Qeveria ka vendosur që Marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi ta riprocedojë në Kuvend muajin tjetër, pasi të ketë përfunduar punën Komisioni për Matjen e Territorit, kurse partitë opozitare paralajmërojnë kundërshtime.

Marrëveshja për ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi do të kthehet në votim para deputetëve në muajin mars, pavarësisht kundërshtimeve të ashpra të opozitës.

Ky vendim ka ardhur pas konstatimit të Komisionit për Matjen e Territorit, sipas të cilit, Kosova nuk humb territor me këtë Marrëveshje. Pavarësisht të të gjeturave të këtij Komisioni, qëndrimet e opozitës kundër Marrëveshjes mbeten të palëkundura.

Në anën tjetër, analistët politikë në vend shprehen skeptikë nëse opozita do të ndërrojë mendje sa i përket çështjes së kufijve.

Kurse politologët duke e vlerësuar vendimin e Komisionit si të pritur theksojnë se çështja e demarkacionit ka mbetur aty ku ka qenë, pa asnjë risi në të. Në ekzekutivin e vendit bëjnë të ditur se ditëve në vijim do të vendoset për kthimin e Demarkacionit.