Hapet tuneli jugor i rrugës Durrës-Kukës, pas 6 muajsh bllokim kalimi. Ky tunel nga 21 maji u bë funksional për mjetet në të dyja kalimet. Problemet nisën prej nëntorit të vitit 2009, ku për shkak të rrëshkitjes së dherave u bllokua qarkullimi i lirë i makinave. Punimet elektromekanike dhe të sistemeve të kontrollit të trafikut janë instaluar dhe integruar plotësisht në një sistem të kontrollit qendror që përfshin 26 ventilatorë të mëdhenj ajrimi, më shume se 70 kamera, sinjalistikën e mesazheve, një sistem kundër zjarrit në të gjithë tunelin, sistem telefonik në rast emergjence, si dhe ndriçimin normal dhe atë të sigurisë.

Memorandumi

Gati për Korridorin 8

Pas më se 15 vjetësh, qeveritë e vendeve ku kalon Korridori i 8 rrugor, arritën të nënshkruajnë një memorandum mirëkuptimi. Ky dokument, përmes të cilit vendet angazhohen për investime të përbashkëta, u nënshkrua javën e kaluar në Tiranë mes ministrave të Transportit nga Shqipëria, Italia, Maqedonia dhe Bullgaria.

Pala shqiptare ka këmbëngulur që, përveç rrugëve dhe porteve në financimet për Korridorin 8, të përfshihen edhe linjat hekurudhore, ndwrkohë që qeveria italiane do të paraqesë rëndësinë e këtij projekti edhe në Bashkimin Europian për të siguruar financime të mëtejshme.

Kriza greke

Shqiptarët kthehen në atdhe

“Kriza ekonomike në Greqi po detyron shqiptarët, të cilët punonin atje, të kthehen në Shqipëri dhe po i tregon Ballkanit se hyrja në BE nuk i zgjidh problemet me magji”, thotë ambasadori i Greqisë në Shqipëri. “Disa prej tyre po kthehen. Mbase ata janë zhgënjyer në Greqi, kanë probleme administrative ose mendojnë se në Shqipëri situata po bëhet më e mirë”, thotë Nikolaos Pazios për agjencinë e lajmeve “Reuters”.

Ambasadori shton se është shpejt për të folur për një masë të madhe kthimi. Ndërsa një zyrtar tjetër grek, i cituar nga “Reuters”, thotë se shqiptarët gradualisht po largohen nga Greqia, por është i paqartë numri i të kthyerve.

“Shumë punëtorë shqiptarë dërgojnë një pjesë të të ardhurave në shtëpi, një kontribut jetësor për vendin me 3.3 milionë banorë, i cili vuan nga një çekuilibër i madh tregtar.

Remitancat kanë rënë me 6.4%, 780 milionë euro në 2009-n në krahasim me vitin 2008”, shkruan agjencia e lajmeve “Reuters” në artikullin me titull “Kriza detyron shqiptarët të lënë Greqinë”.

Lëvizja

Banka e Shqipërisë blen hotel “Dajtin” për 30 milionë euro

Qeveria shqiptare, me një vendim, javën e kaluar ia ka shitur ish-hotel “Dajtin”, Bankës së Shqipërisë, për 30 milionë euro. Shuma e shitur është disa herë më e lartë se ajo që u përfitua nga shitja e Hotel Tiranës, në mes të kryeqytetit, që e blenë vite më parë një grup biznesmenësh shqiptarë për 5 milionë euro, një çmim që ishte dikur mes 300-400 eurosh për metër katror. Banka e Shqipërisë aktualisht po rikonstrukton zyrat qendrore, sipas planit italian, ndërsa punimet kanë filluar.

AKKP:

757 milionë lekë për pronarët e tokave të zëna

Për ish-pronarët e tokave të zëna nga ndërtimet pa leje, qeveria ka vendosur një fond prej rreth 757 milionë lekësh, i krijuar nga ALUIZNI, përmes procesit të legalizimeve. Vendimi i marrë nga Këshilli i Ministrave cakton rrugën që duhet të ndjekin ish-pronarët për ta përfituar fondin. Bëhet fjalë për shpërblimin e pronarëve për sipërfaqet takuese të pasurive të paluajtshme, pronë private, të zëna nga ndërtimet informale në qarqet e Tiranës, Elbasanit, Fierit, Beratit, Shkodrës, Gjirokastrës, Dibrës, Lezhës dhe Durrësit. Janë gjithsej 48 849 m² tokë truall, me vlerë të përgjithshme 757,664,073 lekë, që janë identifikuar dhe legalizuar nga ALUIZNI. Ndërkaq, Hipoteka duhet të kryejë ndryshimet përkatëse në regjistrat e pasurive të paluajtshme, për kalimin e pasurisë së paluajtshme të kompensuar, në pronësi të shtetit.