Kombëtarja, një ëndërr ka lindur!

2018-03-01T15:27:43+00:0026 Maj, 2011 17:37|Kategoritë: Futboll, Kombëtare, Sport|

Përkundër të gjitha skepticizmave, debateve, e polemikave që nuk janë të pakta në futbollin shqiptar; në momentin kur të gjithë jetonim me frikën se edhe këtë edicion do ta cilësonim të dështuar kombëtarja përmbushi një ëndërr. Kundër Bjellorusisë arritëm të fitonim bukur

Nga Elert Yzeiri

Duka mund të jetë presidenti më i korruptuar në botë, federata e futbollit mund të jetë më e paorganizuara në planet; futbolli shqiptar mund të jetë në pikë të hallit, por kundër Bjellorusisë kemi luajtur një ndeshje spektakolare. Përkundër të gjitha skepticizmave, debateve, e polemikave që nuk janë të pakta në futbollin shqiptar; në momentin kur të gjithë jetonim me frikën se edhe këtë edicion do ta cilësonim të dështuar dhe se me keqardhje do të duhej të pranonim edhe lamtumirën e disa prej veteranëve, shpërtheu një vullkan. Po, po vullkan. Sepse dëshira, grinta dhe pasioni me të cilën e kanë luajtuar atë mbrëmje futbollistët ishin pakufij.
Ndodhi krejtësisht e kundërta. Gjithçka ishte pothuaj perfekte, madje që nga minuta e parë. Them pothuaj, se do të kishim marrë vlerësimin maksimal, nëse ato dhjetëra raste që parakaluan në portën bjelloruse të shpërbleheshin me të tjerë gola, kjo ndeshje do të ishte një leksion më vetë për futbollin. Me një rreshtim në mbrojtje që për asnjë moment nuk gaboi, ku Cana me grintën dhe saktësinë e tij ekuilibroi edhe ato pak raste kur Teli nuk ishte i vëmendshëm; Lila me forcën dhe shpejtësinë e tij arriti të dublonte të gjitha ato boshllëqe që dilnin rishtaz nga vendosja e skuadrës. Në të majtë gjithçka funksiononte shkëlqyer, me Vangjelin e konfirmuar tanimë si një futbollist i klasit europian dhe Agolli, që adaptohet në shumë pozicione të së majtës. Në qendër fillonte të ngjizej një lojë korale, që falë edhe shtysës së Canës nga prapavija bëhej agresive me mbështetjen edhe të kapitenit Lala dhe Ervin Bulkut. Virtuoziteti i Skelës niste thellë nga mesi i fushës e bëhej me krahë në lartësinë maksimale të Bogdanit, të pamarkueshëm në topat e lartë dhe Salihit, që fitoi çdo dyluftim shpejtësie me kundërshtarët.
Skeptik ndaj fitores
Perfekte ishin edhe udhëzimet nga pankina, që dirigjuan në harmoni të plotë 90 minuta të një takimi të luajtur vetëm me një drejtim. Kuzhe që për sëmundjen nuk do t’ia dijë më, i kish injektuar futbollistëve të njëjtën forcë me të cilën ai pak muaj më parë mundi sëmundjen fatale. Çdo manovër, çdo lëvizje dhe çdo orientim ishin aq perfekte, sa edhe Guardiola te Barcelona e tij nuk i gjen aq të zbatueshme. Trajneri ka dhënë më të mirën e tij, me një skuadër, të cilën ai e dashuron.
Të them të vërtetën unë kam qenë i pari ndër skeptikët përpara mbrëmjes së 26 marsit. Isha skeptik jo se skuadra nuk do të kishte momentet e saj të mira, sepse të tilla kemi patur pafund edhe me kundërshtarët më të vështirë, por nuk e prisja një lojë të një niveli aq të lartë, spektakolare. Isha skeptik që pas 6 muajsh pa skuadër Ervin Skela të kishte në këmbët e tij aq energji, klas dhe dëshirë; që kapiteni Lala i deklaruar në pension përpara kohe të vraponte pandalur për 90 minuta, që Teli të merrte një rol titullari, pas horrorit me Portugalinë dy vjet më parë apo që Duro do ta niste nga stoli. Nuk kisha shumë optimizëm, pasi Bjellorusia në Minsk na shpartalloi dhe për më tepër i kish marrë tre pikë edhe Francës në ndeshjen e parë të grupit.

Atë mbrëmje askujt nuk i shkoi në mendje që mungonte Dallku, Curri apo edhe portieri Beqaj, madje as vetë trajnerit. Për 90 minuta askush nuk mendoi se ne po ngjiteshim në vendin e dytë në grup. Askush nuk mendoi se mundësitë për kualifikim tani janë më të mëdha dhe që për më tepër mund të lëmë poshtë edhe një skuadër siç është Rumania. Të gjithë në atë mbrëmje ishin të përqendruar vetëm te fitorja: një fitore e pastër, spektakolare dhe mbi të gjitha e djersitur.
Për herë të parë në atë mbrëmje loja në fushën e blertë ishte në një nivel me spektaklin që dhurojnë për çdo ndeshje tifozët kuqezinj në shkallët e stadiumit. Mbase edhe vetë tifozët kuqezinj në atë mbrëmje kanë menduar se kanë dhuruar më pak spektakël se herët e tjera, pasi magjitë që prodhuan futbollistët kuqezij në fushë ishin të një klasi vërtetë shumë të lartë.

Ajo që më tremb tani është e ardhmja. Mbase ne edhe mund të kualifikohemi dhe kjo do të jetë historike, mbase do të ngjisim një shkallë më shumë dhe sërish do të jemi të lumtur, por kush do ta çojë përpara këtë skuadër, pas këtyre eliminatoreve? Sepse ne nuk mund të presim pafundësisht që Skela të marrë përsipër këtë skuadër me veprimet e tij të jashtëzakonshme, Lala nuk mund të vazhdojë të shtrëngojë dhëmbët, duke u çapitur mes dhimbjesh në mesfushë, apo Bogdani të mbijetojë i lodhur nga pesha e viteve. Kësaj skuadre i duhen emrat e rinj, që t’i vënë shpatullat skuadrës, e të shtyjnë përpara drejt sukseseve të reja. Shpesh përmenden emra talentesh që vijnë rishtaz nga kampionati vendas, por ende asnjë prej tyre nuk ka treguar dëshirën, grintën dhe forcën e tij për të rrëmbyer një fanelë titullari.
Me Bjellorusinë ishte vetëm një ndeshje, e cila edhe pse është më e mira e 20 viteve të fundit, mund edhe të harrohet si shumë të tjera, ndërsa ndalesa e radhës është në muajin qershor. Shqipëria ka mundësinë më të mirë për të bërë një rrugëtim të denjë, pse jo edhe duke ëndërruar kualifikimin, por kjo mund të arrihet duke qëndruar me këmbë në tokë dhe duke luajtur si në mbrëmjen e 26 marsit. Sigurisht, deri në qershor shumë gjëra mund të ndryshojnë. Shumë prej futbollistëve mund të kenë edhe rënie fizike, pasi shumë prej tyre janë në kilometrat e fundit të karrierës, disa të tjerë mund edhe mos të jenë më, rikthehen Dallku dhe Curri, ndërsa me ankth të gjithë presim se cilët do të jenë emrat e elitës së re që do të marrë në duar fatin e kësaj skuadre.
Ëndrra për një europian apo botëror është vërtetë shumë e madhe, e kjo nuk varet vetëm nga dëshira jonë, as nga zotësia e trajnerit Kuzhe, apo paratë që mund të investojë presidenti Duka, janë futbollistët në fushë ata që do të na e afrojnë këtë ëndërr. Dhe ne të gjithë, pas 26 marsit besojmë shumë!