Koronavirusi do të ndryshojë tërësisht mënyrën se si njerëzit udhëtojnë dhe drejtojnë biznesin, edhe pasi pandemia të përfundojë, tha para disa ditësh, themeluesi i “Microsoft”, Bill Gates.

“Parashikimi im është që më shumë se 50% e udhëtimeve të biznesit dhe më shumë se 30% e ditëve në zyrë, do të ‘zhduken’” – tha Gates për Ross Sorkin, gjatë konferencës “Dealbook” të “New York Times”.

Duke shkuar edhe më tej, Gates parashikon që do të ketë një “prag shumë të lartë” për udhëtimet e biznesit, tani që puna nga shtëpia është më e realizueshme. Sidoqoftë, disa kompani mund të jenë më ekstreme me përpjekjet e tyre për të ulur numrin e takimeve ballë për ballë se disa të tjera, – tha ai.

Gates, fondacioni i të cilit po punon për krijimin e një vaksine kundër koronavirusit për njerëzit më në nevojë, tha në një podcast të ri, “Bill Gates e Rashida Jones ask big questions” se ai ka pasur një “axhendë më të thjeshtë” për shkak të pandemisë, tani që nuk udhëton më për punë.

Filantropi dhe drejtuesi i sektorit teknologjik, i cili u shfaq në krah të CEO-s së “Pfizer”, Albert Bourla, gjatë konferencës, tha se ka realizuar pesë tryeza të rrumbullakëta virtuale këtë vit me drejtuesit e shtëpive farmaceutike – një takim që zakonisht mbahet ballë për ballë në Nju Jork.

“Disi ne do të shkojmë në zyrë, do të bëjmë udhëtime biznesi, por shumë shumë më pak” – tha Gates. Pandemia ka shkatërruar kërkesën për udhëtime ajrore, në veçanti për udhëtime fitimprurëse biznesi. Drejtuesit e “Microsoft” parashikojnë që udhëtimet e biznesit do të bëjnë një hap prapa, edhe pse kompania përpiqet për t’i bërë udhëtimet ajrore më të qëndrueshme.

“Ne besojmë se, ndërsa kthehemi në qiell, rrugët e udhëtimit që kishim … do ta rimarrin veten në nivelin që ishin më parë”, tha Judson Althoff, zëvendëspresident i biznesit tregtar botëror të Microsoft, në tetor.

*Noah Higgins-Dunn
Burimi: CNBC