Nga e premtja do të fillojë edhe ardhja e charter-ave të parë ne vend, deklaroi ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi në mbledhjen e Task-Forcës për turizmin në Golem, ku la edhe detyrat për institucionet vendore e qënrore për operatorët turisitikë.

“Ditën e premte fillojnë charter-at e parë, janë shumë pak në krahasim me vitin e kaluar por që janë sinjali i parë që po zgjerohet jeta turistike. Ju kërkoj që ky vit të jetë një vit shumë më tepër i rakorduar dhe i stabilizuar dhe nga pikëpamja e komunikimit”,-tha ndër të tjera Blendi Klosi.

Në mbledhje Klosi theksoi se prioriteti i parë është pastrimi, kryesisht i akseve rrugore që çojnë drejt stacioneve të plazhit si dhe në nxitjen e operatorëve privatë për të aplikuar në e-Albania për leje.

“Ne kemi një detyrë të parë me fillimin e këtij sezoni në stacionet tona të bregdetit siç është pastrimi nën drejtimin e prefektëve për të stabilizuar situatën e këtyre 3 muajve. Detyrat e menaxhuara nga prefektët për të administruar të gjithë forcat reale që ka çdo qark, situatën e pastrimit në një operacion të madh pastrimi me të gjithë faktorët nën drejtimin e pushtetit vendor dhe institucionet të tjera dhe natyrisht pjesëmarrje e shoqërisë civile për të bërë një operacion në muajin qershor që të shndërrojmë këtë situatë në një situatë të pranueshme për vitin turistik 2020. Kemi një situatë të kontrolluar në plazhe por sa del në akset kryesore rrugore, sa kalo në rrugët dytësore që bashkojnë akset kryesore me zonat e plazhit kemi një situatë të papranueshme. Na duhet prezencë e institucioneve.

Na kërkohet në kuadër të masave ndarja e stacioneve të plazhit. Është një situatë e ndryshme, sa i përket dhe situatës me koronën që ka të bëjë me ruajtjen e sa më shumë hapësirave publike dhe evitimin e grumbullimeve. Nga mbi 3000 stacioneve plazhi ka vetëm 800 aplikime në e-albania. Ndaj duhet të nxisim operatorët privatë. Vendosje e tualeteve dhe dusheve në stacionet e plazhit”, deklaroi Klosi.