Në raportin e sapopublikuar “Pasqyra Ekonomike Rajonale për Europën”, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) thekson se aktiviteti ekonomik në Evropë është ngadalësuar si rrjedhojë e dobësisë në tregti dhe prodhim. Për shumicën e rajonit, ngadalësimi ka ardhur si rrjedhojë e faktorëve të jashtëm. Megjithatë, janë shfaqur dhe sinjale të brendshme,  veçanërisht në investime. Shërbimet dhe konsumi i brendshëm deri më tani kanë qenë në rritje, por aftësia e tyre është e lidhur ngushtë me kushtet e tregut të punës, të cilat, megjithë lehtësimin, mbeten të ashpra. Politika fiskale ekspansioniste në shumë vende dhe politika lehtësuese financiare kanë mbështetur gjithashtu kërkesën e brendshme.

FMN parashikon që rritja e Europës të ngadalësohet nga 2.3% në 2018-n, në 1.4% në 2019-n. Një rimëkëmbje modeste është parashikuar për vitin 2020, me rritjen që do të përshpejtohet në 1.8 përqind, pasi tregtia globale pritet të zgjerohet dhe disa ekonomi do të shërohen nga streset e kaluara. Ky projektim, gjerësisht i pandryshuar nga Prospekti Ekonomik Botëror i Prillit 2019, shfaq dallime të rëndësishme midis Evropës së zhvilluar dhe asaj në zhvillim. Rritja në Evropën e përparuar është rishikuar me 0,1 pikë përqindje ulje në 1.3 përqind në 2019, ndërsa rritja në Evropën në zhvillim është rishikuar me 0.5 pikë përqindje rritje, në 1.8 përqind.

Për Shqipërinë, Fondi ka mbajtur parashikimet e publikuara në “Pasqyrën Ekonomike Globale” të tetorit, publikuar pak javë më parë. Për 2019-n, performanca ekonomike është rishikuar në ulje, nga 3.7% në 3%. Për vitet në vijim ka një përmirësim të lehtë të pritshmërive, me rritjen që pritet të jetë 4% për periudhën 2020-2021 (0.1 pikë pqrqindje më shumë në raport me parashikimin e prillit).

FMN ka publikuar në raportin rajonal të Europës dhe një grafik për ekspozimin që do të ketë Europa në rast të një daljeje pa marrëveshje të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian. Shqipëria renditet ndër të fundit nga vendet në zhvillim për nga ekspozimi i tregtisë më Britaninë e Madhe, me një efekt që është më i ulët se 1% e prodhimit të brendshëm bruto (PBB). Nga rajoni, ekspozimin më të lartë e ka Seria dhe më të ulëtin Mali i Zi.

Mes pasigurive të larta, rreziqet janë shtuar, thotë raporti, me një Brexit pa marrëveshje Brexit që përbën rrezikun kryesor në afatin e afërt, i cili mund të ketë një ndikim të konsiderueshëm negativ në ekonomitë në rajon. Një intensifikim i tensioneve tregtare dhe pasigurisë së lidhur me të mund të dobësojnë investimet. Më gjerësisht, dobësia në tregti dhe prodhim mund të përhapet në sektorë të tjerë – veçanërisht shërbime – më shpejt dhe në një masë më të madhe sesa parashikohet aktualisht. Rreziqe të tjera burojnë nga rënia e menjëhershme e oreksit të rrezikut, dobësitë financiare, rishfaqja e presioneve deflacioniste në ekonomitë e përparuara dhe gjeopolitika.

Presionet e ulëta inflacioniste dhe ngadalësimi i aktivitetit ekonomik në shumë vende të Evropës kërkojnë që politika monetare të mbetet akomoduese. Pagat janë rritur më shumë se fitimet e produktiviteti, veçanërisht në vendet më të reja anëtare të Bashkimit Evropian, por, pagat e larta ka të ngjarë të kenë një ndikim më të ulët në inflacionin sesa në të kaluarën. Historikisht, rritja e pagave ka qenë një përcaktues i rëndësishëm i zhvillimeve të çmimeve në Evropë. Sidoqoftë, analiza sugjeron që transferimi nga paga në çmime është më i dobët kur inflacioni dhe pritjet e inflacionit janë të ulëta, fitimet e korporatave janë të larta, dhe firmat janë të ekspozuara ndaj një konkurrencë më të madhe – të gjitha këto janë karakteristika të mjedisit aktual ekonomik në pjesën më të madhe të Evropës. Në të njëjtën kohë, një periudhë e gjatë e politikës monetare lehtësuese kërkon monitorim më të madh të dobësive të sektorit financiar – siç janë rritja e çmimeve të shtëpive – dhe përdorimi aktiv i masave makroprudenciale sipas nevojës.

 

/MONITOR.AL