Rikthimi i të larguarve në vendet e punës pas pandemisë më i vështirë do të jetë për turizmin, transportin dhe të vetëpunësuarit në shërbime. Industria e turizmit ende po vuan “bllokimin” e pushimeve, ndërsa nuk ka rikthyer në punë të punësuarit sezonalë. Kafenetë, baret dhe restorantet kanë reduktuar 20% të stafeve, për shkak të rënies së xhiros. Sektori i këpucëve ka mbyllur prodhimin e sezonit dhe pritet të rinisë në shtator.

Nga Dorina Azo

FAFA Group, një ndër strukturat akomoduese më të mëdha në vend me mbi 500 dhoma, ende nuk ka rikthyer në punë 65% të stafit. Në këtë hotel në Golem, vjet ishin të punësuar 350 punonjës, por aktualisht në punë janë vetëm 120 të punësuar të përhershëm që punojnë edhe në dimër. Fatos Çerenishti, administrator i FAFA Group, shpjegon për Monitor se, pavarësisht se ka nisur intervistat për rekrutim, nuk ka marrë asnjë punonjës sezonal, pasi në hotel pothuajse nuk ka fare klientë. Parashikimet për ardhjen e turistëve janë pesimiste edhe për muajt korrik-gusht, pavarësisht ofertave promocionale që po bëhen.

“Ne kemi nisur rekrutimin e stafit, kemi zhvilluar intervistat e punës, por ende nuk ju kemi kthyer përgjigje të interesuarve, pasi jemi të pasigurt për ecurinë e punës. Dhe, me sa shohim për këtë vit, nuk do të ketë sezon turistik. Pavarësisht se kemi bërë oferta, të cilat janë mjaft të leverdishme edhe në krahasim me rajonin, interesimi i shqiptarëve ka rënë në minimum.

Ofertat promocionale për pushuesit janë 20% më lirë se një vit më parë për shërbime all inclusive për muajin qershor, por kërkesa ka rënë 50% në krahasim me një vit më parë. Do të shohim gjatë këtyre 2-3 javëve si do të jetë ecuria, e cila do të jenë përcaktuese, më pas do të vendosim se çfarë do të bëjmë për shtimin e stafit në muajt korrik-gusht.”

Por sa punonjës do të kthehen në punë pas përfundimit të pandemisë të Covid-19 në turizëm? Fatkeqësisht, të larguarit e përkohshëm në sektorin e turizmit rrezikojnë të kthehen në të përhershëm, siç edhe thekson raporti i Bankës Botërore që industritë e turizmit dhe shërbimeve, veçanërisht kanë përjetuar një efekt më të ashpër se pjesa tjetër e ekonomisë. Në Shqipëri, rënia e kërkesës për turizmin cilësohet nga Banka Botërore si pengesa kryesore, më shumë se në çdo sektor tjetër.

Romina Koçllari, menaxhere te Diamma Resort, me kapacitet akomodues 130 dhoma, shprehet se kërkesat për rezervime kanë rënë 50% në krahasim me 2019. “Çmimet janë ulur 35%, dhe shpenzimet për promocion janë rritur, por për muajin qershor në hotel nuk ka asnjë pushues. Vitet e fundit, shumica e pushuesve të resortit ishin shtetas norvegjezë, polakë dhe çekë, të cilët kanë anuluar 110 dhomat e prenotuara dhe kanë kaluar të gjithë me një javë para check-in. Edhe nga agjencitë turistike nuk ka dritë jeshile për ardhjen e turistëve. Kjo situata na ka penalizuar shumë, pasi në krahasim me vjet puna me turistët e huaj niste që më 3 maj.”

Situata aspak pozitive e nisjes së sezonit, që po vë në pikëpyetje ecurinë për muajt korrik-gusht, do të ndikojë te punësimi. Zonja Koçllari thotë se janë ende të pasigurt për rikthimin e të punësuarve sezonalë, pasi parashikojnë që edhe për muajt në vazhdim, fluksi i pushuesve të mos i kthehet normalitetit. Sipas të dhënave të Ministrisë të Financave, numri i të punësuarve sezonalë në turizëm shkon në 20 mijë.

“Me nisjen e sezonit, në punë janë vetëm 28 punonjësit e përhershëm, ende nuk kemi kthyer punonjësit që nevojiten për muajt e pikut të sezonit. Shtimi i punonjësve nis që në muajin mars, me 22 punonjës të rinj. Gjatë periudhës maj deri në 15 shtator, numri i të punësuarve shtohet dhe në total arrin 102 të punësuar. Më pas, në muajin nëntor, struktura e punësimit nis të funksionojë vetëm me punonjësit e përhershëm apo ata që janë stabël, që nga dita e parë e hapjes të resortit.

Kemi vënë re që kërkesa për punë është shumë e lartë, të cilën e kemi vuajtur vitet e mëparshme, si efekt edhe i largimit të punonjësve në shtete të tjera. Pra kërkesat për punësim janë të larta, por të gjithë të interesuarit janë intervistuar dhe ende nuk ju kemi kthyer përgjigje. E shohim me risk shumë të lartë ecurinë e punës për muajt korrik-gusht”, nënvizon zonja Koçllari.

Pesimizmi dhe paqartësia për frekuentim të pushuesve për këtë sezon konfirmohet edhe nga Oltion Çaçi, përfaqësues i strukturës akomoduese Floëer. Sipas tij, hotelet më të rëndësishme të Golemit, ende nuk e dinë datën e saktë të nisjes së kontratave, por mendohet muaji korrik. Mungesa e punës për qershorin, rënia e të ardhurave, humbjet që arrijnë deri në 40-50% të xhiros vjetore do ta bëjnë të pamundur vijimësisë e aktivitetit të këtyre bizneseve për muajt korrik-gusht, çka pritet të sjellë edhe shkurtimin e pagave për të punësuarit.

“Të gjitha hotelet po presin që sezoni turistik të nisë në muajin korrik, pasi për qershorin, frekuentimi nga pushuesit është vetëm për fundjavë. Aktualisht ka më pak klientë se çka pasur në muajt dhjetor-janar, që konsiderohet periudha me frekuentimin më të ulët. Qytetarët nuk po dinë si të sillen pas 3 muaj karantine, apo cilat plazhe në vend do të zgjedhin. Ndërkohë koncepti i shqiptarëve për pushimet ka ndryshuar. Brenda vendit parapëlqehen pushime 3-4 ditore, të painteresuar po ashtu edhe për ofertat promocionale.

Një pjesë e vogël bëjnë pushime 10-ditore, por kjo kategori preferon më shumë shtëpi me qira. Nga ana tjetër, për shkak të konkurrencës në rritje, nuk mund të ulim cilësinë e shërbimeve dhe jemi të detyruar të mbajmë stafin, madje ta shtojmë, pasi kemi investuar për kualifikimin e tyre. Ne kemi mbi 65 të punësuar dhe nuk kemi hequr asnjë punonjës nga puna. Për këtë vit, të ardhurat do të ulen dhe duhet të punojnë 2 vjet për rikuperimin e këtij viti. Humbjet janë të larta, që arrijnë 30-40% të xhiros vjetore. Pra, hoteleria e mirëfilltë këtë vit, sidomos në plazhin e Durrësit do të ketë probleme, pasi kostot janë të papërballueshme nëse e gjithë struktura nuk përfshihet në punë.

Për të përballuar koston e lartë, shumë struktura akomoduese do të jenë të detyruara të ulin pagat e punonjësve.” Sipas tij, një mundësi për t’i dhënë frymëmarrje sektorit është shtyrja deri në dy vjet e afatit të ristrukturimit të kredive, me qëllim që të krijohet likuiditet e të mos reflektojë te pagat e punonjësve.
Mbyllja e aktiviteteve nga mesi i marsit ka ndikuar negativisht në punësim. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, numri i vendeve të punës në biznesin e madh deri ne fund të muajit Prill është reduktuar me mbi 38 mijë. Vlerësimet per listëpagesën e muajit Prill 2020 janë subjekt i ndyshimeve pasi Biznesi i Vogel ka afat të deklarojë këtë periudhë deri 20.07.2020.

Në fund të muajit Prill, rënia më e madhe e të punësuarve rezulton të jetë në sektorin e shërbimeve, të prodhimit dhe tregtisë me përkatësisht 16 mijë persona ose -6%, 12 mijë ose -11.2% dhe 7 mijë persona ose -7.8%.
Vdekja” e vendeve të punës pritet të shtohet më shumë në pjesën e dytë të vitit, nëse mungesa e turistëve, siç po ndodh për qershorin, do të vazhdojë edhe në muajt korrik-gusht, apo edhe nga mbyllja e punës deri në shtator të disa kompanive fason që ende vuajnë mungesën e porosive. Baret, restorantet dhe kafenetë rifilluan punën me reduktim 20% të stafit, pasi konsumi mesatar për klient, siç pohojnë përfaqësues të industrisë është ulur 40%.
Rënia e numrit të të punësuarve do të jetë më e madhe, nëse u referohemi edhe punëtorëve të padeklaruar.

 

Tregtia dhe shërbimet, sektorët kryesorë punësues, mbizotëron vetëpunësimi

Në sektorin privat kishte gjithsej 515 mijë të punësuar në fund të vitit 2019, sipas INSTAT. Tregtia dhe shërbimet janë dy sektorët punësues më të mëdhenj në vend, me përkatësisht 24% dhe 22% të totalit të të punësuavre në sektorin privat në vend, të ndjekura nga industria përpunuese (21%), akomodimi dhe shërbimi ushqimor (11%), ndërtimi (9%), ndërsa pesha e sektorëve të tjerë është më e vogël se 9%.

Në sektorin e tregtisë, ka gjithsej 125 mijë persona, gjysma e të cilëve janë në shit-blerje me pakicë. Tregtia ka një numër të lartë vetëpunësimi, ku 34% e atyre që kanë hapur aktivitet ia dalin mbanë vetëm. Shërbimet u sigurojnë jetesën 110 mijë personave. Call center është kthyer vitet e fundit në një punëdhënës të rëndësishëm me rreth një të pestën. Rreth 19% e të punësuarve në shërbime janë të vetëpunësuar. Në industrinë përpunuese janë të angazhuar rreth 106 mijë persona. Tekstilet dhe këpucët janë punëdhënësit më të mëdhenj në industri, me rreth 55 mijë persona, ose 52% e totalit.

Në akomodim dhe shërbim ushqimor punojnë rreth 56 mijë persona. Në ndërtim punojnë rreth 45 mijë persona.
Transporti, informacioni dhe komunikacioni gjeneron vende pune për 38 mijë persona, nga të cilat 14 mijë janë vetëm në transport, që muajt e fundit ka qenë tërësisht i paralizuar. Në sektorin e energjisë elektrike e gazit ka rreth 22 mijë të punësuar dhe në industrinë nxjerrëse rreth 11.5 mijë.

 

BURIMI: INSTAT

 

Efektet e krizës te vetëpunësimi

Shqipëria ka si karakteristikë nivelin e lartë të vetëpunësimit dhe punësimin nga ndërmarrjet e vogla, të cilat pritet të rezultojnë më të brishtat nga kriza e shkaktuar nga Covid-19. Të vegjlit e kanë më të vështirë të përballojnë goditje të paparashikuara, teksa të ardhurat e tyre shpesh janë minimale dhe nuk mundësojnë krijimin e rezervave për përballimin e situatave të papritura. Në vend ka gjithsej rreth 100 mijë të vetëpunësuar, sipas INSTAT.

Selami Xhepa, President i Universitetit Europian të Tiranës, konfirmon për “Monitor Ekonomi” se më të goditurit nga kriza do të jenë të vetëpunësurit në shërbime. “Punësimi dhe struktura ekonomike e vendit karakterizohet nga një nivel i lartë i punësimit në sektorin e shërbimeve, që është vetëpunësim. Gati 95% e sipërmarrjeve në Shqipëri janë me 1 apo 2 pronarë, 2 apo 3 anëtarë të familjes që zotërojnë një biznes.

Struktura e punësimit karakterizohet nga fakti që një pjesë e madhe e tyre është në sektorin bujqësor. Jo të gjithë do t’ia dalin nga kriza. Një pjesë e bizneseve do të falimentojnë, çka do të kërkojë një proces ripërshtatje. Një pjesë e agjentëve ekonomikë do t’ia nisin nga e para, ndoshta me një model të ri. Pasojat do të jenë afatgjata, por do të jetë një sfidë edhe për politikat publike dhe për shoqërinë”, thekson Xhepa.

 

BURIMI: INSTAT

 

Baret dhe restorantet

Në shërbim ushqimor dhe pijet e sigurojnë jetesën rreth 47 mijë persona, ose gati 10% e të punësuarve në privat në vend. Baret dhe restorantet kanë një kontribut të rëndësishëm në këtë segment.

Në vend ka rreth 14 mijë bare dhe rreth 4 mijë restorante, duke na bërë ndër të parët në botë për numrin e lokaleve në raport me popullsinë. Ky segment ka dhe nivelin më të lartë të vetëpunësimit në vend, me rreth 37% të totalit.

Edhe pse pas hapjes së kafeneve, bareve dhe restoranteve u duk rilindje e frekuentimit, Enri Jahaj, anëtar i bordit drejtues të Shoqatës së Bareve, Restoranteve dhe Klubeve, thotë se ka rënie të konsumit mesatar për klient. Për këtë arsye, sipas tij, deri në muajin shtator këto biznese do të vazhdojnë të punojnë me staf të reduktuar deri në 20%.

“Është e pamundur që deri në muajin shtator të mbajmë stafin e plotë në punë, për sa kohë që frekuentimi nuk është si në periudhë normaliteti, pasi ende ekziston frika e infektimit nga virusi dhe distancimi social vazhdon. Po ashtu, konsumi mesatar për klient ka pësuar rënie 35-40%. Nëse më parë një klient mesatarisht shpenzonte në restorant 100 lekë, sot po shpenzon 65 lekë. Kjo rënie mesatare e shpenzimeve vjen për shkak të pasigurisë dhe frikës së rikthimit të epidemisë në muajin shtator.”

 

Prodhuesit e këpucëve, ende të pezulluar

Goditje nga kriza pati edhe sektori i prodhimit të këpucëve dhe tekstileve, i cili vuajti mungesën e porosive dhe rritjen e mallrave stok nga mungesa e shitjes. Rreth 28 kompani fason larguan nga puna 2,300 punonjës për shkak të ndërprerjes të punës dhe pamundësisë financiare për t’i paguar për muajt mars-prill. Disa prej tyre ende nuk kanë rifilluar dhe parashikojnë që prodhimi të kthehet në normalitet vitin tjetër. Dritan Gjoni, administrator i kompanisë Alba Group, thotë se 152 punonjësit e larguar nga puna në muajin prill ende janë në shtëpi në pritje të rinisjes të punës. “Në fabrika janë vetëm 5 punonjës administrate. Puna është pezulluar që nga 6 prilli dhe punonjësit janë paguar për të gjithë muajin prill.”

Administratori i kompanisë së prodhimit të këpucëve shpjegon se puna nuk po rinis për shkak të mbylljes për tre muaj të fabrikave në Itali. “Puna ende nuk ka filluar, sepse klientët tanë që janë në Itali për një periudhë të gjatë që nga fundi i muajit shkurt, mars, prill kanë qenë të mbyllur, por në këtë periudhë bëhen kampionet e reja, miratohen, vendosen shitjet dhe porositen materialet dhe ne duhet të punojnë nga muaji korrik deri në dhjetor.

Puna për këtë sezon humbi dhe pritet të rinisë në muajin shtator me gjysmë kapaciteti, duke u rritur gradualisht deri në rikthimin në normalitet. Nisja e punës më shpejt është shumë e vështirë, pasi nuk mund të merret një sasi e vogël për prodhim, se shkakton konfuzion total për punonjësit, pasi do të punojnë një muaj në fabrikë, një muaj do të qëndrojnë në shtëpi. Në këtë mënyrë, puna nuk do të jetë edhe rentabël.”

Përfaqësuesi i kompanisë, Alba Group, pohon se rikuperimi do të jetë i vështirë, pasi humbjet e 5-mujorit janë katastrofike. “Fondi i pagave është gati 70% e faturimit mujor, pra duhet të prodhojmë 6 muaj për të paguar 2 muaj fondin e pagave, pasi marzhi i fitimit është shumë i ulët. Shpenzimet mujore për kosto fikse zënë 15-20% të të ardhurave mujore, që përfshin pagesat e qirave, ruajtjen fizike të objekteve, pagesat e energjisë.”

Me paketën e dytë financiare në këtë kompani janë paguar 13 punonjës, të cilët janë larguar para datës prill nga puna, për shkak të frikës nga rreziku i infektimit. “Pas ndryshimit të afatit për të larguarit nga puna nga 1 marsi deri në 17 maj, me paketën e dytë e përfituan të gjithë punonjësit e larguar që janë rreth 140 punonjës. Shumica e tyre janë me vjetërsi të madhe pune dhe shpresoj që t’u jepet asistencë”, pohon zoti Gjoni.

Situata shfaqet më optimiste për 300 punonjësit e kompanisë së prodhimit të këpucëve Picari në Fier. Përfaqësues të kompanisë pohojnë se puna gjatë karantinës u mbyll vetëm për dy javë për shkak të mungesës me furnizim të lëndës të parë. “Të gjithë punonjësit janë rikthyer në punë, madje dhe do të punësohen punonjës të rinj nga zona, pasi pjesa më e madhe e klientëve kanë shtuar porositë”. Ata thonë se rikuperimi i sektorit do të jetë i shpejtë, pasi mjaft kompani të njohura ndërkombëtare, me të cilat bashkëpunojnë po synojnë rritjen e prodhimit, madje parashikohet bum i porosive që do të kërkohen të realizohen në mënyrë urgjente.

“Me klientët tanë mund të punojmë me orare të zgjatura, gjithashtu edhe në ditët e pushimit për të realizuar prodhimin e kërkuar. Klientët tanë janë kompania HOGAN, IMAC për këpucët sportive dhe MENEGELI, të cilët kanë kërkuar që puna të vazhdojë edhe për muajin gusht, për të rikthyer në normalitet prodhimin, që u reduktua gjatë periudhës së karantinës. Konkretisht, kompania prestigjioze HOGAN, për të cilën punojmë, nuk ka pasur pezullim të punës në këtë periudhë.

Prodhimi për një sezon që është 50 mijë palë këpucë ka vazhduar. Për kompaninë IMAC prodhimi për sezonin vazhdoi pjesërisht. Rritja e porosive do të vijë edhe për shkak të afërsisë që kemi me vendet që punojmë, por edhe siç pohojnë mjaft klientë, në Shqipëri ka më shumë garanci për të punuar se në Bullgari ku ende po zbatohen masa ekstreme.

Po ashtu, në Itali, këtë vit panairi nuk do të zhvillohet në Verona, për shkak të rrezikut nga koronavirusi, por organizuesit kanë nxjerrë kompani më kompani menaxherët dhe agjentët për kontaktuar për marrjen e porosive”, pohojnë përfaqësuesit e kompanisë Picari. Tekstilet dhe këpucët janë punëdhënësit më të mëdhenj, me rreth 55 mijë persona. Në sektorin e tekstileve, rimëkëmbja gjithashtu po shfaqet më e shpejtë.

Gjergj Liqejza, i kompanisë së veshjeve Madish në Shkodër, ku janë të punësuar rreth 700 punonjës, thotë se prodhimi gjatë karantinës nuk është ndërprerë dhe nuk ka asnjë largim nga puna. “Për prodhimin e veshjeve të brendshme është punuar me 40% të kapacitetit total prodhues, kurse për veshjet ushtarake është punuar me kapacitet të plotë.

Gjithashtu jemi në fazën përfundimtare të projektimit të maskës, e certifikuar sipas normave europiane, një prodhim ekskluziv i kompanisë Madish. Deri në fund të vitit, puna do të kryhet në përputhje me masat kundër infektimit nga virusi, por shpresojmë që të mos kemi rikthim në muajin shtator, pasi efekti do të ishte katastrofik. Sipas skenarit më pesimist që kemi bërë edhe me partnerët tanë parashikojmë që puna të rikthehet në normalitet pas një viti”, shprehet Liqejza.

 

Call Center po rimëkëmben

Call center është kthyer vitet e fundit në një punëdhënës të rëndësishëm, me rreth një të pestën. Agron Shehaj, përfaqësuesi i kompanisë call center Intercom Data Servis, thotë se rimëkëmbja e sektorit do të jetë e menjëhershme. Zoti Shehaj veçon si domosdoshmëri thjeshtimin e masave anti-COVID nga qeveria për biznesin call center, pasi disa prej tyre janë të paaplikueshme.

“Call center janë më pak të goditurit dhe do të rimëkëmbën menjëherë, për shkak të punës smart work që kryejnë dhe që operojnë për kompani të mëdha italiane. Në këtë situatë, më shumë shqetësuese për sektorin mbeten paqartësia e masave anti-Covid të përcaktuara nga autoritetet e qeverisë. Sipërmarrësit janë të paqartë për masat që duhet të zbatojnë, por disa prej tyre janë edhe të paaplikueshme. Nga ana e qeverisë, masat duhet të jenë më të qarta dhe të jenë të aplikueshme për biznesin.”

Në kompaninë Intercom Data Servis janë të punësuar rreth 1,625 punonjës të cilët ende po punojnë nga shtëpia. Në total, numri i të punësuarve në këtë sektor është 22 mijë persona, por sektori shënoi rënie të të punësuarve me 12% në vitin 2019 krahasuar me vitin 2015 ku numri i të punësuarve ishte më i lartë. Shumë prej kompanive të vogla në periudhën e karantinës vuajtën mungesën e infrastrukturës dhe logjistikës për të punuar nga shtëpia.

 

Ringrihet sektori i përpunimit të peshkut

Për shkak të mbylljes së restoranteve dhe rënies së kërkesës nga vendet si Italia dhe Spanja në periudhën e karantinës, sektori i përpunimit të peshkut reduktoi kapacitetet prodhuese me 30%. Mark Babani, përfaqësues i kompanisë Mare Adriatik, thotë se aktualisht puna është ringritur plotësisht dhe punonjësit po rikthehen. “Porositë që kemi marrë për prodhim janë të shumta.

Fabrika në Vaun e Dejës prej 1 muaji po punon me kapacitet të plotë dhe brenda 10 ditësh, pritet të rinisë puna në fabrikën e Tiranës. Fabrika e Tiranës u mbyll prej 6 marsit dhe 100 punonjësit do të rikthehen të gjithë në vendet e punës. Puna në fabrikë u mbyll për shkak të mungesës së lëndës të parë dhe pamundësisë për të prodhuar. Punonjësit kanë përfituar pagesën prej 40 mijë lekësh me paketën e dytë financiare të qeverisë.

Në periudhën e karantinës, pati rënie të punës me restorantet dhe supermarketet. Puna në restorante ende nuk ka nisur me kapacitet të plotë, por fillimi është pozitiv. Kemi nisur të marrin porosi për përpunim nga Spanja dhe Italia dhe kemi nisur të blejmë peshk në Europë”, pohon zoti Babani. Industria e përpunimit të peshkut, sipas të dhënave të Strategjisë Kombëtare të Peshkimit 2016-2021, punëson rreth 3 mijë persona në Shqipëri (kryesisht gra) duke zënë një përqindje të rëndësishme të forcës punëtore për shkak të veçorisë së punës në marrjen e porosive nga jashtë dhe rieksportimin e tyre në vende të ndryshme.

Periudha e shfaqjes së pandemisë përkoi edhe me periudhën e peshkimit dhe barkat e peshkimit nuk mund të dilnin në det. Sipas përfaqësuesve të industrisë përpunuese, kjo vuri në rrezik daljen në treg të produkteve të kultivuara për vitin 2021. Sipas të dhënave të Ministrisë të Bujqësisë në vend, për vitin 2017 janë zënë 8.289 tonë peshk. Për vitin 2018, zënia e peshkut shënoi rritje. Në total janë zënë 8.629 tonë peshk.

 

Puna në transport, ende e paralizuar

Sektori i transportit mund të konsiderohet më i godituri nga kriza, pasi vazhdon të jetë ende i paralizuar dhe humbjet janë në rritje. Për periudhën mars-prill-qershor, humbjet për transportin urban ishin 9 milionë euro siç pohuan më herët përfaqësues të shoqatës. Efektet e krizës janë shtrirë edhe te transporti ndërqytetas, i cili ka paralajmëruar falimentim të operatorëve nëse qeveria nuk ju mundëson lehtësi fiskale.

Për shkak të krizës, kompani me eksperiencë 14-vjeçare në tregun e transportit ndërkombëtar të udhëtarëve, si Alba-Trans, mbylli aktivitetin. Transporti, informacioni dhe komunikacioni gjeneron vende pune për 38 mijë persona, nga të cilat 14 mijë janë vetëm në transport, që muajt e fundit ka qenë tërësisht i paralizuar.

 

Rindërtimi premton për rritje punësimi në ndërtim

Pas realizimit të kontratave për rindërtimin dhe heqjen e kufizimeve të lëvizjeve nga koronavirusi, ecuria e sektorit të ndërtimit do të jetë në rritje. Ndërtuesi Hajredin Fratari pohon se efektet më të mëdha nga rindërtimi do të jenë te rritja e punësimit. Edhe në periudhën e karantinës, ky sektor nuk pati rënie të punës. Zoti Fratari thotë se pas heqjes së karantinës, eksporti i materialeve të ndërtimit, veçanërisht në Kosovë do ta marrë veten shumë shpejt.

“Covid-19 nuk pati asnjë ndikim te sektori i ndërtimit, puna vazhdoi normalisht. Ndikim nuk pati as te shitja e banesave. Heqja e kufizimeve të lëvizjeve do t’i japë më shumë impuls eksporteve me Kosovën, për materialet e ndërtimit pas një rënie që pësuan në këta dy muaj. Sasia më e madhe e eksporteve të materialeve të ndërtimit, si çimento, tulla dhe hekur shkojnë drejt Kosovës.” Në sektorin e ndërtimit, sipas të dhënave të INSTAT, punojnë 9% e totalit të të punësuarve në privat në vend.

 

Varfëria do të rritet

Kriza ekonomike nga koronavirusi do të rrisë numrin e të varfërve. Selami Xhepa pohon se shtresat më vulnerabël, që janë edhe pjesa më e madhe e të punësuarve informalë, do të jenë më të goditurit. Po sipas tij, edhe shtresa e mesme do të vuajë efektet e krizës, pasi bizneset kanë ulur pagat.

“Një pjesë e të ardhurave në Shqipëri gjatë kësaj periudhe tranzicioni janë kompensuar nga emigracioni, që janë një burim të ardhurash të munguara dhe pjesa më vulnerabël e shoqërisë. Pandemia thelloi më shumë problemin e varfërisë në vend. Një nga karakteristikat tipike të varfërisë në vend është se kemi një përqendrim të popullatës në kufirin e vijës së varfërisë. Kjo do të thotë se, nëse ndodh një goditje negative, pjesa e popullsisë që bie nën kufirin e varfërisë rritet ndjeshëm. Për shkak të goditjes nga pandemia, ajo pjesë e popullsisë që ka qenë në kufirin e varfërisë po rritet. Mendoj se shifra është më e madhe nga sa thekson Banka Botërore.

Mbetet shqetësues fakti që varfëria e vendit është dy herë më e lartë në krahasim me vendet e rajonit, një problem që kërkon vëmendje të shtuar nga autoritetet publike. Po ashtu, edhe shtresat e mesme janë goditur shumë. Shumë biznese kanë reduktuar paga dhe kompensimet mujore. Manifestimi në sferën e problemeve shoqërore të pandemisë ka qenë jashtëzakonisht i fortë dhe do të ketë efekte afatgjatë”. Zoti Xhepa rekomandon se nga qeveria duhet të zbatohen më shumë projekte mbështetëse për shtresat e varfra.

“Më shumë se 60-70% e popullsisë mezi ia dalin në plotësimin e nevojave bazike. Ka shumë indikatorë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë që na tregojnë se gjendja sociale duhet të ketë përparësi nga qeveria. Siç është vepruar në shumë vende të tjera, edhe te ne kompensimi i të ardhurave duhet të ishte për të gjithë popullsisë. P.sh., çdo qytetar mbi 18 vjeç duhet të marrë një paketë të caktuar ekonomike.

Një tjetër alternativë do të ishte mbështetja me produkte ushqimore, mallra bazike, por jo si reklama deputetësh apo kryetarë bashkish, por si mbështetje institucionale për këto kategori. Dhe për ata që janë të punësuar dhe për shkak të mbylljes së aktivitetit ekonomik janë të papunë, mbështetja duhet të ishte e drejtpërdrejtë që të ruhej vijimësia e aktivitetit të ndërmarrjes.”

Banka Botërore vlerëson se 30% e punonjësve në vend është informale. Pesha e lartë e vetëpunësimit dhe informaliteti janë sipas Bankës Botërore dy prej arsyeve pse Shqipëria mbetet një nga vendet më të cenueshme nga pasojat e COVID-19. Shkalla e varfërisë pritet të arrijë nga 40% që është sot, deri në 48% (numri i personave që jetojnë me më pak se 5.5 dollarë në ditë, sipas fuqisë blerëse). Të dhënat e INSTAT tregojnë se ndërmarrjet me 1-4 të punësuar sigurojnë rreth 30% të punësimit në vend.

 

BURIMI: INSTAT

Monitor.al