Që nga viti 2012 deri në fund të 2018-es konsumi i birrës është rritur me 8 për qind duke sinjalizuar një tendence të qëndrueshme rritjeje. Sipas një studimi të ekspertëve të INSTAT rritja e nivelit të të ardhurave dhe ndryshimi i stilit të jetesës po zhvendos konsumin nga rakia tek birra. Ky trend sinjalizon hapësirat për rritje të mëtejshme të akcizës tek birra thuhet në studim.

Konsumi i alkoolit në Shqipëri është dominuar tradicionalisht nga rakia, e  përdoret gjerësisht si një zëvendësues më pak i shtrenjtë i verës ose birrës, dhe zakonisht prodhohet nga familjet në zonat rurale për vetëkonsum.

Sidoqoftë, konsumi i rakisë sidomos në brezat e rinj po zëvendësohet me së shumti me birrën dhe verën.  Në vitin 2018 oferta e birrës për frymë për popullsinë e rritur ishte 50 litra. Ekspertët e INSTAT kanë vërejtur gjatë dekadës së fundit se,  për shkak të preferencave të konsumatorit dhe ndryshimeve të sjelljes, vërehet një zgjerim i tregut të birrës. Në të vërtetë, birrat më të shtrenjta në treg janë marka të importuara, me reputacion.

Alkooli, përfshirë konsumin e birrës, ndikohet nga disa faktorë, kryesisht çmimet dhe të ardhurat. Gjetjet sugjerojnë se një rritje me do të thotë që një rritje me 10,0 % e të ardhurave të konsumatorëve në vendin tonë do të rrisë sasinë e kërkuar të birrës me 13,0 %.

Familjet me një nivel më të lartë të shpenzimeve harxhojnë një pjesë më të ulët të buxhetit të tyre për alkoolin, ndërsa vlerat e njësive janë më të larta në familjet me një nivel mesatar shpenzimesh.

Pjesa e buxhetit për pije alkoolike është më e madhe në familjet me më shumë burra dhe ato më nivel të lartë arsimor.

Studimi ka gjetur se përgjithësisht rritja e konsumit të birrës nuk është shoqëruar me rritje të çmimit të saj. Duke qenë se birra kategorizohet si pije alkoolikë taksohet me akcizë, ekspertët e INSATAT vërejnë se ky produkt ka hapësire për tu tatuar më shumë në akcize. Akciza më e lartë do të ndikonte pozitivisht të ardhurat në buxhet dhe gjithashtu do të frenonte dëmin në shëndet nga përdorimi i tepërt i saj.

Monitor.al