Nga shqetësimi i madh tek mundësia e madhe. Situata e jashtëzakonshme e shkaktuar prej koronavirusit në nivel botëror, po përshpejton, pak a shumë në mënyrë të pavetëdijshme – procesin që do të na drejtojë në punën e së ardhmes.

Pjesa më e madhe e njerëzve në Kinë ndodhen në një lloj karantine pak a shumë të detyruar; nga qendrat shëndetësore amerikane pohojnë se izolimi mund të përfshijë edhe disa qytete të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërkohë në Europë (Italia qëndron në krye) po bëjnë llogaritë e ditëve e para të një situate emergjente të panjohur – pasojat e para të kësaj situate në botën e punës janë tashmë konkrete.

Janë anuluar apo shtyrë konferenca të ndryshme ndërkombëtare, sektori i udhëtimeve është gjunjëzuar, dhe me të – në vende të ndryshme – edhe sektori i hoteleve dhe turizmit. Frika nga koronavirus që po përhapet në të gjithë botën mund të përshpejtojë ndryshimet që po ndodhin tashmë në botën e punës.

Gjatë këtyre javëve, mbi të gjitha në Kinë, videokonferencat kanë zëvendësuar mbledhjet. Një pjesë e madhe e punonjësve (rreth 200 milionë persona në Kinë) po punojnë nga shtëpia. Shumë udhëtime që lidhen me sektorin e marketingut dhe shitjeve janë anuluar dhe janë zëvendësuar me marrëveshje të firmosura në distancë, duke rezultuar më ekonomike dhe më pak ndotëse. Kjo histori do të ndikojë në zgjedhjet e së ardhmes – shpenzimet për udhëtime do të zvogëlohen. Ato do të vihen në diskutim sapo kompanitë të kuptojnë se mund të mbijetojnë edhe pa takuar fizikisht klientë potencialë. Procesi është duke u zhvilluar tashmë. Koronavirus do ta përshpejtojë edhe më tej.

Koronavirus do të përforcojë bindjen se hapësirat e punës duhet të ndryshojnë. Punët e së ardhmes (jo të gjitha, natyrisht) do të zvogëlojnë shpenzimet që lidhen me pasuritë e patundshme tregtare, pasi ato do të ulin nevojën për zyra të mëdha. Nevojiten vende pune më inteligjente, hapësira më të vogla, pasi vështirë që të gjithë punonjësit do të vijnë në zyrë, në të njëjtën ditë. Tavolina juaj e punës do të mbetet thjesht një kujtim.

Ky proces është duke ndodhur në shumë kompani të mëdha. Dhe nëse pas disa javësh, rezultatet do të tregojnë që smart working nuk lidhet me një humbje të mundshme të produktivitetit – do të bëhet edhe më e vështirë – kur e gjithë kjo të marrë fund – të dëshmosh se është e nevojshme të shkosh në zyrë çdo ditë.

Me fjalë të tjera, frika nga koronavirus mund të na mësojë një mënyrë më të mirë për të punuar./Monitor.al