Regjisori Spiro Duni rikthen në skenën e Teatrit Kombëtar, pas 15 vitesh, veprën “Këngëtarja tullace” të dramaturgut Eugen Ioneco, një nga komeditë më të diskutueshme, që edhe vetë autori i saj e quan antikomedi. “Këngëtarja tullace” përcjell mesazhet e duhura për një botë, ku nuk drejton arsyeja, por absurdi, mesazhe që i përshtaten tërësisht realitetit shqiptar. Lojë e profesioniste e aktorëve Roland Trebicka, Bujar Asqeriu, Marjana Kondi, Anila Bisha, Flaura Kureta dhe Sajmir Sina.

Duhet guxim për të provuar me Ionesko-n, guxim që e mori regjisoi Spiro Duni, për të vënë në skenë një nga kryeveprat e teatrit absurd, në skenën e teatrit shqiptar.
Eshtë vepra e tretë që Duni ngjit brenda një sezoni në TK, pas “Fërshëllimë në erresirë” (Tom Murphy) dhe “Mbroni shpellarin” (Rob Becker) produksion i “Studio Teatër Po”. Pas një drame dhe një “One man show (ku Duni ishte aktor dhe regjisor), tani ndalet tek teatri i absurdit.
“Këngëtarja tullace” është një dramë larg elementeve të dramës tradicionale, larg poetikës së Aristotelit. Eshtë një vepër që nuk mbështetet në atë që ne quajmë intrigë, zhvillim, mes dhe mbarim. Vepra ka si qëllim zbavitjen, atë zbavitje që quajmë “entertainment” dhe që i intereson më shumë spektatorit”, thotë Duni.
Dhe kjo që thotë Duni, është plotësisht e vërtetë. Kjo (anti) komedi absurde, fillimisht të zbavit me kotësinë e saj, e më pas të bën të mendosh pikërisht për kotësinë e saj. Ajo çfarë thuhet në skenë është totalisht absurde, e pakuptueshme, por kuptimësia jonë vjen pasi kemi dalë nga teatri dhe nisim t’i shohim gjërat me syrin e Ionesko-s dhe përmes zbërthimit të Dunit. Sepse ta zbërthesh dhe ta ngresh këtë ngrehinë në dukje boshe, në skenë, është një qasje e vështirë.
Kur në vitin 1948, komedia “Këngëtarja tullace” e Eugen Ionesko-s, u vu në skenë në një teatër parisien, u shitën veç shtatë bileta, dhe shfaqja u anulua. Edhe pas tre muajsh ajo sërish dështoi, s’pati publik. Vetëm pas tre vitesh, në vitin 1952, në kryet e saj u vendos përfundimisht kurora e dafinave dhe qysh atëherë e deri më sot nuk shkulet nga teatrot botërorë, ndërsa në Teatrin e Komedisë Franceze në Paris ajo ka mbi 50 vjet që rri në repertor. “La cantatrice chauve” është vepra e parë teatrale e Eugen Ionesko-s. Autori rumun, në 1948-ën vendosi të mësojë gjuhën angleze dhe për këtë bleu një manual bashkëbisedimi. Për t’u praktikuar, Ionesko kopjonte në një fletë frazat e manualit. Duke vepruar në këtë mënyrë, ai vuri re banalitetin e përmbajtjes së frazave si “tavani është lart, dyshemeja është poshtë”, “ditët e javës janë shtatë”, etj. Dhe ishin këto fraza që e frymëzuan Ionesko-n për të shkruar “Këngëtaren tullace”. Një vepër e cila cilësohet si e para e një lloj teatri që në atë kohë ishte në fillesat e tij, teatri të absurdit. Ionesko është shprehur se: “Duke shkruar këtë komedi (sepse çdo gjë është transformuar në një komedi ose antikomedi, është një imitim i keq i një komedie, një komedi brenda një komedie), më përshkonte një ndjenjë ligësie, një marramendje që më shkaktonte të përziera. Shpesh isha i detyruar të ndërprisja punën dhe të pyesja veten me kokëfortësi se cili shpirt i lig më detyronte të vazhdoja të shkruaja. Shkoja të pushoja në kanape, me frikën se do ta shihja të zhdukej në hapësirë; dhe unë bashkë me të”….
Kështu lindi komedia “Këngëtarja tullace” dhe kështu kjo kryevepër e teatrit absurd hyri në repertor. Për herë të parë në Shqipëri është vënë në skenë para 15 vitesh, me regjinë e Agim Qirjaqit, ndërsa tani e rikthen në një koncept të tij regjisorial, regjisori Spiro Duni.

Komedia
Struktura e ndërtimit të shfaqjes, përbën një aspekt që zgjon interes kur bëhet fjalë për një vepër të Ionesko-s. Komedia nuk i përmbahet linjës klasike të teatrit, në vepër nuk ka kalim nga dramatikja në tragjike, nga fatkeqësia e pjesshme në fatkeqësi të plotë, por kalim dinamik nga pakuptimësia e pjesshme në pakuptimësinë e plotë. Megjithatë, teatri absurd i Joneskos nuk përkthehet në teatër që nuk kuptohet. Absurdi vesh anën e jashtme të personazheve, kotësinë e gjesteve, veprimeve dhe jetës së tyre, duke mos e rrezikuar kuptimin e veprës. Ajo çfarë thuhet është abusurde, por loja e aktorëve është shumë konkrete, është realiste. Absurde është jeta e këtyre njerëzve, jo marrëdhënia dhe dialogu. Publiku e kupton shfaqjen dhe reagon gjatë saj.
Komedia ndërtohet në 11 skena dhe ka të bëjë me 6 personazhe. Zoti dhe zonja Smith (të zotët e shtëpisë), zoti dhe zonja Martin (mysafirët e tyre), Maria (shërbëtorja e shtëpisë )dhe zjarrfikësi.
Skena e parë na çon direkt në shtëpinë e Smith-ëve. “Eshtë një dhomë e një familje borgjeze angleze, me karrige angleze. Një mbrëmje angleze. Zoti Smith, anglez, është ulur në karrigen e tij angleze, ka veshur pantofla angleze, dhe po pi nga llulla e tij angleze, ndërsa lexon një gazetë angeleze, pranë një zjarri anglez. Ai ka syze angleze, një mustak të imët ngjyrë gri, anglez. Pranë tij, në një karrige tjetër angleze, Zonja Smith, angleze, është duke thurrur disa çorape angleze. Një moment i gjatë qetësia angleze. Ora angleze kumbon 17 gjuajtje angleze”. Ky është përshkrimi i situatës dhe personazheve që bën Ionesko që në krye të herës, ndërsa burrë e grua nisin një bisedë “të lehtë” mes tyre e të pakuptimtë. Ata ngatërrojnë të vdekurit me të gjallët, ngjarjet reale me ato që nuk kanë ndodhur kurrë, fëmijët e tyre me fëmijët e botës, nuk kanë orë në shtëpi dhe gongu që tregon kohën, ecën mbrapsht. Mbërrijnë mysafirët e tyre, jo më pak të mistershëm, që nisin edhe ato të flasin plot kundërshti dhe ku zënë vend jo pak mistere ekzistenciale. Ato janë të martuar prej vitesh dhe nuk e dinë se janë pikërisht burrë e grua, më tej ngatërrojnë e përkëdhelin partnerët respektivë të çiftit tjetër dhe kjo në asnjë moment nuk shqetëson askënd. Ardhja e zjarrfikësit e shton absurditetin e situatës, pasi thellohen në dialogje të kota dhe nisin të tregojnë barsaleta të pakuptimta, ndërkohë Maria, shërbëtorja hyn në skenë për të recituar një poezi vulgare. Në skenën e fundit, gjithçka ka përfundura në një kakofoni thëniesh, fjalësh, tingujsh të pakuptimta, si në një garë për dominancë. Personazhet të gjithë sëbashku, nën peshën e inatit, ulërasin në veshin e njëri-tjetrit. Fiken dritat. Në errësirë dëgjohen në një ritëm gjithmonë e më të shpejtë. Të gjithë sëbashku flasin: Nuk është atje, është këtu! Nuk është atje, është këtu! Nuk është atje, është këtu! Nuk është atje, është këtu! Nuk është atje, është këtu! Nuk është atje, është këtu!
Fjalitë pushojnë së dëgjuari menjëherë. Më pas, pasi hapen dritat, Zoti dhe Zonja Martin, janë të ulur në karrige në të njëjtat pozicione si çifti Smith në fillim të pjesës. Pjesa rifillon me çiftin Martin, që thonë të njëjtat fjali si çifti Smith, gjersa perdja mbyllet lehetësisht. Dhe kështu përfundon komedia me titullin paradoksal “Këngëtarja tullace”.

“Këngëtarja Tullace” e Dunit
“Kjo komedi përcjell mesazhe të mëdha, mesazhe që i përshtaten realitetit shqiptar”, shprehet regjisori Spiro Duni, ndërsa shpjegon arsyet pse zgjodhi këtë pjesë për ta vënë në skenë. “Mesazhet janë shumë me vlerë në një kohë kur nuk drejton arsyeja, por absurdi, në një kohë kur gjuha nuk është mjet komunikimi, por gënjeshtre e mashtrimi dhe fjalët janë kthyer në “lëvozhga” tingujsh pa kuptim”.
Vetë regjisori duket se ka një lloj ndjeshëmrie të veçantë për teatrin absurd. Ai e sheh si çlodhje këtë lloj teatri, pasi mendon se dramat e rënda e lodhin më shumë, ndërsa teatri absurd ka një lloj frymëmarrje. “Unë nuk mund të vazhdoj gjithmonë me një teatër që quhet realist apo tradicional, thotë ai. Unë nuk dua të hyj në diskutim për teatrin absurd. Detyra është e jona që të bëjmë këtë lloj tjetër teatri, kur njerëzit kanë humbur komunikim mes tyre, kur bota është në këtë udhëkryq, që dirigjohet nga absurdi dhe jo nga logjika”.

Aktorët
Gjashtë personazhet e “Këngëtares tullace” interpretohen nga aktoret Roland Trebicka, Bujar Asqeriu, Marjana Kondi, Anila Bisha, Flaura Kureta dhe Sajmir Sina.
Roland Trebicka, që interpreton rolin e zotit Smith dhe pa të cilin regjisori Duni thotë se nuk mund ta bënte dot shfaqjen, sjell një lojë brilante. Solemniteti i fjalëve të tij, shndërrohen në kotësi dhe budallallëk, me vetësigurinë dhe gjestin pompoz të një ushtaraku mbushur përplot me dekorata. Edhe veshja e tij është një tallje: një fustanellë, që të kujton diku-diku fustanellën skoceze, që duhej të jepte sensin e vetëdijes nacionale skoceze, por përkundrazi shndërrohet në një objekt përtalljeje. E këndshme është edhe Mariana Kondi në rolin e zonjës Smith. Ajo shfrytëzon hijshëm plastikën dhe portretin, sikurse stilizimin e disa replikave, të qeshurën etj. Bujar Asqeriut në rolin e zotit Martin, ndërton tipin e tuhafit, e njeriut të shushatur, të shastisur e të budallallepsur, që e kishte humbur të shkuarën e vet, rrjedhimisht sensin e reagimit në kohë. Edhe Anila Bisha në rolin e zonjës Martin, plotëson mirë lojën e talljes me lojën e personazhit të saj, mimikën dhe gjestet, duke krijuar një dyshe perfekte me bashkëshortin tuaf. Ndërkohë dy aktorët e rinj, Sajmir Sina dhe Flaura Kureta, në rolin e zjarrfikësit dhe shërbëtores Maria, sollën freski dhe thellim me interpretimin e tyre ndonëse janë në hapat e parë.

Skenografia
Skenografia e kësaj vepre është ndër më të veçantat. Një skenë ku nuk ka çudira të mëdha figurative, por kryesisht objekte që funksionojnë dhe janë multifunksionale.
P.sh një karrige përdoret për shumë gjëra, ashtu sikurse është dhe ky lloj teatri që nuk mban figura skenografike. Skenografia dhe kostumografia, elementë që i japin ngjyrë komedisë, janë realizuar nga Ilirian Sadiku.

“Këngëtarja tullace” (La Cantatrice Chauve) është shkruar nga dramaturgu rumun Eugen Ionesko (1909-1994). Si një nga autorët e ndaluar të letersisë dhe dramaturgjisë moderne të shekullit të XX, Ionesko pa dritën e skenës shqiptare vetëm pas viteve ‘90. Prej tij janë vënë në skenë “Mbreti po vdes”, “Rinocerontët”, “E ardhmja qendron tek vezët” dhe “Karriget”.