Jo, rregullave të padobishme / Elon Musk drejton kompaninë e automjeteve Tesla, kompaninë e aeronautikës SpaceX dhe është president i SolarCity, themelues i The Boring Company dhe bashkëthemelues i PayPal dhe OpenAi. Për sipërmarrjet e tij me karakter vizionar, ai e ka merituar titullin e një ndër sipërmarrësve më të shquar të kohës sonë. Ai mund të cilësohet edhe një guru dhe fjalët e tij duhen marrë shembull.

Në veçanti nëse bëhet fjalë për këshilla që ai vetë u jep punonjësve të tij. Para pak kohësh ai u nisi punonjësve të Tesla një email me rregulla kundër rregullave të padobishme. Lexoni më poshtë 6 këshillat e tij, të shprehura me një gjuhë të sinqertë dhe të drejtpërdrejtë…

1.Anuloni mbledhjet e mëdha

“Mbledhjet e shpeshta janë ndryshku i kompanive të mëdha dhe bëhen gjithnjë e më të dëmshme me kalimin e kohës. Ju lutem, shmangni mbledhjet e mëdha – përveçse në rastin kur u japin vlerë të gjithë punonjësve, edhe në këtë rast, mbledhjet duhet të jenë sa më të shkurtra”.

2.Shmangini edhe mbledhjet e shpeshta

“Shmangini edhe mbledhjet e shpeshta, përveçse në rastin kur bëhet fjalë për një çështje urgjente. Shpeshtësia e mbledhjeve duhet të zvogëlohet kur problemi urgjent zgjidhet”.

3.Largohuni nga një mbledhje nëse nuk kontribuoni në të

“Largohuni nga një mbledhje apo një video-konferencë kur bëhet e dukshme se nuk po shtoni një vlerë. Nuk është e pasjellshme të largoheni, është e pasjellshme të detyroni dikë që të qëndrojë dhe të humbni kohën e tij”.

4.Mos përdorni gjuhë teknike

“Mos përdorni akronime apo fjalë të pakuptimta për objekte, programe apo procese te kompania Tesla. Në përgjithësi, çfarëdo gjëje që kërkon një shpjegim, pengon komunikimin. Nuk duam që njerëzit të mësojnë përmendësh një fjalor vetëm për të punuar te Tesla”.

5.Komunikoni në mënyrë të drejtpërdrejtë

“Komunikimi duhet të udhëtojnë në mënyrën më të shkurtër të mundshme të nevojshme për të përfunduar punën, jo nëpërmjet një ‘zinxhiri hallkash’. Një nga burimet më të mëdha të problemeve është komunikimi i dobët mes departamenteve. Një nga mënyrat e zgjidhjes është komunikimi i drejtpërdrejtë ndërmjet gjithë niveleve”.

6.Ndiqni logjikën, jo rregullat

“Duhet të merrni gjithnjë më të mirën e rregullave. Nëse ndjekja e “një rregulle në kompani” është absurde në një situatë specifike, atëherë rregulli duhet të ndryshojë”.

Burim: Corriere della Sera