Ata ndjekin idetë e Leninit mbi “të vërtetën”, edhe nëse dërgojnë fëmijët në Harvard.

Nga William McGurn

Në vitet e qeta para se të ndodhte masakra e Sheshit Tienanmen në vitin 1989, manifestimet prodemokratike në Hong Kong ishin mjaft të vogla dhe tërhiqnin e shumta një ose dy duzina njerëzish. Një të dielë të qetë, pas një proteste të tillë, kreu i lëvizjes së re demokratike në qytet, legjislatori Martin Li*, propozoi të më çonte me makinë deri në zyrën time.
Gjatë bisedës, ra fjala tek familja dhe ai përmendi të atin. Ai ishte një ish gjeneral i Partisë Guomindan, i cili kishte luftuar kundër japonezëve në vitet para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, më pas u zhvendos me familjen në Hong Kong, pasi komunistët dolën fitimtarë në luftën civile në Kinë, në vitin 1949. Zoti Li sillte ndërmend këshillën e të atit: “Gjithmonë më thotë, “Martin, nuk mund t’u zësh besë komunistëve, kurrën e kurrës”!

Babai i zotit Li tashmë ka vdekur. Edhe Hong Kongu që njëherë e një kohë ishte një strehë e sigurt për atë dhe familjen e tij, nuk është më i njëjti. Hong Kongu i sotëm e ka arrestuar dhe akuzuar penalisht Martin Linë për pjesëmarrje në një protestë prodemokratike. Fjalët e gjeneralit të moshuar, më kumbojnë fort në vesh: “Kurrën e kurrës mos iu zë besë komunistëve”!
Si pasojë, një brez i ri po nxjerr tashmë një mësim tepër të rëndë, që komunistët janë realë, siç janë edhe gënjeshtrat dhe dhuna që u nevojitet për të qëndruar në pushtet. Siç e bëri krejt të qartë Lenini, komunistët përbuzin vetëm idenë “borgjeze” të së vërtetës objektive, duke e zëvendësuar atë me një moralitet që konsideron “të vërtetë” çfarëdo që të jetë e volitshme për partinë në atë moment.

Komunizmi ka qenë gjithmonë më i lidhur me Leninin sesa me Marksin – duke u përqendruar në marrjen dhe ruajtjen e pushtetit sesa në një organizim ekonomik. Dhe është e jashtëzakonshme sesa koherente kanë qenë gënjeshtrat dhe dhuna që kanë shoqëruar versionet e ndryshme të komunizmit, përgjatë gjithë historisë dhe shtrirjes gjeografike. Pothuajse nuk ekziston asnjë parti komuniste në botë që të mos ketë masakra në të shkuarën e saj.

Komunizmi kinez në veçanti, ka përfituar nga naiviteti i Perëndimit. Kur u shfaq për herë të parë lëvizja maoiste, ajo u lëvdua si një formë më autentike dhe njerëzore e komunizmit, në krahasim me rivalin sovjetik. Më pas, nisën persekutimet dhe spastrimet e Revolucionit Kulturor, lindja e të cilit u shoqërua me vdekjen e miliona kinezëve të pafajshëm.

Në vitin 1989, kur qytetarët kinezë ngritën statujën e një Perëndeshe të Demokracisë në Sheshin Tienanmen, disa prej tyre i varën shpresat tek Ushtria Çlirimtare Popullore: ushtria popullore nuk do të shtinte kurrsesi mbi njerëzit. Në fakt, ushtarët e UÇP-së nuk ngurruan aspak të shtinin mbi popullin. Edhe sot e kësaj dite, Pekini nuk pranon të tregojë sa njerëz ka vrarë në Tienanmen.
Gjatë historisë komuniste të Kinës, e majta perëndimore është treguar mjaft e gatshme për të justifikuar sjelljen e Pekinit, ndonjëherë duke shfajësuar komunizmin kinez edhe në momentet e tij më gjakatare. Por për të qenë të saktë, edhe e djathta antikomuniste ka pasur iluzionet e veta.

Hapja e Kinës ndaj tregtisë së jashtme dhe investimeve – që shumë prej nesh e mbështetën – pati një sukses të madh në nxjerrjen nga varfëria e skajshme e kinezëve të zakonshëm. Sado e ndershme të ketë qenë një përpjekje e tillë, nuk duhej hamendësuar se thjesht ngaqë komunistët nuk visheshin më me xhaketat e Maos por me markën Brooks Brothers, dhe dërgonin fëmijët e tyre në Shkollën e Biznesit të Harvardit, ata do të shndërroheshin papritur në demokratë xhefersonianë, që luajnë sipas rregullave liberale. Përkundrazi, tashmë klasa komuniste kineze në pushtet, ka mësuar se mund të ketë gjithçka.

Me përjashtim të së vërtetës. Ajo është e vetmja gjë që një komunist nuk mund t’ia lejojë vetes. Në esenë e tij të famshme “Mos jeto me gënjeshtra”, shkruar në vitin 1974, Aleksandër Sollzhenjicini tha se mënyra e vetme që kishte një individ për të bërë qëndresë, ishte duke mos pranuar të merrte pjesë në gënjeshtrat e përditshme që janë aq të nevojshme për të jetuar në një shoqëri komuniste.

Në Perëndim, komunizmi shpesh trajtohet si një relike e së kaluarës, ku personalitete si Kastro, Çe Guevara dhe Mao Ce Duni, stampohen si figura vizatimore nëpër bluza. Por komunistët e vërtetë ekzistojnë përnjëmend. Po ashtu edhe gënjeshtrat e tyre për të qëndruar në pushtet, qoftë duke përhapur informacione të rreme mbi origjinën e koronavirusit, duke mohuar ekzistencën e kampeve të përqendrimit që mbajnë të paktën një milionë ujgurë myslimanë, apo duke publikuar video të stërvitjeve ushtarake të UÇP-së për të frikësuar popullin e Hong Kongut që të nënshtrohet.
Shumica e perëndimorëve vështrojnë se ç’po ndodh në Hong Kong, vënë re se nuk ka më protesta të mëdha si vitin e kaluar dhe mendojnë se rruga e duhur është që gjërat të lihen të qetësohen. Në fund të fundit, njerëzit e Hong Kongut nuk po kërkojnë të hedhin poshtë qeverinë kineze; duan vetëm të lihen të qetë. Kështu që perëndimorët e kanë të vështirë të kuptojnë pse Pekini po tregohet kaq i pamëshirshëm, duke trajtuar një avokat të moshuar që nuk do t’i bënte keq kurrkujt, si të ishte një kriminel.

Por një komunist nuk mendon në këtë mënyrë. Ai i sheh protestat në Hong Kong si një sfidë që duhet shtypur, me çdo kusht. Dhe kur vështron atë avokat 81 vjeçar, nuk sheh një burrë të vjetër e të sjellshëm. Ai sheh një armik që po i valëvit përpara armën më të frikshme nga të gjitha: të vërtetën.

Derisa ta kemi këtë të qartë, nuk do ta kuptojmë kurrë mençurinë e atij paralajmërimi profetik që i bëri një patriot kinez të birit: Kurrën e kurrës mos iu zë besë komunistëve.

*Martin Lee Chu-ming konsiderohet si “Babai i Demokracisë” në Hong Kong. Ai është i njohur si një nga avokatët më të spikatur për demokracinë dhe të drejtat e njeriut në Hong Kong dhe Kinë.