Nga Ismail Hoxha*

Përpara se të filloj me disa sugjerime që gjithmonë e më shumë po bëhen më kritike për të shpëtuar turizmin në Shqipëri këtë vit, do doja që të bëj një informim për publikun e gjërë se si funksionon kjo industri në brendësi.

Me bllok-skemë (Foto) jam munduar që të paraqesë organogramën se si lidhen elementët e turizmit. Si lidhen Furnitorët (Hotelet, Transporti, Fluturimet, Aktivitete) me Klientin. Ndonëse ka një lidhje që mund të jetë direkte, kjo zë një pjesë të madhe në turizmin Domestic (Brenda per Brenda Vendit), në pjesën ndër kufitare lidhja direkte është në një përqindje më të vogël, në nivelin 25-35%, pjesa tjetër mbulohet nga ky mekanizem. Duhet të ndaj me ju që të dhënat janë globale, nuk janë vetëm për Shqipërinë, por statistikat përshtaten më së miri edhe për vendin tonë.

65-75% e bashkimit të klientit me Ofruesin ndodh nëpërmjet Operatoreve Turistik, Operatori Turistik në vetvete është i ndarë në 3 kategori kryesore Incoming (Sjell turistë të huaj në vend), Outgoing (Dërgon turistë vendas në një vend të huaj), Domestic (Operon brenda për brenda vendit) dhe sigurisht që është i ndarë edhe në nivelin e madhësisë së kompanisë. Ka operatorë turistik që lëvizin deri në 10 milionë turistë në vit siç është TUI në Europë, ose grupe më të mëdha si Expedia etj, por ka edhe Operatorë të vegjël që lëvizin 500-1000 klientë në vit. Operatorët turistik, bëjnë të mundur krijimin e një produkti turistik, të plotësuar me të gjithë elementët funksional dhe joshës, dhe ofrimin e tyre tek klientët, të cilët e bëjnë në mënyrë direkte, një pjesë nëpërmjet platformave, ose në mënyrë indirekte nëpërmjet Agjensive dhe Agjentëve.

Të përfituar nga kjo skemë, nuk janë vetëm Ofruesit, Klientët dhe elementët e ciklit, por janë edhe përfitimet anësore (Që në fakt janë me një impakt shumë të lartë), siç janë guidat, baret dhe restorantet, bizneset lokale, muzetë dhe shteti. Sa më shumë të huaj të vijnë në Shqipëri aq më shumë xhiro do bëjnë këto biznese dhe aq më shumë taksa do të paguajnë.

E bëra këtë hyrje për dy arsye kryesore:

  1. Për të treguar që ky mekanizëm funksionon në dy anë, shqiptarë që udhëtojnë jashtë, dhe të huaj që udhëtojnë në Shqipëri. Rreziku që duket në prag të derës, është se n nuk po bëhemi gati të presim turistë të huaj, por duket sikur shtetet e tjera të mirëpresin turistë shqiptarë. Kjo do ishte fatale për këtë industri në këtë periudhë. Vetëm dje me në fund patëm një deklaratë nga KM që do të hapen kufijtë me datë 1 Qershor dhe plazhi më datë 10 Qershor për të gjithë turistët.
  2. Për të treguar që Operatorët Turistik dhe Agjensitë janë pika lidhëse dhe më e rëndësishme e kësaj industrie.

Kam ndjekur me vëmendje kompanitë e huaja që operonin në Shqipëri dhe askush nuk e ka promovuar Shqipërinë në këtë periudhë, të gjitha thonë në pritje se çfarë masash do dalin, po ndërkohë, po shesin paketa në vende të ndryshme, ndërsa kompanitë shqiptarë kanë filluar ta promovojnë Greqinë dhe Italinë në tregun vendas.

Në fillim të pandemisë, isha pozitiv sepse arsyetova që mos-hapja e kufinjve do të bëjë të mundur që shqiptarët që udhëtonin jashtë Shqipërisë do t`i bënin pushimet në Shqipëri, dhe bashkë me tregun shqipfolës të rajonit (Kosova, Maqedonia, Mali i Zi) do plotësonim ofertën vendase, por tani duke sikur shqiptarët do udhëtojnë jashtë Shqipërisë, dhe do mbetet një hendek prej 600,000 turistesh në vendin tonë, që do të jetë një katastrofë e vërtetë.

I bazuar në këtë logjikë sugjeroj që të merren masa sa më shpejt:

1.Hapja e kufijve (shumë e diskutuar kjo pikë, madje ka patur edhe përgjigje nga qeveria që po punohet dhe do ketë hapje kufijsh), por këtu do doja të vija theksin që qeveria të shprehet publikisht pro turizmit. Shqipëria do lejojë çdo turist që do të vijë në Shqipëri duke filluar nga data 1 qershor. Këtu duhet ta thotë një ditë e me parë dhe me zë të lartë. Kjo sigurisht që varet edhe nga shtetet e tjera por të paktën nga ana e Shqipërisë të jemi të hapur. Gjithashtu të zbardhet sa më parë kjo deklaratë me rregullat dhe procedurat që duhet të zbatojmë, nëse do ketë të tilla, që të bëhemi gati sa më parë. Për momentin, dje morëm vesh që do hapet në datë 1 qershor për Hotelet dhe në 10 qershor për të gjithë. Ne na duhen detajet. Kjo është si një ftesë në dasëm, por pa caktuar datën dhe vendin. Gjashtë ditë na ndajnë nga data 1 qershor dhe na duhen detajet sa me shpejt. Drafti i ministrisë duhet të dalë sa me parë duke u mbështetur në sugjerimet e grupit të interesit.

2.PR – Të promovoj fort në tregun e huaj që Shqipëria do t`i thotë “Po” turistëve të huaj që vijnë në Shqipëri. Duke treguar që Shqipëria ka qënë më pak e prekur nga COVID-19, duke treguar që strukturat tona akomoduese kryesisht janë të vogla dhe kanë një nivel më të lartë higjene, duke treguar që pjesa e turizmit të aventurës ka distancim natyralisht.

Statistikisht 60% e turistëve në botë kishin rezervuar pushimet e tyre para nisjes së pandemisë, dhe tashmë janë në kërkim të një vendi për pushime. Ne duhet të mundohemi të kapim një pjesë prej tyre, ne duam aq pak sa vetëm me bërjen publike të një mesazhi të tillë do vijnë. E imagjinoni që të gjithë ata që do shkonin në Venecia, Paris, Rome, Amsterdam, vetëm duke imagjinuar të gjithë atë fluks njerëzisht në sheshet dhe rrugët e mbimbushura do të zgjidhnin një vend me më pak fluks, një vend që ata e mendojnë si më pak të zhvilluar dhe më rural, dhe në këtë rast të qënit rural është një plus i madh. T’a shfrytezojmë këtë mundësi që do hapemi më datë 1 qershor.

3.Transporti – Në fushën e turizmit, transporti tokësor të përdoret me kapacitet të plotë. Ka patur shumë diskutime këtu, por mendoj që nëse nuk do të lejohet që të përdoret me kapacitet të plotë do të ketë shumë kosto ekstra.

26% e kostos së një paketë udhëtimi shkon për transport, nëse do vendoset që transporti të përdoret në nivelin 50% atëherë një paketë turistike do kushtojë 26% më shumë. Një paketë që kushton 100 euro, do kushtojë 126 euro, dhe një rritje e tillë do sjellë mungesën e kërkesës, aq me tepër kur i gjithë vendi ka kaluar një periudhë të vështirë ekonomike.

4.Një mekanizem nga Qeveria që të motivoje vendasit që të bëjnë pushime. Duket sikur do jetë shumë e vështirë që pas tërmetit dhe pas Covid-19, të ketë shqiptarë që ka disa para mënjanë për pushime, e aq më tepër për ditë leje nga puna, ku pjesa më e madhe e kompanive këto dite pushimi po ja quan leje. Të merren masa që nga periudha 1 maj deri më 1 tetor çdo person duhet të bëjë minimalisht 10 ditë leje, nga këta të paktën 5 ditë duhet të jenë bashkë.

Italia dhe shumë vende të tjera po japin mekanizma shpërblimi madje për të gjithë ata që bëjnë pushime në Itali. Nga 150 euro për person deri në 500 euro për familje po jep shteti që vendasit të bëjnë pushime në Itali. Po hap kufijtë dhe korridore me të gjithë botën që të vizitojnë Italinë. Ne duhet të kujdesemi, që shqiptarët të bëjnë pushime këtë vit, dhe nëse nuk mbushim dot me të huaj të paktën të mbushim hotelet me vendas.

5. Mbështetja Financiare – Të kërkosh paga për 1 vit do ishte ideale por më duket e pa mundur, aq më tepër që ngjan edhe mjaft e ashpër, kështu që do sugjeroja këto pika:

a.Tatimi në burim i qerasë të subvencionohet nga shteti: Secili nga ne ka një ambient pune dhe për këtë paguan qera (Dhe ata që e kanë pronën e tyre përsëri kanë një kontratë qiraje) do ishte mjaft e udhës që 15% të kësaj kontrate ta subvencionojë shteti deri me 31 mars 2021 duke nisur nga mars 2020.
b. Sigurimet Shëndetësore dhe Shoqërore të Punonjësve të subvencionohen nga shteti deri në 31 mars 2021 duke nisur nga mars 2020 (Agjensi dhe Operatore turistik)
c. Sigurisht që të jenë në fuqi edhe lehtësimet fiskale që tashmë i ka miratuar qeveria.

d.Kredi me normë interesi 0 në formën e overdraftit për 18 muaj. Garancia Sovrane është një mekanizëm që tashmë qeveria po e përdor kështu që është një pikë mjaft e mundur.

e.Mbështetje Financiare deri në 5 milion euro e ndarë sipas këtyre fashave:

i.Tre milion euro grant për disa nga kompanitë që kanë probleme financiare (kryesisht kompanitë që punojnë me Chartera dhe mund të kenë dëm financiar më të madh dhe të pakthyeshëm.
ii. Mbështetje Financiare për të gjithë elemetet e perfshirë në turizëm si: Guida, Agjensi, Operatorë Turistik. Në total të regjistruar sipas Databases së Ministrisë së Turizmit kemi: 500 Guida, 536 Agjensi Udhëtimi (mesatrisht 2 Punonjës për Agjensi), 148 Operatorë Turistik (Mesatarisht 5 Punonjës për Operatorë).
1. Çdo guide ti jepet 300 euro
2. Çdo kompanie ti jepet 500 euro për çdo punonjës që ka.
Në total është një vlerë prej 1,156,000 euro që mund ti japë frymë lirisht kësaj industrie për këtë sezon.
iii. 840,000 euro për financimin e 20 projekteve në fushën e turizmit, bazuar sidomos në fushën e teknologjisë dhe të digjitalizimit. Me vlerë nga 20,000 euro – 100,000 euro për projekt.

Kjo do ndihmonte për të ardhem sadopak, që në një të ardhme nëse ndodh diçka e tillë, kompanitë të jenë në pararojë me sistemet dhe teknologjinë.
Pika E ka një kosto financiare prej 5 milionë euro, ndërsa pika nga A në B kanë një kosto 2.5 milion euro. Në total kërkohet një vlerë prej 7.5 max 8 milionë euro. Sigurisht që llogaritë duhet të bërë me shifra të sakta, por më shumë mundësi kjo është shifra e përafërt.

Nuk ka më kohë për dikutime, propozime, statistika, analiza. Është koha për vendimarrje të shpejtë.

*Ismail Hoxha është sipërmarrës prej më shumë se 10 vitesh në turizëm.