Ka nisur Champions League dhe Europa League. Edhe për sezonin 2019 / 2020, çmimet e larta që përfitojnë klubet nuk u lënë hapësirë dyshimeve.

Pjesëmarrja në këto kompeticione është e rëndësishme për klubet, theksohet në një raport të UEFA – dhe siç shkruan “La Gazzetta dello Sport” – lidhet me 80 skuadrat që marrin pjesë në dy kompeticionet e mëdha europiane për klube.

Për herë të parë, vitin e kaluar, aktivet e gjithë klubeve europiane të kategorisë së parë kapën shifrën 600 milionë euro. Kjo shifër u referohet 716 klubeve, që më pas tkurren në 237, duke marrë në konsideratë gjithë klubet që marrin pjesë në Kupat e Europës (që nga raundet kualifikuese) dhe në fund numri shkon në 80, totali i klubeve që marrin pjesë në fazën e grupeve të dy kompeticioneve europiane, Champions League dhe Europa League. Në total, këto 80 klube vlejnë 24,1 miliardë euro. Qarkullimi i tyre është 11,7 miliardë euro, ndërsa fitimi 139 milionë euro (nga fitimi operativ 817 milionë euro para taksave)

Fitimet më të mëdha vijnë, mbi të gjitha, nga të ardhurat tregtare (36%, më shumë se 4 miliardë); të drejtat televizive (28%); të ardhura nga shitja e biletave (17%); çmime nga UEFA dhe çmime solidariteti (14%). Në fund, 5% e zë zëri “të ardhura të tjera”. Nga ana tjetër, shpenzimet më të mëdha lidhen me transferimet e futbollistëve (46%), ndjekur nga kostot operative (31%) dhe pagat për punonjësit e tjerë (16%).

Këto 80 klube kanë shpenzuar në merkato thuajse 4 miliardë euro, 55% të totalit. Në këto marrëveshje dominojnë sulmuesit (35%) dhe mbrojtësit (35%). Për mesfushorët (25%) dhe portierët (5%) siç shihet investohet më pak. Thuajse gjysma e transferimeve (47%) përfshin futbollistë të moshës 21 – 24 vjeç. Under 17 përbëjnë 17% të totalit dhe 69% e transferimeve bëhen jashtë vendit.

Siç shihet, pjesëmarrja në Kupat e Europës është gjithnjë e më tepër e rëndësishme për të rritur stekën për çdo klub. Jo më kot, në projektet e ardhshme të shumë diskutuara të UEFA-s, e vetmja pikë ku të gjithë bien dakord është shtimi i numrit të klubeve në kompeticionet europiane.

 

/MONITOR.AL