Sipas një analize të re, informacionet e rreme mbi koronavirusin nuk qarkullojnë më shpejt se lajmet që vijnë nga burime të besueshme

 

Përditësime, supozime, konfirmime, mohime, zëra dhe thashetheme. E dimë shumë mirë se gjatë pandemisë së koronavirusit jemi bombarduar nga të dhëna, lajme dhe informacione, si të vërteta, edhe të rreme. Ky fenomen quhet infodemi, ose ndryshe qarkullimi i pakontrolluar i një sasie të tepruar informacionesh (madje jo të besueshme) që e bëjnë jashtëzakonisht të vështirë për publikun të orientohet te një temë specifike, koronavirusi.

Por, si jemi informuar që kur ka nisur pandemia? Kësaj pyetje i përgjigjet një ekip kërkuesish, me një studim që ofron një pamje të hollësishme të platformave sociale më të përdorura dhe temave më të kërkuara në muajt e pandemisë. Ndër rezultatet më domethënëse doli se fake news nuk përhapen me shpejtësi më të madhe se sa lajmet që vijnë nga burime të besueshme. Studimi sapo është publikuar te Scientific Reports.

Termi infodemi përdoret për të theksuar rreziqet që lidhen me keqinformimin, që mund të përshpejtojnë përhapjen e epidemisë, duke ndikuar fuqimisht në sjelljen e njerëzve.

“Për shembull, CNN përhapi lajmin mbi bllokimin e mundshëm të Lombardisë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, duke e publikuar disa orë përpara komunikimit zyrtar” – lexohet në studimin e ri. “Për pasojë, njerëzit ia mbathën nga rajoni duke mbushur trenat e avionët dhe duke venitur nismën e qeverisë, për të frenuar epideminë”.

Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë ka tërhequr vëmendjen dhe ka ngritur alarmin mbi infodeminë shqetësuese – sipas së cilës, menaxhimi i ndërlikuar i pandemisë është shoqëruar që në fillim nga e ashtuquajtura epidemia e informacioneve dhe nga përhapja e fake news mbi koronavirusin”.

Për të kuptuar se si përhapja e informacioneve mbi koronavirusin ka qarkulluar në këta muaj, kërkuesit e studimit të ri bënë një analizë krahasuese të aktivitetit të përdoruesve në pesë platforma sociale – YouTube, Instagram, Twitter, Reddit e Gab.

Duke rishikuar të dhënat e më shumë se 8 milionë komenteve dhe postimeve të lëna nga më shumë se 3.5 milionë përdorues në një hark kohor prej 45 ditësh (nga 1 janari deri më 14 shkurt), studiuesit analizuan interesin dhe përfshirjen e përdoruesve në temën e koronavirusit, duke vlerësuar evolucionin e bisedave me kalimin e kohës, në shkallë globale, për secilën platformë.

Për më tepër, ata përshtatën shpërndarjen e informacionit në çdo platformë te modelet e epidemisë. Rezultatet treguan se Gab, për shembull, është platforma sociale më e ndjeshme ndaj përhapjes së fake news. Studiuesit theksojnë se, megjithatë, informacionet nga burime të besueshme dhe informacionet nga burime jo të besueshme nuk regjistruan ndryshime të konsiderueshme në modelet e shpërndarjes.

Studiuesit thonë se të analizosh dinamikën mes përhapjes së informacioneve dhe platformave sociale është e rëndësishme për të kuptuar sjelljet sociale dhe për pasojë, për të zhvilluar strategji komunikimi më efikase gjatë pandemisë.

 Burimi: Wired