Të ardhur nga një e kaluar diktatoriale ku shteti mendonte për të gjitha shërbimet, ne shqiptarët vazhdojmë të kërkojmë shumë nga shteti po në të njëjtën mënyrë si bënim në kohën e komunizmit edhe pse sistemi ekonomik i sotëm paraqitet rrënjësisht ndryshe nga ai i mëparshmi.

Fakti, se kemi qenë i vetmi vend në botë që nuk ekzistonin taksat, është propaganduar aq shumë nga regjimi i dikurshëm sa ka rrënjosur në mentalitetin kolektiv të shqiptarëve ‘taksën’ si një nga gjërat më të gabuara dhe çnjerëzore të kapitalizmit.

Të ardhur nga ky mentalitet e kemi shumë të vështirë të përshtatemi në realitetin e ri ekonomik. Edhe pse kanë kaluar njëzet vjet ende vazhdojmë të ankohemi dhe të gjejmë çfarëdolloj mënyre për të mos paguar taksat.

Ndërkohë që vazhdojmë të kërkojmë nga shteti duke harruar se cili është detyrimi ynë si shtetas. Ajo që bën çudi është se në Shqipëri të mos paguash taksa, të mos paguash sigurime apo detyrime të tjera nuk përbën ndonjë problem në ambientin social ku jeton.

Biles mund të quhet njëfarë zotësie nëse arrin të gënjesh sa më shumë apo të fallsifikosh. Injorantë dhe të privuar nga njohja e detyrimeve ndaj shtetit, jemi po kaq të njëjtë edhe në njohjen e një krimi që ndëshkohet penalisht.

Në mentalitetin kolektiv ekziston një primitivizëm në atë çfarë është një vepër penale duke e konsideruar një veprim ordiner. Duhet të vrasësh, të plagosësh, që qëllosh me armë, të vjedhësh që të mendosh se bën një veprim që ndëshkohet penalisht.

Por jo një veprim ekonomik.Në moralin e shoqërisë sonë është ende e pakonceptueshme dhe ndoshta do të kalojë dhe një shekull tjetër që të ndërgjegjësohemi për këtë. Por nëse shoqëria jonë është e tillë çfarë bën qeveria?

A mundohet që të bëjë propagandë se çfarë përbën krim ekonomik dhe çfarë rrezikohet nga ajo? Para disa kohësh kryeministri i vendit foli për herë të parë për ekzistencën e punës së ‘zezë’ dhe të paktë ishin ata që e kuptuan këtë fjalë.

Sepse një nga problemet e mëdha tona vjen edhe nga mungesa në gjuhën shqipe e terminologjisë ekonomike lidhur me taksat dhe financën, të cilat janë në shumicën dërrmuese terma të reja e të huazuara nga gjuhë të tjera.

Por ndërsa kryeministri fliste për ‘punën e zezë si një plagë të shoqërisë sonë’ nuk përdori një terminologji të fortë si ‘krim ekonomik’ apo ‘kriminel’ ata që bëjnë evazion fiskal.

Në këtë rast padyshim do të kishte një ndërgjegjësim më të madh tek qytetarët, sepse fjala ‘krim’ do të kishte tjetër efekt. Po çfarë është krimi ekonomik? Dhe cili është krimineli në këtë rast?

Konceptualizmi I kriminalitetit ekonomik është lidhur ma faktin e kryerjes së një krimi ekonomik që është shmangia e detyrimeve financiare ndaj shtetit nëpërmjet fallsifikimit të të dhënave apo mosdeklarimit të aktivitetit ekonomik fitimprurës.

Në masën dërrmuese ky lloj fenomeni është tipik e shtresave të pasura të shoqërisë, ose të ashtuquajturit ‘kollaret e bardha’, profesionistë të respektuar dhe me emër të mirë në shoqëri.

Nëse këta do të etiketoheshin si kriminelë, ashtu do të shikoheshin edhe nga shoqëria ku jetojnë. Ky fakt do të ndikonte tek ata që të mendoheshin mirë përpara se të kryenin një mashtrim fiskal ashtu si matet hajduti para se të hyjë të vjedhë diku është një çështje  sociologjisë.

Një e metë tjetër e kësaj çështje është se edhe sistemi gjyqësor shqiptar nuk vepron në raste të tilla duke vepruar penalisht.

Edhe pse një pjesë e këtij kuadri ligjor ekziston në vendin tonë, ai është në mënyrë të papërfillshme i zbatueshëm, nisur nga vendimet konkrete të gjykatave që pothuajse nuk i trajtojnë si krime, por i fusin në kodin civil dhe administrativ në ato pak raste që i trajtojnë.

Edhe pse hapa pozitivë janë bërë në këtë drejtim natyrisht që duhet shumë kohë, civilizim dhe emancipim shoqëror që të arsyetohet në këtë mënyrë; që vet drejtësia dhe shoqëria të dallojë kriminelët ekonomikë,

dëmin që shkaktojë dhe mënyrën e veprimit të kryerjes së krimit. Për të mos menduar më se çfarë bëri shteti për ne por edhe se çfarë bëmë ne për shtetin. Për të arritur drejt një qëllimi që në mënyrë absolute të gjithë ne shqiptarët do ta donim: një shtet më të fortë, një vend më të pasur dhe më të zhvilluar.

Nga: Arjan Konomi