Nga Guri irlandez i Blarney (Blarney Stone) te muri me çamçakëz në Seattle, disa atraksione turistike janë në rrezik për shkak të pandemisë së Covid-19.

 

Për shekuj me radhë, udhëtarët që shpresonin të merrnin si dhuratë “dhuntinë e elokuencës”, duhet të ngjiteshin deri në majë të një kështjelle mesjetare, të shtriheshin në bark dhe të mbështeteshin në boshllëk nga një parapet për të puthur një bllok guri gëlqeror me emrin Blarney Stone (Guri i Blarney).

Ky gur legjendar, që duket se është (ndër shumë gjëra të tjera) një gur altari, i risjellë në vend gjatë Kryqëzatave, është një ndër atraksionet turistike më të famshme në Irlandë, sepse thuhet se u dhuron “dhuntinë e elokuencës” atyre që e puthin. Vitin e kaluar, thuajse gjysma e 460 mijë vizitorëve të Kështjellës dhe kopshteve të Blarney, e puthën gurin – një numër mbresëlënës buzësh.

Në të gjithë botën, destinacionet që ofrojnë atraksione turistike “të mbushura me mikrobe” përfshirë statuja, gurë apo objekte të tjera që vizitorët i prekin apo i puthin për shkak të miteve, legjendave, besimeve, traditave, janë vënë në një sprovë të vështirë nga pandemia e koronavirusit. Sado magjepsëse, aq edhe të pazakonta, këto veprime tani mund të konsiderohen të rrezikshme ose të papërgjegjshme për shkak të pandemisë.

Këtyre atraksioneve të mbushura me mikrobe u janë kushtuar studime në fushën shëndetësore dhe besohet se vetëm rrallëherë, ndërveprimi me to mund të shkaktojë sëmundje të rënda. Por kjo vlente përpara se një pandemi globale ta bënte tabu kontaktin fizik. Këto atraksione me numër të lartë turistësh tani janë vektorë potencialë të përhapjes së koronavirusit të ri nga një individ te tjetri nëpërmjet piklave të pështymës që lini nga puthjet, duarve, ose thjesht nga frymëmarrja.

Si t’i bindësh turistët në kohën e koronavirusit që është e sigurt të ndërveprosh fizikisht me një objekt që është prekur apo puthur nga mijëra njerëz? Këto atraksione “të mbushura me mikrobe” duhet të bëjnë llogaritë me një vit të paqartë për turizmin dhe të kuptojnë se si duhet të mbrojnë trashëgiminë kulturore, duke mbrojtur në të njëjtën kohë publikun nga patogjenët.

 

Dhurata… e mikrobeve

Blarney Stone, shpesh i konsideruar atraksioni turistik me më shumë mikrobe në botë, u rihap në fund të qershorit, pasi u mbyll në mars për herë të parë në historinë e tij të gjatë 600-vjeçare. Pavarësisht koronavirusit, rreth një vizitorë në tre vazhdon ta puthë atë.

“Kishim pritshmëri për një numër më të ulët vizitorësh” – vëren Paul O’Sullivan, përgjegjës i marketingut për kështjellën. “Por duke folur me njerëzit, u pa se të gjithë kishin mbetur të befasuar nga masat që kemi marrë për ta bërë vendin sa më të sigurt që të jetë e mundur”.

Kështjella e Blarney ka marrë masa të shumta pastrimi, duke përdorur në veçanti një detergjent ekologjik, i miratuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, për të pastruar gurin pas çdo puthje dhe me një distancë 1 minutë nga një vizitor te tjetri, në mënyrë që detergjenti të thahet. Pjesëtari i stafit që ndihmon personin të puthë gurin mban një maskë dhe doreza, të cilat i ndryshon pas çdo vizitori. Ky destinacion ka ngritur stacione dezinfektimi, detyron njerëzit të ruajnë distancimin social dhe dezinfekton rregullisht sipërfaqet që preken më shpesh. Në fund mblidhen të dhëna për gjurmimin e kontakteve.

“Tani është shumë më rigoroze se kurrë më parë” – shton ai. Edhe para pandemisë, guri pastrohej rregullisht me një dezinfektues që nuk e dëmtonte dhe as e çngjyroste gurin gëlqeror, tashmë i zbutur nga miliona puthje. O’Sullivan kujton se edhe para pandemisë, vizitorët shpesh e pastronin gurin me shami të lagura ose të ngjashme, kështu që kështjellës iu desh të merrte një qëndrim më proaktiv në lidhje me përdorimin e produkteve të sigurta për gurin gëlqeror.

 

Një mur me çamçakëzë

Një tjetër atraksion me shumë mikrobe është i ashtuquajturi Gum Wall, ose muri i çamçakëzëve në Seattle, ku mijëra vizitorë vendonin çamçakëzët e tyre në një mozaik “prej gome” me madhësi 2,5 x 16,5 metra. Kjo traditë lindi rreth viteve ’90. Gum Wall është i famshëm në mesin e vizitorëve që duan të bëjnë një foto të paharrueshme dhe të ngjisin aty çamçakëzin e tyre; ka madje edhe nga ata që guxojnë të lëpijnë murin. Gum Wall, i cili ndodhet në një ndërtesë historike me tulla, pastrohet rregullisht, edhe pse vizitorët lënë çamçakëzë të tjerë pas çdo pastrimi.

FOTO: RUTH FREMSON, THE NEW YORK TIMES/REDUX

“Është i çuditshëm, plot ngjyra e gjithë jetë” – thotë Madison Bristol, i cili punon në marrëdhëniet publike për tregun.

Gum Wall qëndroi i hapur edhe pas shpërthimit të pandemisë, edhe pse vizitorët ishin të paktë. Gjatë verës, vizitorët u rikthyen. Foto në Instagram tregojnë vizitorët që marrin qëndrime për të bërë foto, duke bërë tullumbace me çamçakëzë e duke i ngjitur ata në mur. Bristol thotë se nuk pret që Gum Wall të jetë shumë i frekuentuar këtë vit, por ekspertë të tjerë të industrisë së turizmit lokal mendojnë se turistët e ardhshëm nuk do të dekurajohen.

(AP Photo/Ted S. Warren)

“Në pjesën më të madhe të rasteve, nuk preket asgjë. Mendoj se në të ardhmen, njerëzit do të vijojnë ta vizitojnë atë” thotë Colin Perceful, CEO i agjencisë turistike Totally Seattle. “Udhëtarët dëshirojnë sërish ta jetojnë këtë fantazi”.

 

E ardhmja, e paqartë

Në disa vende, ndër to Punta Arenas në Kili, ku thuhet se të puthësh këmbën e një statuje që personifikon një indigjen nga Patagonia mposht sëmundjet dhe sjell fat, turizmi duhet ende të rinisë, ku planet për shëndetin dhe sigurinë mbeten ende të pasigurt.

“Nuk kemi pritur ende asnjë turist në qytet, kështu që është e vështirë të dihet” – shpjegon Marta Larravide Villagrán, funksionare nga dega lokale e entit të turizmit kilen, SERNATUR. “Ndoshta, për pak kohë, njerëzit as nuk do ta prekin e as do ta puthin këmbën, por tradita mbetet”.

TCL Chinese Theatre në Hollywood, ku turistët mund të vendosin pëllëmbën e dorës në gjurmët në beton të yjeve të preferuar të kinemasë, është mbyllur që prej marsit dhe planet për hapje të sigurt pritet të finalizohen.

Sitet e tjera janë rihapur, por vetëm për besimtarët. Në maj, punonjësit e Vatikanit dezinfektuan të gjithë Bazilikën e Shën Pjetrit (ku këmba prej bronzi e Shenjtit është lëmuar aq shumë sa ka humbur formën origjinale, pas shekujsh me puthje dhe prekje nga besimtarët e devotshëm) – Kisha i ka rihapur sërish dyert për Mesha, por jo për turistët.

Edhe për vendet që kanë rinisur të funksionojnë rregullisht ka shumë ankth se çfarë do të sjellë e ardhmja. O’Sullivan supozon se “përqindja e njerëzve që do të puthin Gurin mund të zvogëlohet pak” dhe shton se “rikthimi i udhëtimeve ndërkombëtare do të jetë faktori i madh diskriminues”.

“Është i pabesueshëm numri i irlandezëve që kanë ardhur këtu për herë të parë” – thotë në fund O’Sullivan.

*Zoe Baillargeon
Burimi: National Geographic