Rasti i Katica Janevës në Maqedoninë e Veriut është shembulli tipik dhe ilustrues i falsitetit të garancisë që trumbetohet te vetting në sistemin gjyqësor në Shqiëri. Janeva ishte prokurore speciale, pra me fuqi të pazakonta dhe detyra specifike. Katër vjet më parë, kur u caktua në këtë detyrë ajo shprehej ndër të tjera se:

“Sot qëndroj para jush e vetme pa asnjë mbështetje politike. Por pas një muaji ju do të më shihni mua dhe ekipin tim duke hetuar një më një, të gjitha skandalet që kanë tronditur vendin toneVeprimet e mia do të flasin për punën time.”

Rezultatet e punës së saj janë prangat që iu vunë në duar pak javë më parë.

Nisur nga ky shembull duhet pyetur patjetër: çfarë garancie kemi me vettingun, me kontrollin rigoroz, antikushtetues madje ndaj njerëzve që do marrin në dorë sistemin e drejtësisë? Dikush mund të rezultojë i pastër në një moment, por kjo nuk jep kurrfarë sigurie se ai do të vazhdojë të jetë i tillë.

Gjyqtarët e Shqipërisë dhe prokurorët mund të jenë të korruptuar, por mahisja e problemit nuk ka ardhur për shkak të situatës ligjore, por mos zbatimit të ligjit. Edhe sot që flasim, vettingu ka rezultuar me probleme: dikush kalon në KPK, por rrëzohet nga ONM-ja dhe KPA-ja. Pse vallë?

Dyshimet në këtë rast janë të arsyeshme dhe bindëse aq sa për të vënë në diskutim të gjithë procesin, pasi drejtësia nuk funksionon si Testamenti i Ri, si besëlidhje apostujsh me birin e Perëndisë.

Korrupsioni në sistem luftohet kur ekziston një vullnet kundër tij. Sot në Shqiëpri ka ankesa të shumta ndaj hajdutërisë dhe korrupsionit, por mosreagimi ndaj tyre tregon se në fakt, në vend se irritues, korrupsioni është aspekt konkurues në këtë shoqëri.

Ne do të dëgjojmë në vijimësi se iksi apo ypsiloni kanë kaluar vettingun, ndaj “ne nuk mbajmë përgjegjësi” për korrupsionin eventual të njërit apo tjetrit në sistem. Po ku qëndron atëherë vlera e vettingut? Ku qëndron dobia e tij përderisa nuk zëvendëson kalbëzimin me filiza të rinj, por thjesht bën rrokadë emrash?

Janeva është shembulli që duhet të na shqetësojë. Vettingu po zbatohet njësoj si anëtarësimi në PPSh, me sistem biografie, por në ndryshim nga kjo e fundit, nuk ka asnjë sistem shtrëngues as edhe vullnet korrigjues që dështimet t’i konsiderojë si të tilla. Ky është dështim edhe i aktorëve ndërkombëtarë, që janë po aq të korruptuar sa shqiptarët, pikërisht sepse askush nuk i kontrollon kur vijnë këtu.

/respublica.al