Asnjë tifoz juventin nuk do ta kishte menduar që faktori kryesor në fitimin e Kupës së Italisë do të ishte pikërisht Milani. Dy gafa të Donnarumma-s dhe një autogol i Kalinic-it i dhanë fitores “Zonjës së Vjetër” ndaj kuqezinjve me rezultatin 4-0. Juvja e fiton Kupën e Italisë për të 13 herë në histori dhe të 4-ën herë radhazi. Asnjë klub nuk ia kishte arritur më parë. Poker golash në stadiumin “Olimpico” në një ndeshje që e shton edhe më shumë stresin në klubin kuqezi. Nga duart klubit milanez i iku një biletë për në Evropë sezonin e ardhshëm. Tani do t’i duhet që ta arrijë nëpërmjet kampionatit.

“Djalli” u pa në fushë vetëm 45 minutat e para, kurse në të dytat i tronditi tifozët e vet. U desh vetëm pak presion i bardhezinjve që kuqezinjtë t’i kapte paniku dhe të bënin më pas gafa të pafalshme. Por habi solli ndryshimi i menjëhershëm i formës së Milanit, që në pjesën e parë ishte i barabartë me Juven, ndërsa në të dytën u shpërfytyrua.

Pjesa e parë nisi me Juven më kërkuese. Por te Milani e patën situatën në kontroll dhe nuk e ndien veten në rrezik. Në përgjithësi 45 minutat e para ishin të ekuilibruara dhe rastet për gol të pakta, diçka e zakonshme në finalet që luhen midis këtyre dy skuadrave. Kuqezinjtë u treguan të sigurt në prapavijë, duke mbyllur mirë hapësirat, ndërsa edhe bardhezinjtë u shfaqën të kujdesshëm.

Në pjesën e dytë, e gjithë situata ndryshoi. “Djalli” dha shkëndijat e para me dy raste të Calhanoglu-së dhe Cutrone-s, ndërsa më pas, situatën e mori në kontroll “Zonja e Vjetër”. Në të 55, Dybala vuri në provë portierin Donnarumma, me një gjuajtje të fortë nga jashtë zone, por 19 vjeçari e grushtoi.

Në goditjen e radhës së këndit, Pjanic krosoi dhe aty Benatia i pashqetësuar e futi topin në rrjetë. VAR vendosi që ishte gol, me kuqezinjtë që protestuan për faull. Me ëktë gol, Juvja konfirmohet ekipi që realizon më shumë në pjesën e dytë.

Në të 60, Dybala tentoi sërish me një gjuajte të fortë, por gardiani i kuqezinjve ishte gati. Pas 1’ erdhi goli i dytë me autor Douglas Costa-n. Por ndihmë të madhe mori edhe nga Donnarumma, të cilit i iku topi na duart.

“Djalli” pas dy golave të pësuar u duk i tronditur. Por makthi nuk kishte mbaruar. Në të 64’, Pjanic gjuajti goditjen e këndit, Manduzukic goditi me kokë drejt portës dhe aty Donnarumma gaboi në pritje, duke i dhënë mundësinë begatia-s që të realizonte golin e dytë të takimit.

Një tjetër gafë e 19 vjeçarit që i dha një ndihmë të madhe “Zonjës së Vjetër” për ta fituar Kupën e Italisë. Por nuk ishte e thënë që gabimet të përfundonin me këtë rast. Në të 76’, Kalinic realizoi autogol, pas goditjes së këndit të gjuajtur nga Pjanic. Më keq se kaq, nuk kishte ku të vinte për kuqezinjtë. Juvja kontrolloi lojën deri në fund, me “Djallin” të pafuqishëm për të rrezikuar seriozisht. Juvja e ka thuajse të fituar dyshen e titujve edhe për këtë vit, për të katërtën here radhazi. Vetëm matematika e ndalon./EDS/