Familjarë dhe të afërm të kuksianëve që u arrestuan për protestën e Kalimashit në 31 Mars, nisën një protestë tjetër në Shkodër ku do të zhvillohet seanca e rivlerësimit të masës së arrestit për kuksianët që ndiqen penalisht, jo vetëm 11 të burgosurit, por edhe të 12 të tjerët, që janë në arrest shtëpie apo ndiqen në gjendje të lirë.

Protestës iu bashkuan edhe mbështetës të opozitës, ndërsa deputetët e PD dhe LSI udhëtuan drejt Shkodrës për të ndjekur nga afër gjyqin. Gjykata e Apelit në Shkodër ishte e rrethuar nga 150 policë që ruanin godinën, ndërsa protestuesit qëndronin jashtë saj me thirrjet “Lironi vëllezërit tanë”, “Poshtë Fatmir Xhafaj” apo “Poshtë Saimir Tahiri”.

Avokatët e të arrestuarve denoncuan falsifikimin e dokumentave të arrestimit, me pretendimin se kuksianët e morën nga shtëpitë e tyre në mesnatë në kundërshtim me ligjin.

Si prova u depozituan në gjykatë pamjet e arrestimit nga kamerat e sigurisë që tregojnë forcat speciale që arrestojnë kuksianët në orën 03:00 pas mesnate, ndërsa në dokumentat e prokurorisë është shënuar ora 10:00 e paradites së të nesërmes si moment i arrestit.

Gjykata e Apelit nuk i pranoi provat e reja, ndërsa jashtë sallës situata është tensionuar, kur protestuesit kanë ndezur tymuese me thirrjet kundër qeverisë.

Moment nga protesta kundër vendosjes së tarifës në Rrugën e Kombit

Në protestën e 31 Marsit në Kalimash, qindra qytetarë kuksianë të irrituar me taksën 10 euro protestuan kundër vendimit të qeverisë. Protesta u përshkallëzua dhe kuksianët hynë në pikën e pagesës së taksës duke shkatërruar dhe djegur kabinat, sportelet dhe trarët e vendosura nga kompania private që ka fituar konçensionin.

Në mesnatë, policia nisi bastisjet në Kukës dhe 23 persona u arrestuan. Për disa ditë në qytet qëndruan forcat speciale, por pavarësisht arrestimeve dhe presionit, Edi Rama vendosi të tërhiqej nga taksa 10 euro, vetëm për disa muaj, duke premtuar lehtësira për banorët e Kukësit.

Të arrestuarit në Apel sot:

Shpëtim Toda, Xhevahir Hereni, Elton Cengu, Florin Onuzi, Shkëlqim Vata, Xhevahir Gashi, Ervis Ruçi, Rasim Onuzi, Vasil Laçi, Abdi Haziri dhe Edmond Matmuja.