Përdorimi i internetit nga rrjetet celulare është rritur me ritme mjaft të larta edhe në tremujorin e parë të këtij viti.

Të dhënat nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) tregojnë se në tre muaj shqiptarët kanë gjeneruar një trafik të dhënash prej 31.3 milionë Gb (gigabyte), në rritje me 55% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. AKEP vlerëson se çdo përdorues i telefonisë celulare përdor mesatarisht 5.5 Gb internet çdo muaj.

Edhe përdorimi mesatar ka shënuar një rritje të ndjeshme, me 33% krahasuar me tremujorin I 2020.

Rritja e përdorimit të internetit është një tendencë që vazhdon prej vitesh, ndërsa pandemia solli një rritje të përdorimit të komunikimit celular, sidomos të lidhur me praktikën e punës në distancë apo smartworking. Edhe për vitin e kaluar trafiku i internetit nga rrjetet celulare ishte rritur me pothuajse 29% me bazë vjetore. Falë teknologjive 3G, 4G dhe në disa vende edhe 5G, interneti është tashmë shërbimi kryesor në rrjetet celulare për shumicën e tregjeve të komunikimit.

Falë aplikacioneve për smartphone, edhe komunikimi zanor dhe ai me mesazhe të shkruara në një pjesë gjithnjë e më të madhe bëhet përmes internetit. Ka ekspertë të tregjeve të komunikimit mendojnë se në një të ardhme jo shumë të largët përdoruesit e shërbimeve celulare do të paguajnë vetëm për internetin, ndërsa thirrjet zanore dhe mesazhet e shkruara së shpejti do të kthehen në shërbime plotësuese, që do të jepen si bonus me paketa broadband.

Në këtë mënyrë, shërbimi internetit do të jetë gjithnjë e më shumë elementi më i rëndësishëm i konkurrencës mes operatorëve. Veç konkurrencës me çmime, shtimi i përdorimit bën gjithnjë e më të rëndësishme përmirësimin e cilësisë së shërbimit. AKEP raportoi se vitin e kaluar investimet e operatorëve celularë arritën nivelin më të lartë të dekadës së fundit. Mes të tjerash kjo do të kërkojë edhe shtimin e spektrit të frekeuncave në dispozicion të operatorëve. Hapi më i rëndësishëm do të jetë ofrimi në përdorim I brezit 700 Mhz, që do të përbëjë edhe kolonën kryesore për shërbimet e teknologjisë 5G.

Megjithatë zëvendësimin gjithnjë e më të madh nga interneti dhe aplikacionet, trafiku i thirrjeve dalëse nga rrjetet celulare u rrit në tremujorin e parë të këtij viti, me 8.2% më shumë krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar. AKEP vlerëson se çdo përdorues i telefonisë celulare kryen mesatarisht 184 minuta thirrje çdo muaj, ndërsa për tremujorin e parë të vitit të kaluar përdorimi mesatar mujor kishte qenë 171 minuta.

Ndërsa te mesazhet e shkruara efekti i internetit është më i dukshëm, me një rënie të vazhdueshme prej vitesh. Për tremujorin I 2021, numri i SMS-ve pësoi rënie me 32% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. / MONITOR.AL