Klodjana Shala, sportistja që me finesë ka ndërtuar botën e saj reale të rekordeve dhe të emocioneve, tregon se ka ardhur koha të ketë një fëmijë. Rekordmenia në një rrëfim privat, zbulon sekretet e një jete gjithmonë në start. Asnjë celebrim, pa vello dhe fustan të bardhë, prej 14 vitesh ajo bashkëjeton me partnerin e saj, Taulant Stërmasi, i cili përveçse ka marrë përsipër ta bëjë këtë grua të lumtur, premton ta nxjerrë sërish rekordmene, si trajner i saj.

Nga Neritana Kraja

Në çantën e saj të udhëtimit mund të mungojë buzëkuqi për buzët, por kurrsesi nuk mund të mungojnë atletet me thumba dhe kostumi sportiv. Jeta e atletes Klodjana Shala, gjithmonë ka qenë me çantën e hedhur mbi sup. Herë me çantën e stërvitjes dhe herë me atë të udhëtimit. Pas çdo seance stërvitore të lodhshme dhe të mundimshme, vijnë garat dhe olimpiadat, medaljet dhe rekordet. Megjithëse pjesën më të madhe të kohës e kalon me atlete dhe tuta sportive, për takimin tonë ka një veshje elegante, taka të larta dhe mini. Është ora 11 e paradrekes dhe Klodjana ka përfunduar pjesën e parë të stërvitjes, është kthyer në shtëpi për një dush dhe ndodhet e rehatuar në kolltukun e rrëfimit. Ky është rituali i saj çdo dite, që pasditeve vijon sërish me stërvitje dhe ky ritual përsëritet i tillë edhe të shtunave apo të dielave, pavarësisht nëse është verë apo dimër, diell apo shi.

Ka një natyrë shumë të mirë, është e qeshur dhe konfidenciale, gjë që e bën bisedën më të lirë dhe kohën të rrjedhë shpejt. Nga biseda me të kupton se ke përpara një femër të fortë dhe delikate njëkohësisht, sportive dhe elegante, të bukur dhe mjaft sociale. Pas intervistës i duhet të shkojë në një aktivitet bamirësie, ndërkohë që i telefonojnë miqtë e spektaklit “Dancing with the stars”. Ajo është gjithmonë në qendër të vëmendjes. Një sportiste e talentuar dhe një grua e bukur. Mbi të gjitha  e lumtur.

Klodjana, si fillon dita jote?

E ngarkuar në maksimum, zgjohem që në ora shtatë të mëngjesit, direkt shkoj në stadium. Pas stadiumit merrem me aktivitetet e mia, zbatoj një regjim të mirë ditor dhe pastaj përsëri me sport.

Është i rëndësishëm regjimi për një sportist?

Për mua është jashtë mase i rëndësishëm, jo vetëm për mua, por për të gjithë sportistët profesionistë, regjimi është shumë i rëndësishëm, pastaj vijnë të tjerat.

Ka pasur momente që je penduar se merresh me sport?

Ka pasur shumë momente të tilla dhe këto mendime kanë ardhur kur shihja infrastrukturën për sportistët që është zero. Por pendimi më ka zgjatur veç gjysëm ore, jo më tepër. Pikërisht për hir të këtyre kushteve unë jam larguar me Taulantin për tre vjet në Athinë, ku jam stërvitur atje dhe një ndër arsyet e ikjes sonë ishte pasi ne në Shqipëri nuk kishim stadium me tartan.

Ka sportistë që nuk u kthyen më nga perëndimi….

Të them të drejtën, jo vetëm unë, por të gjithë kemi pasur nga ndonjë ofertë, sepse me të vërtetë që sportistët shqiptarë janë shumë të zotë. Sportistët e huaj që në vogëli kanë pasur komoditet në çdo aspekt, ndërsa ne gjithmonë kemi vuajtur. Sa për vete, ndoshta kam qenë mirë ekonomikisht dhe nuk më ka shkuar nëpër mend që të rri atje. E them përsëri që sportin e kam bërë për veten time, për të ditur se deri ku do të shkoj dhe kush jam. Nuk e kam bërë për të fituar financiarisht. Pavarësisht se emri im është ngritur nëpërmjet sportit, është vullneti im dhe sakrifica që kam bërë, që më kanë ngritur në këtë imazh. Por është edhe fati që më ka ndihmuar.

Cili është momenti më i vështirë që ke përjetuar në sport?

Kur kam qëndruar gjashtë javë me paterica dhe doktori nuk po më jepte shpresë për të ecur dhe jo më për të vrapuar. Ishte një tmerr i vërtetë, sepse kur hyja në stadium unë vetëm qaja, kisha hekura nëpër këmbë, paterica nëpër duar, një këmbë të shkatërruar totalisht…Ai ishte një moment i tmerrshëm për këdo që mund ta kalojë këtë situatë. Pastaj moment i vështirë ka qenë viti 2000, Athina, kur në garën e Olimpiadës dola jashtë mase keq dhe as unë vetë nuk e di dhe nuk e kuptoj pse dola aq keq. Jam mbyllur katër ditë brenda dhe nuk kam dalur. Atë ditë unë mbusha 25 vjeç.

Po momentet e bukura?

Sigurisht në sport përfshihen të dyja anët e medaljes. Në 2005 unë dola tre herë kampione europe dhe i gjithë stadiumi në Stamboll thërriste emrin tim, duartrokisnin për mua. Kur kaloja atje qaja nga emocioni.

Moment tjetër i bukur është kur jam para garës dhe atletet e huajat thonë “Oh, qenka edhe kjo, Shala!”.

Çfarë përjeton emocionalisht dhe fizikisht para garës?

Është momenti më i vështirë. Ka pasur raste kur kam dashur të largohem para garës, të iki, kur nuk kam pasur besim vetja.

Para garës dua patjetër të kem një njeriun tim të më japë zemër, sepse sado e fortë që të dukem, unë jam mjaft e brishtë. Në gara është Taulanti që më ndjek me sy dhe nga shikimi i tij unë kuptoj se si jam. Zemra më del vendit nga emocioni. Më i

madh është pulsi para garës sesa kur mbaron gara.

 

Në çfarë moshe e ke filluar sportin?

Në fakt më thonë se e kam filluar e madhe sportin, në klasën e tetë, isha 14 vjeç.

 

Si jeni njohur me Taulantin?

Me Taulantin jemi njohur në 22 gusht 1996, ditën e ditëlindjes sime. Ai merrej me futboll dhe zhvisheshim në të njëjtën palestër. Ka qenë dashuri me shikim të parë. Pas katër pesë muajsh kemi filluar të bashkëjetojmë, ndërsa trajneri im personal është bërë në vitin 2002.

Si nisi bashkëjetesa juaj?

Atëherë ishte shumë e vështirë për ne dhe asnjë nuk e kuptonte, isha 17 vjeç. E vetmja që e kuptonte bashkëjetesën tonë ishte mami. Ndërsa të tjerët nuk e kuptonin dhe na thonin të martohemi. Në bashkëjetesën tonë unë e Taulanti jemi ndjerë shumë mirë, por njerëzit jashtë nuk janë ndjerë mirë, ishte kohë tjetër me tjetër mentalitet, që duhej të fejoheshe, të martoheshe dhe menjëherë të bëje bebin. Unë jam ndjerë jashtë mase mirë dhe e rekomandoj për të gjithë. Unë vazhdoj të bashkëjetoj prej 14 vitesh dhe ende nuk e kemi bërë celebrimin. Ndërkohë

që ceremonial dasme nuk më pëlqen fare të bëj. Një ditë bëra një listë paraprake për të parë se sa veta do më duhej të ftoja, nëse do bëja dasëm dhe lista doli mbi 400 veta. Nuk është problemi financiar, por problemi i vendit…

Pra, ju keni hequr dorë nga fustani i bardhë…

Do të shkoj një ditë në një dyqan nusërie, do të bëj foto dhe kaq. Martesën për mua nuk e simbolizon fustani i bardhë. Nuk është e thënë se do vesh atë fustan dhe çdo gjë do të shkojë vaj. E rëndësishme për mua është mirëkuptimi, që ne e kemi dhe kjo është kryesorja. Gjatë gjithë ditës unë më shumë rri me kilota dhe me streçe …dhe kjo nuk është e thjeshtë për një vend si ky i yni.

Për çfarë ziheni më shumë me Taulantin?

Hmmmm, sot pikërisht, e kemi lënë që do të bëjmë listën ku do shkruajmë se cili bën gabime, do i japë 50 mijë lek tjetrit (qesh). Unë kërkoj shumë rregull në shtëpi, ndërsa Taulanti është mësuar që t’ia bëj çdo gjë unë gati. Unë çdo gjë e bëj. Gatimin e bëj me kënaqësi të paparë. Sado që vij e lodhur nga strëvitja, unë gatuaj dhe bëj nga 2-3 gjëra që Taulanti të hajë të paktë njërën prej tyre, pasi ai ka mjaft naze.

Më bën përshtypja natyra jote e hapur për të marrë pjesë në çdo aktivitet ku të ftojnë….

Jam natyrë e hapur. Kam dëshirë të njoh njerëz të rinj, jo vetëm nga sporti. Unë gjithçka e marr lirshëm dhe gjithmonë jam vetvetja. Unë dua edhe të këndoj, edhe të kërcej, edhe të prezantoj spektakle. Më pëlqen të jem në qendër të vëmendjes dhe jo për të shitur mend, por për të kundërshtuar mentalitetin se artistët dinë vetëm të vrapojnë, ose të bëjnë gola. Unë dua të tregoj që edhe ne dimë të bëjmë shumë gjëra të tjera.

Cilat janë pasionet e tua?

Gatimi, leximi.

Si e kalon kohën e lirë?

Me shoqëri dhe shopping, që është terapi. Më pëlqen të shoh filma, kur kam kohë. Nuk para shoh shumë televizor se më zë gjumi shpejt në darkë.

Po projektoni ndonjë bebe?

Bebja në fakt ka munguar vetëm prej faktit se nuk kam pasur kohë, pasi unë bëj një vit stërvitje për gjysëm sekondi garë. Këtë vit e kam planifikuar që nga vjeshta të mendojmë seriozisht për një bebe. Më pëlqen të jetë djalë. Për bebet jam jashtë mase e dhënë… do të jetë një kënaqëi e madhe, e vetmja kënaqësi që nuk e kam provuar…

Dëshiron që djali yt të bëhet atlet?

Jo, megjithëse ekziston ajo shprehja që “kurrë mos thuaj kurrë!”. Kryesorja është të ketë shëndetin dhe të shkollohet, pastaj nëse do mund të bëhet artist, apo sportist, unë nuk kam për t’i thënë jo. Me sportin, do kisha kënaqësi që të merret, por me këtë sakrificë që kam bërë unë, nuk besoj se do ta nxisja.

Si ke arritur t’i shpëtosh paragjykimeve?

Në fakt i pari fare ka qenë babai im që më ka paragjykuar. Në ‘94, kur fillova sportin, dy muajt e parë bëja sikur shkoja tek tezja bashkë me mamin dhe ndërkohë mami më priste në stadium. Babi nuk donte që të merresha me sport, se atëherë ekzistonte një nam jo i mirë për sportistët dhe balerinët. Pastaj kur doli emri Klodjana Bashkim Shala, babi i thoshte të gjithëve me krenari: “Kjo është vajza ime!”

Dikur e vrisja mendjen se çfarë thonin të tjerët, vija e qaja në shtëpi, pastaj e pashë se po i bëja dëm vetëm vetvetes. Kështu që tani nuk e mendoj shumë se çfarë thonë. Unë bëj punë, e bëj me kënaqësi, durim dhe tani nuk paramendoj shumë se çfarë thonë të tjerët për mua.

E pëlqen jetën e natës?

Jo, sepse flej shumë shpejt. Por mundohem të jem pak më aktive në këtë pjesë.

Për çfarë po stërvitesh?

Këtë vit në qershor kam Kampionatin Europian në Maltë e pastaj në Barcelonë. Kam edhe aktivitete të tjera, por këto janë dy më madhorët, ku pretendoj të zë ndonjë vend, e ndoshta edhe ndonjë rekord.

Çfarë mban gjithmonë në valigje?

Kam gjithmonë me vete një palë tuta, një palë këpucë dhe një peshqir. Unë historikisht vesh po të njëjtat gjëra, si të jetë temperature 40 gradë Celsius, si të jetë 20 gradë Celsius. Kam që në 2004 që vesh të njëjtin komplet sportiv, pasi jam supersticioze. Madje kur kam gara në Tiranë, i hipi makinës dhe i bie po nga e njëta rrugë që i kam rënë para tre vjetësh, meqë atëherë më ka ecur fare mirë. Nuk kthehem asnjëherë mbrapsht, pavarësisht se mund të kem harruar çfarëdo gjëje.

Cili ndër ju të dy është më xheloz?

Dikur kam qenë më shumë e çmendur në xhelozi. Taulanti e ka me masë xhelozinë, kurse unë jo. Besoj se unë jam më xhelozja.