Raporti i ODIHR-it: vendimet e KQZ-së janë bërë me një bazë të paqartë ligjore

PS fiton qytetet kryesore. Mazhoranca mbahet fort me votën popullore

Nga Ylli Pata

Kanë përfunduar zgjedhjet lokale të 8 majit, por nuk është vendosur përfundimish fituesi specifik i kësaj gare elektorale.
Kjo pasi bashkia e Tiranës nuk ka zyrtarizuar kryetarin e saj, megjithëse KQZ dhe Kolegji Zgjedhor kanë vendosur pro kandidatit të Partisë Demokratike Lulzim Basha.
Beteja e Tiranës ka qenë një maratonë e vërtetë dhe luftë për votën e fundit, ku njërën herë fitues ka dalë Edi Rama e më pas Lulzim basha, pas numërimit të votave të hedhur në kutinë e gabuara.
Kolegji
Në seancën e 3 qershorit, Kolegji zgjedhor ka rrëzuar kërkesë-padinë e Partisë Socialiste për shpalljen të pavlefshëm të vendimit të KQZ-së për hapjen e kutive dhe lë në fuqi vendimin që nxjerr Lulzim Bashën fitues me 81 vota në garën për kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Gjykata, e përbërë nga pesë gjyqtarë, pushoi gjykimin e çështjes lidhur me kërkesën e PS-së për të anuluar të gjitha vendimet e KQZ-së.
“Përfundimisht, Kolegji Zgjedhor, pasi dëgjoi palët në proces, administroi provat e paraqitura prej tyre. Në zbatim të nenit 158, pika 2 dhe 3 të Kodit Zgjedhor, vendosi:
Rrëzimin e kërkesë-padisë së palës paditëse Partia Socialiste e Shqipërisë përsa i përket kërkesës për konstatimin si absolutisht të pavlefshëm të Vendimit Nr. 709, datë 23.5.2011, palës së paditur KQZ në Tiranë. Pushimin e gjykimit të çështjes lidhur me kërkimin për anulimin e vendimeve të ndërmjetme të nxjerra nga pala e paditur, KQZ. Ky vendim është i formës së prerë, u shpall në Tiranë datë 3.6.2011. Me kaq seancën e deklaroj të mbyllur”, u shpreh relatori i çështjes, Tom Ndrecaj në përfundim të një seance gjyqësore që nisi me ditë dhe përfundoi me natë. Menjëherë pas vendimit të Kolegjit për të rrëzuar kërkesën e Partisë Socialiste, militantë të PD-së dolën në rrugët e kryeqytetit për të festuar fitoren e Lulzim Bashës. Me flamuj, makina dhe bori ata iu drejtuan qendrës së Tiranës dhe më pas shkuan në selinë e PD-së ku do të fliste kandidati fitues. Rreth orës 22:00 u hodhën edhe disa fishekzjarrë pranë selisë së demokratëve.

Rezultati sipas KQZ

Sipas rezultateve të publikuara në faqen zyrtare të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Edi Rama, kandidati i “Aleancës për të Ardhmen” ka marrë 124.705 vota, Lulzim Basha, kandidati i “Aleancës për Qytetarin” ka marrë 124.786 vota, ndërsa Hysni Milloshi kandidati i Partisë Komuniste ka marrë 1.394 vota

Basha

Përpara qindra simpatizantëve të Partisë Demokratike, kandidati fitues i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, deklaroi se u arrit fitorja e numërimit të çdo vote. Basha tha para simpatizantëve demokratë në orët e vona të mbrëmjes së djeshme se do të vijojë sërish të presë vendimin e institucioneve deri në fund.
“Para pak orësh, Kolegji Zgjedhor mori një vendim te rëndësishëm, duke lënë në fuqi vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të numëruar çdo votë. Në pritje të certifikimit të rezultatit final dhe në respekt të plotë të tij, unë dua të them vetëm pak fjalë. Më vjen shumë mirë që çdo votë u numërua në rregull, sipas parimeve të demokracisë dhe me një transparencë të admirueshme dhe të panjohur deri më sot. Kjo është fitorja jonë më e madhe”, tha Basha.

Rama

Pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor që la në fuqi vendimin e KQZ, qe shpalli Bashën kryebashkiak të Tiranës, lideri i PS-së, Edi Rama, duke akuzuar gjyqtarët për vendim të paligjshëm, e per pasoje te papranueshem, ka garantuar se fjala e fundit nuk është thënë ende.
Rama ka deklaruar se Partia Socialiste do t’i drejtohet sërish Kolegjit për të kërkuar të drejtën në bazë të Kushtetutës dhe ka ftuar partnerët ndërkombëtarë për të ndihmuar me ekspertizën e tyre, si e vetmja mundësi për të hedhur ditë ligjore mbi të vërtetën. “Kolegji ka bërë të bardhën të zezë e të zezën të bardhë, duke sfiduar në kor me Saliun e Ristanin sovranitetin e popullit, Kushtetutën, ligjin e zgjedhjeve, shqetësimet e miqve ndërkombëtarë. Vendimarrja e mbrëmshme ka dëshmuar se fjala në drejtësi është zbrazur, si një guackë e mbetur mbi rërën e rrëshqitshme ku sipas rastit dallgët e pushtetit a rryshfetit e kthejnë mbarë e pas”- tha ai.
Duke akuzuar për mungesën e sistemit të drejtësisë, Rama ka numëruar rastet kur drejtësia nuk ka dhënë drejtësi. Sipas tij, këtë radhë drejtësia nuk mbrojti as vetë të drejtën e popullit për të mos u vjedhur në votën e vet, duke mohuar në lirinë e vet më esenciale, rendin demokratik. Rama u bëri apel partnerëve të huaj për domosdoshmërinë e ekspertizës ndërkombëtare që të garantojë në kohë përputhjen e vendimarrjes ligjore për zgjedhjet me standardet e botës demokratike.
“Ekspertiza ndërkombëtare është e vetmja rrugëdalje nga kriza e rëndë, për të kuptuar të vërtetën lidhur me zgjedhjet”- tha ai, duke përsëritur rezistencë të pashembullt nëse e drejta merret peng me vulë gjykate.
ODIHR

Misioni vëzhgues i OSBE-ODIHR-it ka publikuar dy raporte pas përfundimit të zgjedhjeve. Në raportin e dytë godet ashpër Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe thekson në fund të numërimit të votave në Tiranë, më 14 maj, fitues doli Edi Rama me dhjetë vota më shumë. Por menjëherë pas kësaj, zyrtarët e PD-së, përfshi Kryeministrin Sali Berisha, kërkuan që të numërohen votat e hedhura në kutitë e gabuara. Në raport thuhet se KQZ duhej të shpallte rezultatin paraprak.
Partitë politike dhe vëzhguesit, thuhet në raport nuk ishin në gjendje të merrnin këto rezultate nga KQZ. Po ashtu, thuhet se në faqen e internetit të KQZ, edhe në momentet kur po flitet, Basha udhëheq garën. Në raport thuhet se KZAZ e njësisë bashkiake numër pesë nuk ka firmosur tabelën e rezultatit, pa dhënë asnjë specifikim ligjor pse e ka bërë këtë. “Edhe në momentin kur shkruhet raporti, KQZ nuk ka marrë vendim për këtë tabelë,” thuhet në raport, çka është një shkelje e ligjit. Raporti thotë se kryetari i KQZ vendosi për numërimin e fletëve të kontestuara duke hartuar një akt.
“Baza ligjore për hapjen e kutive të votimit është e paqartë për ne”, thuhet në raportin e ODIHR. Po ashtu thuhet se vendimi është marrë në princip me një votë 4-3, dhe kutitë janë hapur edhe pse nuk është miratuar një vendim final. Në raport thuhet gjithashtu se pati vonesa në numërimin e votave, sidomos në Tiranë. Po ashtu për çështjen e votave të kontestuara, thuhet se numëruesit ishin udhëzuar që këto vota, të cilat hidheshin në kutitë e gabuara, janë të pavlefshme. Numërimi në to u vonua për shkak të ndërprerjeve të paplanifikuara, mungesa e ekipeve të numërimit ose edhe arsye të tjera, shpesh politike. Vonesat shtuan tensionet në Tiranë, veçanërisht duke pasur parasysh afërsinë e rezultateve paraprake.
Pas përfundimit të numërimit në të 11 qendrat e Tiranës, më 14 maj, rezultatet paraprake jozyrtare, siç iu dorëzuan OSBE/ODIHR-it nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i jepnin zotit Rama 10 vota më shumë se zotit Basha. Zoti Rama shpalli fitoren pak pas kësaj, ndërsa zoti Basha tha se do të priste për rezultatet zyrtare. Zyrtarë të Partisë Demokratike, përfshirë Kryeministrin Sali Berisha, i bënë thirrje KQZ-së, të shqyrtonte si të vlefshme fletëvotimet për kryetar bashkie që u gjetën në kutitë ku hidhej fletëvotimi për organet e tjera të pushtetit lokal. Partia Socialiste kërkoi që KQZ-ja të jepte rezultatin e përcaktuar nga qendrat e numërimit të Tiranës.
Sipas Kodit Zgjedhor, KZAZ-të duhet të nxjerrin rezultatin e numërimit në orën 17 të ditës pas zgjedhjeve. Ky afat është konsideruar si jorealist nga të gjithë dhe asnjë qendër nuk e përfundoi numërimin brenda tij.
Numërimi në të gjitha qendrat, me përjashtim të Tiranës, përfundoi më 13 maj. Gjatë numërimit gjithë fletët e votimeve paraqiteshin para kamerave dhe shiheshin në ekran. Megjithatë, ato jo gjithmonë mund të shiheshin për shkak të pozicionit si ishin vendosur në kamera. Po ashtu vëzhguesit nuk lejoheshin t’u afroheshin tavolinave të numërimit dhe ishte e vështirë për ta për të parë në se fletëvotimet viheshin në blloqet korresponduese të kandidatëve përkatës.
Kodi Zgjedhor nuk parashikon udhëzime për vlefshmërinë e votave të gjetura në kutinë e gabuar.

Rama

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama duke i cilësuar zgjedhjet e 8 majit si një fitore historike e Partisë Socialiste theksoi se vlerësimi i qytetarëve do të përdoret në përmirësim të jetës së tyre. ndërkohë, kreu i PS-së kërkoi të shpallet zyrtarisht rezultati për bashkinë e kryeqytetit duke mos stërzgjatur me procedura për të vonuar daljen e rezultatit. Edi Rama deklaroi se koalicioni “Aleanca për të Ardhmen” ka fituar në të gjithë Shqipërinë, ndërsa apeloi që askush të mos guxojë të përmbysë rezultatin, pasi kjo do të ishte për të gjithë rrugë qorre.
Lideri opozitës tha se zvarritja e rezultatit të zgjedhjeve për Tiranën nuk do ta ndryshojë atë por vetëm do të dëmtojë procesin zgjedhor të 8 majit dhe standardet e arritura. Duke iu referuar pretendimet e palëve për disa fletë votimi të vendosur jo në kutinë e duhur, Rama në fjalën e tij u shpreh se “Askush nuk mund ta përmbysë rezultatin në tavolinë, vendim ky që do fusnin vendin në një rrugë qorre me tatëpjetë të pakthyeshme”.

Berisha

Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se koalicioni i djathtë ka shënuar një rritje të numrit të votave në gjithë vendin në raport me vetveten në zgjedhjet e fundit por edhe në raport me koalicionin kundërshtar.Duke komentuar votimet ne Tiranë kryeministri Berisha tha se “Tirana shënoi një fitore të pa precedentë për këtë koalicion, Tirana votoi blu”.
“Sot unë ndaj mirënjohje për të gjithë shqiptarët që na besuan votimin politik në këshillat komunalë dhe bashkiakë. Partia Demokratike dhe aleatët e saj kanë marrë 140 mijë vota më tepër”, tha Berisha. Ai pohoi se kjo është bërë e mundur në sajë të reformave qeverisëse si lufta kundër korrupsionit dhe reformat ekonomike. Berisha theksoi se numri i votave politike në gjithë vendin në këto zgjedhje është një nxitje e fortë për qeverisjen e kësaj mazhorance. Dua të theksoj se sistemi elektoral shqiptar ka një garanci themelore, e cila po të cënohet, është totalisht një sistem i falimentuar, pasi çdo sistem ka një garanci.
Ky sistem bazohet në të drejtën absolute të kundërshtimit, ka veto jo vetëm për komisionerin që numëron, por edhe për vëzhguesin, dhe veto që ushtrohet vetëm me ngritjen e dorës. Ai që ngre dorën apo që merr përsipër ta bëjë atë, ligji shqiptar, i jep të drejtë atij të ankimojë vendimin e KZAZ-së, vendimin e KQZ-së, të ankimohet në Gjykatën e Apelit. Mbi gjykatën nuk është kurrkush tjetër. Pra në një sstem tjetër ku nuk funksionon kjo veto, dhe këto bazohen te rinumërimi, edhe ne e kemi patur këtë sistem përpara vitit 2005, një rezultat i ngushtë me 3, 4 apo edhe 2 e 1 vota, duke e supozuar se e marrin votën si nota 10 që i vuri Rama vehtes, duhej të bëhej rinumërimi automatikisht, nëse diferenca do të ishte më i vogël se numri i fletëve të pavlefshme.
U përballën dy platformat, njëra “Fajin e ka Saliu” dhe tjetra “Ju jeni të parët”. Unë u mora me të ardhmen dhe pjesërisht me ato arritje që kemi realizuar, ndërsa kundërshtari im mblodhi fjalorin e kazanit të Shqipërisë, e duke e vërsulur ndaj meje. Por sovrani foli dhe ky është plebishit. Aty ku ishte flamuri i partisë, në krye të një koalicioni, aty u hodhën 14 apo 15 % vota, megjithatë le të presim rezultatin përfundimtar”.

Meta

Ashtu si Berisha dhe Rama edhe kryetari i LSI-së, Ilir Meta, komentoi rezultatet e zgjedhjeve lokale duke thënë se qytetarët bënë për manifestimin e shkëlqyer duke shprehur vullnetin e tyre të lirë duke u sjellë në mënyrë europiane. “Dëshiroj në mënyrë të veçantë të falenderoj ata që votuan LSI, me rezultatet paraprake numri i votuesve i ka kaluar 16 mijë dhe po shkon drejt 120 mijëve. Rezultat impresionues rreth 40 e ca vota më shumë se zgjedhje e mëparshme”.
“Nuk u ndala në kryeqytet se është Tirana dhe se rezultati i LSI në Tiranë është impresionues dhe rezultati më i miri ndonjëherë dhe është 200 mijë vota më shume se kur ishim në koalicion me PS dhe 2 mijë vota më shumë se në zgjedhjet e mëparshme, dhe trego se përcaktuese se nuk është se më kë jemi në koalicion por votat e saj”, është shprehur në fund të fjalës së tij Ilir Meta.

Bashkitë e komunat

Rezultati i zgjedhjeve vendore të 8 majit vijon të ndajë votën mes fshatit dhe qytetit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dhënë rezultatet për 270 njësi vendore, bashki e komuna, nga 384 njësi që ka vendi.
Sipas këtyre rezultateve, koalicioni qeveritar vijon të thellojnë diferencën në fitimin e komunave nga Jugu në Veri, ndërsa opozita ka siguruar shumicën e qyteteve kryesore
Komunat

Partia Demokratike ka fituar 133 komuna në mbarë vendin. Partia Socialiste deri tani ka konfirmuar fitoren në 57 komuna në të gjithë republikën. Në rang vendi mbeten edhe mbi 100 komuna në garë ku ende nuk janë numëruar votat, por duke iu referuar shifrave aktuale, opozita ka fituar 32 për qind të komunave, ndërsa maxhoranca ka fituar 68 për qind të tyre.
Koalicioni qeveritar ka fituar komuna edhe në zona të njohura si bastion i së majtës në Jug të vendit, si në qarqet e Korçës, Fierit, Vlorës, Beratit etj. Disa nga komunat e fituara nga PD janë Voskopoja, Vithkuqi etj., ndërsa ka shënuar fitore edhe në komunat që rrethojnë Tiranën, si Farkë, Kashar, Paskuqan, me përjashtim të Dajtit. Nga ana tjetër, PS ka fituar në disa komuna të mëdha, siç është Otllaku në Berat, Lekbibaj në Tropojë, Shëngjinin apo edhe komunën Rrethinat në Shkodër.
Nëse shihet ndarja e komunave, pothuaj në çdo qark të vendit maxhoranca ka marrë shumicën e komunave, ose më saktë, njësive vendore, çka do t’i sigurojë maxhorancës shumicën vendimmarrëse në të 12-të qarqet e vendit.

Bashkitë

Koalicioni i djathtë ka konfirmuar fitoren në disa bashki, si Çorovodë, Peshkopi, Lezhë, Delvinë, Pukë e Bilisht. Opozita ka fituar në bashkitë kryesore të vendit, ndërsa pritet që të përfundojë rezultati edhe në Tiranë e Durrës. Kështu, në rang vendi, maxhoranca ka fituar 29 bashki nga Jugu në Veri, por opozita udhëheq në fitoret e bashkive.
Nëse llogariten bashkitë e mëdha të vendit, që janë edhe qendrat e qarqeve, fituese del Partia Socialiste. Kështu, opozita ka fituar Bashkinë e Gjirokastrës, të Korçës, Elbasanit, Fierit, Vlorës, ndërsa PD ka fituar në Lezhë, Shkodër e Kukës. Mbetet ende për t’u parë në dy bashkitë kryesore të vendit, Tirana e Durrësi.