Me interpretimet e tij u shndërrua në një ikonë të baletit shqiptar e po ashtu ka mbetur edhe sot e kësaj dite pavarsisht viteve të shumta që është shkëputur nga Shqipëria. Balet maestroja shqiptar vazhdon të jetojë në Kroaci, vendi që i dha suksesin dhe lavdinë e merituar. Por lidhja që ka me Tiranën, fillimet e tij në skenë e bëjnë vazhdimisht nostalgjik. Emocionet e një pune profesionale, diferencat e shijeve të publikut, si dhe ndjesitë e një artisti

Nga Arjan Konomi

I mungon Shqipërisë e sidomos skenës së Tob-it në Tiranë. Dikur ishte një publik i tërë që e adhuronte e duartrokiste, ndërsa sot ndjen mungesën e një artisti të vërtetë balerin, e një profesionisti që mbart shumë vlera. Ilir Kerni, jeton prej kohësh në Kroaci, vendi që i dha mundësitë e lavdisë dhe suksesit, përveç mirëqenies dhe komoditetit në një moment të papërgatitur të jetës së tij. Rrugëtimi për të arritur deri në vlerësimin me titullin “baletmaestro“ ka qenë i gjatë, sigurisht, por i mbushur me shumë peripeci profesionalizmi. E për çdo të tillë ai ka transmetuar jo vetëm një punë të ndjerë emocionale, por të arrirë në çdo koncept të artit klasik apo modern.
Do të vlerësohet si Artist i merituar, në fillim të viteve ‘90, si pedagog në Akademinë e Baletit në Tiranë, aktivitet që do e vijojë dhe në Tokio, Francë apo Kroaci. Nga 1994 e deri sot, është si balerin i parë në Teatrin Nacional Zagreb, ku do të marrë çmimin “Oskar Ormosh”, si dhe në vitin 2002 “Çmimi më i lartë në Kroaci” për rolin e Mefistofelit në baletin “Faust”. Për të përmendur dhe tre veprat e tij gjigante të vëna në skenën e Tiranës. E të gjitha këto ai i kujton si në ‘harresë’, me modestinë e një artisti të plotësuar që ka spikatur falë talentit dhe profesionalizmit.
Por cili është sekreti për të arritur perfeksionizmin në art, e veçanërisht në balet? çfarë mendon ai për baletin në Shqipëri e cilat janë lidhjet me Tiranën?

Intervista

Si është të realizosh një ëndërr për të cilën ke punuar tërë jetën? Për të qenë balet maestro.
Unë dhe profesioni im kemi qenë bashkudhëtarë të natyrshëm, nuk mendoj se kam punuar me një qëllim të caktuar për të arritur diçka, aq më pak për t’u bërë balet maester. Thjesht kam punuar me pasion sepse e doja këtë art.

Cila përgjegjësi të shkakton më tepër emocion dhe ankth, ajo e balerinit të parë apo e baletmaestros?
Dhe njëra dhe tjetra në të njëjtën mënyrë, por në forma të ndryshme. Nëse si balerin të duhet të mbyllesh në vetvete dhe më pas të shpërthesh (në skenë), e dyta është e tillë që menjëherë dhe në çdo moment duhet të jesh i hapur për të dhënë, dhe më pas kur të tjerët janë në skenë të strukesh për të parë se ç’rezultat ka puna që ke bërë.

Cila është mungesa më e madhe që të shkakton shkëputja nga skena?
Nga ana psikologjike nuk besoj se do të kem. Këtë e spjegoj me faktin se kam qenë shumë gjatë në skenë dhe kam kërcyer më shumë se normalja për një kërcimtar. E vetmja gjë që do të më mungonte është nëse nuk do të ushtrohesha më, por këtë nuk ja lejoj vetes ndaj çdo ditë ushtrohem. Këtë e kam rregull absolut, pasi më mban në një gjendje normale psikofizike.

A vazhdon ajo traditë e mirë e dikurshme në shkollen e baletit në Tiranë?
Nuk kam patur kontakte direkte me shkollën, por kam patur fatin të punoj për baletin Arrëthyesi, ku shumë nxënës morën pjesë dhe mbajtën peshë të madhe në shfaqje, ndër ta ka mjaft të talentuar dhe për mua ishte befasim i këndshëm, për rrjedhojë besoj se bëhet punë shumë e mirë në atë shkollë.

Çfarë nostalgjie artistike ke për kohën kur ke interpretuar këtu?
Natyrisht ajo kohë lidhet me rininë time, thjesht për këtë fakt është sa e bukur aq dhe interesante entuziazmi i rinisë, dëshira për t’u zhvilluar si artist më vonë fillova të kuptoj thelbësisht zanatin.

Si të duket niveli i baleteve të vënë në skenë në TOB kohën e demokracisë?
Nuk mund të them ndonjë koment, sepse nuk kam patur rastin të shoh asgjë, përveç baleteve që kam vënë unë në TKOB.

A ka një këshillë që do t’u jepje balerinëve shqiptarë?
Nuk është në natyrën time që të jap këshilla, megjithatë mendoj se arti i të kërcyerit është magji e mrekullueshme dhe kur atë e zbulon vetë çdo njeri nga ne bëhet dhe më i bukur është arti ku përmblidhen në një të gjitha artet.

Baleti është një formë arti për shije të rafinuara. A e justifikon çdo lloj baleti këtë shije?
Duhet thënë se si për çdo formë arti, veçanërisht baleti, ose duhet të bëhet siç duhet, dhe në këtë rast është për çdo lloj shije, ose ekziston rreziku i karikaturës, pra e keqja e artit tonë është se pranohet vetëm në nivelet tip-top.

Po publiku shqiptar të mungon?
Nuk do thoja që më mungon publiku shqiptar, por do thoja dhe më shumë se kaq, më mungon vendi im Shqipëria, veçanërisht Tirana.

Nga dallon spektatori i një vendi nga një tjetër?
E vërteta është që ka shumë dallim, aty ku ka traditë kjo gjë perceptohet menjëherë, ashtu siç vërehet dhe një mjedis
pa traditë, një njeri i kultivuar dallon nga një tjetër që këtë gjë nuk e ka.

E kujt ishte ideja që ti nise të merreshe me balet kur ishe fëmijë?
Fare rastësisht kam hyrë në këtë rrugë që vazhdon dhe sot, dhe që mesa duket do vazhdojë deri sa të dalë në pension, pra as familja, aq më pak unë, kemi patur pikësynim për t’u marrë me këtë punë, ishin pedagogët e teatrit që dolën nëpër shkollat e Tiranës për të përzgjedhur talentet për balet, dhe ja ç’më bënë përcaktuan fatin e jetës time, (qesh ).

Një punë që kërkon jo vetëm talent, por dhe vullnet çfarë personaliteti kërkon apo çfarë formon te një njeri nga ana karakteriale?
Talenti dhe vullneti, bukuri e thatë, nuk vlen njëra pa tjetrën, por është fjalë e thjeshtë. Vullneti, po të mundja do të krijoja një fjalë tjetër që të ishte më e saktë, çfarë mund të bëjë që njeriu të mposhtë vetveten? Kjo është më shumë se vullnet, është një lloj talenti dhe inteligjence bashkë që njeriu ka brenda vetes. Ndërsa çfarë karakteri formon? Kjo është tepër individuale, nëse flas për eksperiencën time, kam frikë se duke qenë se lufton gjithë jetën me veten, nuk aftësohesh të luftosh me të tjerët, jam i bindur se po të mos kisha patur talent që ishte i spikatur do të mbetesha gjithmonë në fund të gjërave për nga karakteri që kam, kjo është ndoshta e metë e madhe ose ndoshta është vlerë nuk e di. Gjithsesi unë do simpatizoja njeriun që harxhon energjitë për t’u zhvilluar vetë, se sa atë që ka energji me bollëk për të keq.

Baleti klasik nga ai modern kërkojnë shije të ndryshme. Sa e vështirë është të bësh të suksesshëm një balet modern?
Nëse flasim për baletin klasik apo për atë modern, vetëm niveli i lartë e bën të magjishme, në të kundërtën e thamë dhe më lart se ç’ndodh me artin tonë, që është ndoshta më mirë të mos bëhet kur bëhet keq. Baleti modern, do njohje natyrisht, është një kërcim dhe konceptim tjetër nga ai klasik, është romani, piktura, muzika e kohës. Nuk shkruhet as nuk pikturohet si 100 vjet më parë.

Nga cila këto kategori do të preferoje të vije në skenë një vepër?
Sot në këtë stad mental, profesional, do të preferoja baletin kontemporan modern.

Mendon se Kroacia të dha gjithçka që meritoje? Nëse jo, çfarë?
Kroacia më dha shumë gjëra që unë kisha nevojë në një moment të caktuar të jetës time. Dhe natyrisht i jam mirënjohës, unë këtu jetoj dhe është atdheu im i dytë.

Do të kishe dëshirë të hapje një shkollë baleti private?
Ndoshta, por le të themi që mbetet një alternativë për të ardhmen.

Po të bashkëpunoje më tepër me Tiranën?
Në Tiranë kam vënë në skenë tre balete, dhe marrëdhëniet me trupën e baletit i kam si me miqtë e mi më të mirë, pa ç’ka se ata janë shumë më të rinj se unë.

Vjen shpesh këtu?
Vij të paktën dy herë në vit, në verë për pushime dhe në dimër. Për shembull, ndërsa punoja në Prishtinë në dhjetor, erdha një ditë në Tiranë te njerëzit e mi duke plotësuar kështu normën dy herë në vit.

Mendon se në Tiranë ka talente të rinj që do të bëhen balerinë të zotë?
Pa diskutim, jemi popull me sens të madh kërcimi, ne për talente nuk do vuajmë asnjëherë. Kultivimi, profesionalizmi është ajo që do t’i zhvillonte këto talente.

Profesioni yt kërkon shumë punë në palestër apo teatër. Ka qenë një problem për bashkëshorten tënde?
Nuk besoj, njeriu është qenia më e adaptueshme, Dorotea mund të them se është pjesë e teatrit edhe pse ka tjetër profesion, prapë janë të afërt në shumë gjëra. Madje dhe teatri me bibliotekën ku punon bashkëshortja ime janë pranë njëra tjetrës.

Ka ndodhur ndonjëherë që të heqësh dorë nga diçka profesionale për hir të familjes?
Asnjëherë nuk kam qenë në situatë të tillë, por pa diskutim që do lija nga profesioni nëse për hir të familjes kjo gjë kërkohet. Nuk mendoj se karriera është mbi çdo gjë.

Të jesh balerin i suksesshëm do të thotë të heqësh dorë nga disa “kënaqësi”, si të hash gjithçka, të mos mbash dietë, e të mbash një regjim të hekurt. Sa e veshtirë është kjo?
Është një pyetje që për mua është e largët pasi kam vite tashmë që jetoj me këtë profesion. Pra më është bërë natyrë e dytë, jam një me këtë lloj jete, për rrjedhojë s’kam problem të jetoj në këtë regjim.

Je person komunikues. Po miqësor sa jeni?
Do të thoja që jam shumë miqësor, por ndoshta pak komunikues, ose jam tepër komunikues me miq të afërt, ose më mungon teknika për të qenë sipërfaqësor, (qesh ).

A e ndjen aty largësinë nga Shqipëria?
Nuk ndiej largësi nga vendi im, jam në korent të çdo zhvillimi që ndodh, por një fenomen është i çuditshëm që kur vij në Tiranë ambientohem menjëherë, ndërsa kur rri gjatë në Shqipëri më duhen disa ditë që të ndihem zagrebas, të qenurit tiranas është thellësisht në qenien time.

Cila është vështirësia më e madhe që ke patur në karrierën artistike?
Vështirësia më e madhe ka qenë kur jam gjendur përballë rasteve të patalentuara, por fatkeqësisht me shumë pushtet, dhe kjo ka ndodhur shpesh.

Je një natyrë emocionale apo natyrë e ftohtë?
Është e vërtetë se jam tepër emocional, madje mund të them që funksionoj më mirë kështu, për punën që bëj.

Çfarë të nervozon më shumë?
Unë besoj në filozofinë se ka njerëz të mirë dhe të këqinj, këta të fundit më bëjnë shumë nervoz.

Për një balerin mosha është “armiku” kryesor. Si përballohet ajo?
Fare thjeshtë, duke admiruar atë që është e bukur, duke shijuar dhe duke e gjetur te të tjerët. Uni, është një e keqe e madhe jo vetëm për veten por dhe për të tjerët.

Së fundmi, një këshillë për një person që nuk ka shkuar kurrë për të parë balet në skenë.
Çfarë do t’i thoja? Në magjinë e teatrit në përgjithësi dhe baletit në veçanti, që është një dimension sublim e i paarritshëm të bëhet  nga çdo kush , pra as nga ty, vetëm kaq mjafton që të ndihesh i detyruar t’i afrohesh kësaj magjije sa edhe duke qenë i kënaqur që je vetëm një spektator i thjeshtë, dhe kjo nuk është pak…