Në vitin 2018 qeveria miratoi një paketë ligjore që nxiste futjen në treg të markave ndërkombëtare të hotelerisë.

Përmes dhënies së statusit të investitorit strategjik këto të fundit në varësi të markës që tërhiqnin me katër apo pesë yje mund të përfitonin disa lehtësi.

Së fundmi një urdhër i Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit ka bërë një shtesë në rregulloren “Për procedurën e klasifikimit të strukturave akomoduese me 4 dhe 5 yje që janë mbajtës të një marke tregtare të regjistruar dhe të njohur ndërkombëtrarisht si “brand name”. kjo shtesë konsiston në përcaktimin e procedurës që ndiqet kur nga ana e komisionit të verifikimit haset mangësi në dokumentacion.

“Në rast se gjatë fazës së shqyrtimit të dokumentacionit dhe raportit të verifikimit, Komisioni i Standardizimit konstaton mangësi/pasaktësi të dokumentacionit/informacionit të dorëzuar nga ana e subjektit, brenda 3 ditëve, e njofton me shkrim dhe elektronikisht subjektin për plotësimin e dokumentacionit ose korrigjimin e pasaktësive dhe i cakton atij një afat prej 5 ditësh për paraqitjen e dokumentacionit përkatës” thuhet në shtesën e bërë në rregullore në pikën 5 të nenit gjashtë.

Aktualisht në vendin tonë ka një prezencë të rritur të markave ndërkombëtare. I pari që erdhi në vend pas largimit të Sheraton ishte Hilton ndërkohë që kjo vijoi me futjen në treg të markave të tjera si Marriott, Hyatt, Novotel, MK Holtel i grupit Lindner si dhe Melia. Gjithsesi afati për përfitimin e statusit është lënë deri në vitin 2024 dhe operatorët e tregut kanë dhënë sinjale se ka ende disa emra të tjerë që po shohin nga afër hyrjen në tregun shqiptar.

Paketa e qeverisë për hotelet me 4 dhe 5 yje

Paketa fiskale e vitit 2018 kishte në fokus nxitjen e hoteleve me 4 dhe 5 yje dhe të gjithë ata që përfitonin statusin special do të kishin edhe trajtim special në taksa.

Hotelet me status kanë zero taksë infrastrukture, që zakonisht për Tiranën është sa 8% e vlerës së investimit, po kështu u zerua tatimfitimi për 10 vjet, si dhe u bë ulje e TVSH-së në 6% për furnizimin e shërbimeve të tjera që ofrohen në hotel, përveç shërbimit të fjetjes që vlen për gjithë sektorin. Në momentet e fundit, qeveria shtoi edhe një tjetër lehtësi, që ishte përjashtimi nga taksa mbi ndërtesën për ‘Hotel me pesë yje, status special’, sipas përcaktimit në legjislacionin e fushës së turizmit.

Përfitimi mund të bëhet vetëm për subjektet që marrin status special. Por cilat janë kushtet për të përfituar këtë status? Me një vendim tjetër, qeveria përcaktoi se kushti i parë ishte vlera e investimit. Vlera e parashikuar e investimit është të paktën 8 milionë euro për ndërtimin e strukturës akomoduese me 4 yje dhe të paktën 15 milionë euro për ndërtimin e strukturës akomoduese me 5 yje.

I njëjti vendim përcaktonte se subjekti duhet të investojë në ndërtimin e një strukture akomoduese me 4 ose 5 yje, në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, siç janë të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi dhe struktura e ndërtuar të certifikohet si e tillë nga struktura përgjegjëse.

Subjekti duhet të ketë të lidhur kontratë të vlefshme gjatë gjithë kohëzgjatjes së statusit, me një operator menaxhues të strukturave akomoduese me 4 ose 5 yje, status special, i cili plotëson kriteret./N.Maho

Monitor.al