Askush nuk do kishte menduar se dy qeverisje të dy partive që pretendojnë se janë aq të ndryshme nga njëra – tjetra, do kishin rezultuar në një dramë popullore. Në një kërkesë mëse të natyrshme për rotacion, çdo qytetar i Republikës kërkon që qeverisja që vjen të jetë më e përgjegjshme, më e kujdesshme, më realiste, më e ndjeshme dhe natyrisht më e përulur se ajo e mëparshme.

Kjo nuk ndodhi. Dalja jashtë kontrollit e kanabizimit të territorit të Shqipërisë, bashkë me vetë emërtimin si vend i prodhimit me masë të drogave dhe i trafikut te tyre, ishte një goditje shumë e fortë ndaj logos së qeverisjes. Kjo ndodhi që në muajt e parë dhe u fsheh me nervozizëm nga pushteti, madje dhe në biseda private.

Kanabizimi i vendit ishte Gërdeci i kësaj qeverisjeje. Për t’i shkuar tendencës popullore për krahasim, do të duhej që për të qenë njësoj si e mëparshmja kjo qeverisje të vriste katër njerëz në bulevard, që në debatin pro dhe kundra të fajësohen njëlloj të dy kundërshtarët me të njëjtin krim. Skenë që nuk kishte gjasa të përsëritej dy herë. Por largimi i më shumë se gjysmë milioni shqiptarësh dhe mbetja kokëfortë e Shqipërisë në krye të listës së azilkërkuesve, bashkë me shkatërrimin e shpresës për ndërtimin e një shteti të drejtë dhe ligjor u trajtua nga analistë të huaj (të cilët u anatemuan gjithësesi) si një si-vrasje numerike, por më e sofistikuar, që nuk kishte konkurueshmëri me të vrarët në bulevard, vetëm sepse trupat e të ikurve nuk dergjeshin pllakave të dëshmorëve të kombit, por në kampe të qelbura refugjatësh dhe barqet gjithë tym, benzinë e dhe’ të mauneve që udhëtonin për në Angli nga Kaleja.

Ne psiqikën e frustruar e të lodhur të popullit tim, përgjimet dhe zëri i shqueshëm i ministrave hajdutë, e të panginjur, halabakë dhe të trembur për vdekje nga shefi dhe mëkëmbësi i tij i përgjithshëm, duket se janë të pamjaftueshme për zemërim. As e folura çapraz e dikujt që duhet të jepte zgjidhje e do të duhej të punonte më shumë dhe të fliste shumë më pak, ose aspak, nuk duket se ka shkaktuar deri sot një shqetësim. Psikologët mund të shohin një marrëdhënie të çuditshme mes liderit dhe njerëzve të zakonshëm në Shqipëri. Ne i dukemi qeverisjes numra të (polls), të përgjumur e në trans. Vetëm dalja afro 10% në zgjedhjet e fundit farsë e shqetësoi atë. Aspak mërzia dhe palumturia, kritikat dhe lënia e vendit, talljet online. Jo. Ishin numrat në polls që e mbanin në këmbë çaprazllëkun. Pas rënies dramatike të numrave vjen squllja. Dhe hakmarrja. I dhimshëm si teatër. Kur mendon se kush e bën dhe si ja del.

Por nuk do ishte vetëm arroganca shtetërore që shkakton një stepje të njeriut të zakonshëm. As ekonomia në gjunjë. As mungesa e komunikimit normal mes shtetit, pushtetit, opozitës dhe popullatës. As mosfunksionini i institucioneve kushtetuese. As dakordësimi i dyshimtë për të ruajtur statukuonë prej ambasadorëve të përfaqësive të huaja.

Është mungesa e limiteve të fyerjes, të konspiracioneve të tryezave për të thyer kundërshtarët dhe ata që mendojnë ndryshe. Është toka e djegur e parimeve morale dhe të edukatës së domosdoshme që në fakt, duhet thënë, do te duhej të vinte nga prindërit. Për çdo diktator me vese, e para që dështon është nëna.

Nuk janë pushtetarët e devijuar dhe amoralë. Jemi edhe ne të gjithë që i pranojmë. Nuk ka fajtorë të pjesshëm dhe faj gjysmak. Ajo çka është paradoksale dhe e pakuptueshme, pra dhe e paturpshme, është se qeverisja ka vendosur të kryejë me kokëfortësi dy aksione që e lexojnë shëmtuar dhe përfundimisht. Nga njëra anë hapur ka vendosur të pasurohet dhe pasurojë shërbëtorët, dhe nga ana tjetër të lërë pa bukë dhe pa punë, e për këtë shkak pa fjalë, ata që mendojnë ndryshe. Ne u çartëm kur kjo ndodhi ke qeverisjet e mëparshme. A kemi kujtesë apo jo? U tmerruam. Reaguam.

Por në mandatin e dytë të kësaj qeverisjeje ka edhe elementë komiciteti përtej presionit. Nuk të sulmon vetëm shteti dhe segmente të çmendura të tij, por në mënyre kapilare dhe të mirëorganizuar të sulmojnë ish shoke e shoqe shkollash, bashkë me prindërit e tyre të çuditur, kunetër e kunata të tyre, fqinj të inatosur dhe shokë tavolinash të vjetra e të vlefshme.

Është as më pak e as më shume lënia që gjindja i bënte një njeriu kur pushteti i Enver Hoxhës vendoste ta hidhte në plehra. Kaq i thellë është polarizimi. Pothuaj i pashpëtim. Ndaj dhe të trishton.. E njëjta sjellje njerëzore. Ti, me të vërtetën tënde që tanimë për shkak të Trampit është vetëm një nga të vërtetat alternative, ndjehesh jo vetëm “vetëm” dhe i sulmuar por po aq i pakuptuar. Është një betejë jo e lehtë, jo e barabartë. Nuk është e vërtetë që përballë të qëndron veç propaganda e shfrenuar e kakofonike. Përballë e anash, me një observim të pafshehur të ndjekin ata me të cilët ke ndare dikur një ëndërr të madhe për demokraci, pushtet të ndershëm e llogaridhënës, shtet të drejtuar nga teknokratët dhe jetë që nuk të trazohet nga zhurma portalesh me sulme të paprincipta.

Po çfarë duam ne. Pse i qasemi të vërtetave kështu, përse nuk i shërbejmë pushtetit që tja hedhë pas vjedhjes së votave, anatemimit të individëve, shkatërrimit të bizneseve dhe fshehjes së skandaleve. Ne duam një vend normal. Ku nuk bëhet gënjeshtra mënyre të qeverisuri dhe ku qeverisësit duhet ta ndjejnë se besimi popullor dhe leja për të qeverisur janë të rëndësishme por dhe të përkohshme. Qëllimi i informimit tonë dhe i gazetarisë që bëjme është të ndikojmë. Jo në mënyrë egoiste apo për një axhendë të caktuar. Ne e dimë se në çdo familje shqiptare që është e lumtur pse partia e tyre është në pushtet, ka një moment qartësimi, qofte ai dhe momental.

Ka një moment analize. Ka një çast kur vështrimi kritik mundohet ta kalojë membranën propagandistike. Këto familje të majta si dhe ato historikisht të djathta ose inerte janë të rëndësishme për fatet e vendit. Militantizmi i tyre e vendos vendin përpara sprovave të pjelljes së diktatorëve. Nëse këto familje të majta konformohen, shurdhohen, verbohen, u mbytet analiza, ajo që e pëson goditjen është e ardhmja. Në këto rrethana në rrisim fëmijë që do bëhen burra e gra narciziste, egoiste, sipërfaqësore dhe moralisht të devijuar. Siç fatkeqësisht ndodhi me këtë brez.

Sidoqoftë, në momentet e presionit më të madh të ushtruar nga qeverisjet, sipas një aksiome të artë që do te duhej te ruante ekuilibrin universal, nis dhe çarja përfundimtare, si pararendëse e vetë fundit. Metri i fundit përpara se një avion të prekë token quhet djujmi i fundit. Pra jemi në djujmin e fundit.

Njerëzve të inatosur e hakmarrës të çdo pushteti, kaq të njëjtë me njeri – tjetrin u themi se “ishin dikur e ardhmja”. Ka ardhur një kohë tjetër. Shqipërinë që ata nuk e bënë dot duhet ta bëjmë të gjithë si qytetare të angazhuar, që nuk u shpëton asgjë dhe që kërkojnë nga klasa politike profesionalizëm dhe ndershmëri.

/lapsi.al