qeveritarët. Sundimi i ligjit siguron stabilitet dhe siguri për ekonominë. Kjo siguri i shtyn njerëzit të investojnë në vendin e tyre dhe gjithashtu thith edhe investitorë të huaj. Shqipëria ka probleme madhore me sundimin e ligjit, ndaj edhe investimet në Shqipëri janë më të ulëta në kontinent.

Korrupsioni: Korrupsioni është armiku më i madh i zhvillimit ekonomik. Sa më e lartë shkalla e korrupsionit në një vend aq më e rënduar është ekonomia, aq më pak e sigurt bëhet klima e biznesit, aq më të pakta investimet e huaja. Korrupsioni prek edhe sistemin bankar dhe ndikon në mënyrë të drejtpërdrejt në standardin e jetesë së qytetarit.

“Thelbi i varfërisë është se asgjëson të ardhmen,”tha GeorgeOrwell. E ardhmja ka qenë gjithnjë një makth për shqiptarët. Kjo për shkak të varfërisë së vazhdueshme. Ndaj ekonomia shqiptare, me të gjitha kuptimet e saj, reale apo të tjetërsuara, duhet të jetë një mision dhe qëllim i çdo qeverie apo politike për t’i ringjallur shpresën njerëzve të thjeshtë. Dhe kjo arrihet vetëm përmes rritjes së standardit të jetesës, sigurisë ekonomike, dhe shtim tëtë ardhurave. Këto janë matësit real dhe jo thjesht statistikor të ekonomisë së çdo familje shqiptare.