Jonida Vokshi, çdo natë në ekran “në luftë me gratë” e duke “gllabëruar meshkujt” pas ekranit sportiv. Nuk e ka dashur asnjëherë sportin, por që kur është zgjedhur si imazh i paketës sportive “Supersport”, është lidhur shumë pas tij. Vetëm televizioni mund të japë një shans të tillë, ku mund të fitohen edhe beteja gati të pamundura…..

Nga Neritana Kraja

Ka prezantuar programe muzikore, ka aktruar në filma, por në fakt profesioni i saj është regjisore. Një vajzë mjaft e zgjuar, e bukur, joshëse, lozonjare, por edhe shpërthyese kur duhet. Televizioni i ka mësuar shumë gjëra, suksesi aty po e ndjek nga pas, njerëzit e pëlqejnë imazhin e saj, por as kjo vëmendje dhe as ky sukses nuk e largon Jonidën nga ëndrra për të ushtruar profesionin e regjisores.

Si është për ty eksperienca në Tv?
Padyshim që është një eksperiencë e bukur, por dhe shumë impenjative njëkohësisht. Pasi duhet të kujdesesh dhe për detajin më të vogël që t’i ofrosh maksimumin spektatorit që të ndjek për atë qëllim që ti shfaqesh.

Fillimisht të kemi parë në një program muzikor dhe tani si imazh të Supersportit. Çdo të thotë të jesh imazh?
Një përgjegjësi shumë e madhe, që në momentin e parë që ty të besohet të jesh imazhi i një pakete sportive mjaft prestigjoze në rastin tim, pasi nëpërmjet figurës dhe zërit tënd bëhet reklamimi i saj. Të duhet ta përfaqësosh sa më denjësisht atë që të është besuar.

Vetë sa e lidhur je me sportin?
Me thënë të drejtën nuk kam qenë ndonjëherë ndonjë tifoze e zjarrtë. Por lidhja me Supersportin padyshim ka bërë të veten dhe ka ndikuar shumë në këtë drejtim tek unë. Tani jam shumë më tepër e vëmendshme ndaj informacioneve dhe ngjarjeve sportive. Dhe dalëngadalë po filloj të kem edhe preferencat e mia për ekipe, apo sporte të ndryshme. Një sport që më pëlqen shumë dhe e ndjek me qejf është volejbolli.

Mendon se gratë xhelozohen ndaj teje sepse ti reklamon sportin, pa të cilin meshkujt nuk jetojnë dot?
Po pse nuk thua ti që gratë duhet të ndihen krenare që pikërisht në këtë botën sportive të pazëvëndësueshme për meshkujt del dhe ofron informacionet më të fundit një e gjinisë së tyre!(qesh). Pasi jemi mësuar me faktin që sporti është më tepër për meshkujt dhe femra nuk mund të dijë, apo të ndjekë aq shumë rreth kësaj fushe sa mundet një mashkull. Por ja që nuk është absolutisht kështu. Mua më duket një sfidë mjaft interesante dhe e bëj me shumë kënaqësi.

Je diplomuar për regji, mos televizioni të josh më shumë?
Televizioni më pëlqen, por nuk ka asgjë që të më joshë më tepër se dega për të cilën jam diplomuar. Regjisura është pasioni im më i madh dhe profesioni i vetëm tek i cili unë shoh veten time. Nuk do e ndërroja me asgjë tjetër.

Ndërkohë të kemi parë si aktore në një film televiziv. Si ishte kjo eksperiencë?
Në fakt kam patur dhe eksperienca në film dhe mbase mund të kem dhe të tjera në vazhdim, pasi filmi më pëlqen shumë, aq më tepër që ka mjaft lidhje dhe me degën për të cilën unë kam studiuar. Një ndër lëndët kryesore që kam patur për katër vite rresht ka qenë pikërisht mjeshtëria e aktorit dhe ka qenë e preferuara ime!

Çfarë është ajo gjë që ti dëshiron me të vërtetë të bësh?
Regjisore dhe këtë e them me zë të lartë dhe mjaft e sigurtë. Kam investuar me vetëdije të plotë dhe dëshirë shumë të madhe për katër vite të jetës sime për këtë profesion dhe pasioni për të sa vjen e më shtohet.

Bukuria të ndihmon të hapësh rrugët në karrierë?
Varet nga karriera që ti ke zgjedhur të bësh. Paraqitja e jashtme mund të jetë një kusht i rëndësishëm e padyshim të ndihmon kur ti zgjedh të shfrytëzosh imazhin tënd në ekran, por edhe në këtë rast bukuria i ngelet vetëm prezantimit të parë. Më pas janë shumë cilësi të tjera që të duhen për të vazhduar. Pasi ekrani kërkon një zë dhe diksion të mirë e një komunikim sa më të natyrshëm me kamerën dhe spektatorin dhe jo vetëm një paraqitje të bukur. Por nëse do flasim për një profesion ku nuk të duhet të shfrytëzosh imazhin, atëherë mendoj se këtu nuk të hyn fare në punë bukuria, por zotësia.

Po disavantazhet e një vajze të bukur cilat janë?
Nëse kjo vajza e bukur që thua ti (buzëqesh) është vetëm kaq dhe kërkon të shfrytëzojë dhe të eci para vetëm në sajë të paraqitjes së saj të jashtme, atëherë disavantazhe mund të ketë pafund dhe ajo të ngelet pa bërë asgjë. Por nëse i shtojmë kësaj formimin e duhur, talentin dhe punën në atë çfarë ka zgjedhur të bëjë, atëherë bukuria nuk përbën asnjë problem, madje kalon në radhë të dytë.

Çfarë s’të pëlqen tek vetja?
Unë jam kritikja më e madhe e vetës sime. Asnjëherë nuk jam e kënaqur dhe të ishte për mua do ta shmangia të shikoja veten në ekran, se gjithmonë do gjej pafund gjëra tek vetja që nuk më pëlqejnë. Por s’kam çfarë bëj. Jam e detyruar ta shoh veten, se nëse ka diçka që nuk shkon, të më vlejë për herën tjetër! Ndërsa në jetën e përditshme nuk i kushtoj fare rëndësi pamjes së jashtme. Më mjafton të ndihem rehat me veten dhe jam ok.

Cila është gjëja që të emocionon më tepër?
Janë të shumta gjërat që më emocionojnë në fakt, pasi jam tip shumë i ndjeshëm. I përjetoj shumë, si të mirat, edhe të këqijat. Çdo film apo dokumentar me histori të dhimbshme më bën për të qarë. Por emocionet më të forta i kam për njerëzit e mi më të dashur, familjen ime. Më lumturon çdo buzëqeshje e tyre dhe më bën të vuaj çdo fytyrë e tyre sado pak e vrenjtur. Jam shumë e lidhur me to.

Nëse pas pak vitesh shëndoshesh shumë dhe e humbet pamjen tënde, do ta doje më pak veten?
Kjo në fakt nuk do ishte ndonjë habi pasi unë me oreksin jam goxha mirë (qesh), por kam shpëtuar falë metabolizmit të mirë deri tani. Por në asnjë mënyrë nuk do ta doja veten më pak për këtë arsye, madje nuk do të më shqetësonte aspak ky fakt, mjafton të gëzoj shëndet të mirë.

Mendon se po ta humbisje bukurinë, do të humbisje dhe shumë nga personat që të rrinë pranë?
Personat që unë kam zgjedhur të më rrinë pranë nuk janë të tillë….as nuk i afrohen një formati të tillë njerëzish, për këtë jam e sigurt. Më shokon fakti që mund të ekzistojnë njerëz të tillë.

Tregon kujdes se me kë shoqërohesh?
Unë i kam zgjedhur prej kohësh njerëzit me të cilët shoqërohem dhe duke qenë se kam vite që i njoh kam arritur të krijoj besim të plotë tek këto persona. Nuk mundesha dot të shoqërohem me njerëz që nuk i njoh mjaftueshëm. Nuk do ndihesha komode.

Më kollaj zë miqësi me një femër apo me një mashkull?
Nuk është gjinia ajo që më shqetëson, por tipi i njeriut. Unë nuk mundem dot të krijoj kollaj miqësi me dikë në fakt, pasi më duhet ta njoh mirë e për një kohë të gjatë dikë që të krijoj besim e ta quaj mik/mikeshë. Kjo shpjegon dhe rrethin e ngushtë shoqëror që unë kam, njerëz që i njoh prej vitesh tashmë. Mund të kem njohje shumë, por shumë pak janë miqtë, të cilëve unë u besoj gjithçka timen.

Çfarë nuk të pëlqen por je e detyrur ta bësh?
Nuk më detyron dot asgjë dhe askush të bëj gjëra që nuk më pëlqejnë…(qesh)

Dime se je e dashuruar…
Jam, jam, po a të mbaj dhe ndonjë gjë për veten time unë, se ti tregova të gjitha?! (qesh)

Bie shpesh në dashuri?
Po, pooor me të njëjtin person….më ka ndodhur vetëm një herë deri tani.

Cila është ëndrra jote?
Të kem një ishull të tërë timin, sa më larg, ku të shkoj e të rri sa të dua dhe me kë të dua, sa herë lodhem, mërzitem, apo kam nevojë për t’u qetësuar. Do thuash ti nuk dashkam hiç ?…po kot nuk quhet ëndërr, ndodh dhe që nuk realizohet!…Hahahahaha!

Ke bërë mëkate deri tani?
Për sa kohë ekziston tundimi te njeriu, fle dhe mëkati ngjitur. Nuk ma do mendja të ekzistojë dikush që nuk e ka bërë ndonjë të vockël, qoftë dhe në mënyrë të pavetëdijshme, pa të keq! E rëndësishme është mos të cënosh njeri e të mos bësh gjëra me keqdashje. Unë besoj shumë në Zot dhe i trembem shumë gjykimit të tij, pasi mendoj se gjithkush merr në fund atë që meriton.

Joshëse, lozonjare, shpërthyese…Cila ju përshtatet më shumë?
Mendoj se këto janë tipare që ti vënë më mirë në dukje të tjerët! S’di të them se cili prej tyre mund të më përshtatet…(qesh)

Të pëlqen jeta e natës?
Më pëlqen qetësia në përgjithësi dhe vendet e qeta. E frekuentoj shumë rrallë jetën e natës, ndonjë fundjavë vere. Kjo ndodh pasi puna e ngjeshur gjatë vitit më bën të kërkoj më tepër të qetësohem në kohën e lirë që kam. Jeta e natës më duket pak e lodhshme.

E mendon martesën?
Fati im më i madh është që jam rritur në një familje të mrekullueshme, që më ka dhënë një shembull shumë të mirë për të ndjekur. Ndaj as martesa, as krijimi i familjes nuk më tremb aspak, kurdo të vijë!

Si e mendon vete pas dhjetë vitesh?
Me dhjetë vjet më shumë eksperiencë dhe pjekuri profesionale…të paktën për këtë do përpiqem!