Këngëtarja sharmante e cila prej disa kohësh është shkëputur nga Shqipëria vjen në këtë intervistë për të na folur për veten e saj. Një jetë e re në Gjermani, aty ku ajo ka gjetur lumturinë pranë bashkëshortit të saj Naimit, e sidomos djalit të vogël Erlisit. Ditë të bukura, energji pozitive; jeta e një këngëtareje që kërkon të prekë tregjet botërore, por dhe përditshmëria e një jete të zakonshme

Intervista

Ajo do të kujtohet ngahera si këngëtarja me zërin potent, trupin me linjat perfekte, dhe kaçurrelat e bukur që dominoi skenën e festivalit kombëtar në Rtsh. Ishte shumë e re kur u shfaq për herë të parë me këngën “E doni dashurinë”, përkrah Luan Zhegut e megjithatë arriti të fitojë zemrat e një publiku të gjerë. Bëhet fjalë për këngëtaren e mirënjohur Ledina Çelo.

Ndërsa do të kujtonim një repertor të gjerë në muzikë, një eksperiencë të pasur në skenë, këngë të fuqishme jo vetëm pop, por dhe dance, të cilat së fundmi janë pasuruar dhe me klipe mjaft sensualë e tashmja e Ledinës vjen ndryshe. Më se e lumtur ajo aktualisht jeton në Gjermani, e martuar me Naimin, djalin me të cilin pati jo pak por 10 vjet njohje. Një lidhje e gjatë që u finalizua ashtu si dhe vetë Ledina ëndërronte e që së fundmi i ka sjellë në jetë dhe fëmijën e parë, djalin e saj Erlisin.

Teksa dëgjojmë të transmetohen thuajse çdo ditë në stacione muzikore, këngët e këngëtares sharmante, mendojmë se ku është ajo dhe pse nuk e shohim aq shpesh sa dikur. Në fakt Ledina nuk është shkëputur totalisht prej skenës. Vazhdon ende të krijojë këngë të reja dhe në anglisht madje, e të ketë edhe një publik që e adhuron jashtë kufijve. Ndërsa për momentin është e angazhuar me rritjen e djalit, fakt që e gëzon pa masë, ajo kujton me shumë nostalgji publikun shqiptar.

Ditët e saj janë të mbushura me punë, përkujdesje ndaj djalit, dhe pse jo, përpjekjes për të bërë amvisën e përkryer. Madje atë e bën me shumë lehtësi pasi është në natyrën e saj të jetë e përkushtuar, të gatuajë, të merret me punët e shtëpisë e të vlerësojë gjërat e jetës. Në këtë rrëfim ajo na tregon shumë për veten.

Si është të jetosh në një vend të huaj dhe të përshtatesh në një moshë më madhore?

Për mua ishte shumë e lehtë për t’u ambientuar sepse nuk ishte hera e parë që largohesha nga Shqipëria. Lëvizjet e mia profesionale kanë qenë shumë të shpeshta, dhe me gjatësi kohore. Kam jetuar vite në Paris, në Londër, e Gjermania ka qenë vendi i preferuar për faktin se vëllai im jeton prej shumë vitesh. Ndoshta kam pasur dhe telepatinë që një ditë do jetoja këtu.

Dashuria është arsyeja që të bën të marrësh inciativa rrënjësore, por çfarë kostoje ka për ty personalisht?

Nga kjo lidhje dashurie, unë arrita kulmet si në jetën time private ashtu dhe në karrierë, sepse Naimi më ka përkrahur dhe më përkrah, e nuk e kam ndjerë aspak koston e humbjes në çdo aspekt. Përkundrazi, çdo gjë rrjedh shumë pozitivisht.

Një i njohuri juaj prej 10 vjetësh u bë bashkëshorti juaj. E kishit menduar më parë?

Deri diku po…Përderisa dy njerëz ruajnë prej 10 vitesh atë ndjenjën në sirtar, mendoj që janë të lindur për njëri tjetrin.

Sa e ndihmon më shumë një martesë njohja e gjatë me personin që lidh jetën tënde?

Mendoj që nuk ka lidhje koha. E rëndësishme është të gjesh gjuhën e përbashkët gjë që në ditët e sotme nuk është aq e lehtë. Sigurisht kur njihesh prej vitesh me dikë lidhja është më e fortë.

Je kundra dashurive me shikim të parë? Çfarë të metë kanë ato?

Dashuria me shikim të parë është pak naive, adoleshente do thoja. Të gjithë e njohim, dhe në raste shumë të rralla ka përfundim pozitiv.
Cila ishte arsyeja kryesore që bashkëshorti të “prishi’ mendjen dhe të bindi për martesë?

Periudha e “prishjes” së mendjes kishte kaluar për të dy ne. Ishim në një moshë si unë dhe Naimi që dinim çfarë kërkonim në jetë. Karakteri, niveli intelektual, ngrohtësia për ta ndjerë veten si unë e meritoja, maturia e dyanshme, këmbëngulja e tij forcoi dhe kurorëzoi lidhjen tonë.

Do të kishe preferuar të jetonit së bashku në Shqipëri apo në Kosovë?
Si në Kosovë dhe Shqipëri ndihem shumë mirë.
Çfarë të mungon më shumë nga Shqipëria?

Nostalgjinë e kam ndjerë gjithmonë edhe kur jam larguar për pak kohë, e jo më tani. Po emocionet më të forta, i kam ndjerë rishtazi në festivalin e Rtsh-së ku isha e ftuar, e m’u ngjallën shumë kujtime aty, ku kam përjetuar duartrokitjet e para të publikut, aq më tepër kisha dhe një farë kohe që nuk i kisha ndjerë ato emocione.

A janë meshkujt e Kosovës më tradicionalistë se ata të Shqipërisë?

Tradicional…Nuk mund t’i karakterizosh Kosovë apo Shqipëri, është individuale. Në perceptimin tim të jetës është diçka e tejkaluar. Integrimi, niveli, rrethi shoqëror dhe familjar ndikojnë në formimin e njeriut.
Pas vitesh të tëra karriere të suksesshme në skenë, si ndihesh në rolin e nënës?

Çdo njeri jeton me kohën. Periudhat kohore marrin rrjedhën e vet. Momentalisht po përjetoj një periudhë kohore shumë të bukur, majën e realizimit të një ëndrre të çdo femre. E quaj veten me fat që i kam përjetuar ato kulme në karrierë dhe në jetën private. Në vazhdim do i gërshetoj të dyja bashkë në të njëjtën balancë.

Çfarë është gjëja që të habit në rolin e nënës apo të gruas së shtëpisë të cilën nuk e kishe menduar se do ta bëje aq mirë?

Skena është profesioni, ndërsa Ledina në jetën private si çdo grua dhe nënë është tjetër. Përfshirë gatimin, punët e shtëpisë, përkujdesjen për djalin dhe Naimin, pazarin, kontrollet tek mjeku etj. Kështu që pak kohë më ngelet për veten.

Sa kohë harxhon me djalin?

Sapo erdhi Erlisi në jetë, dita shkon pa e kuptuar. Përkushtimi ndaj tij arrin maksimumin. Ardhja e tij më bëri mjaft të lumtur…Shpenzoj shumë kohë me të, e shijoj pa fund çdo orë që qëndroj me të…Dua t’i jap sa më shumë dashuria, ashtu sikurse dhe prindrit e mi më kanë dhënë dashuri pa kufij. Ai është një fëmijë shumë i mbarë, qesh shumë. Ndoshta më ngjan mua në këtë drejtim. (qesh) Shëtis çdo mbasdite në ajër të pastër me të, shpesh dalim për shopping. Isha dhe në Tiranë për Krishtlindje me të, po ashtu kemi qenë dhe në verën e shkuar në Kosovë, ku Erlisi takoi gjyshen dhe ishte vetëm tre muajsh.

Si ndihesh si amvisë shtëpie?

Të qenurit zonjë shtëpie më jep kënaqësi…Dhe pse tani sapo kam filluar sërish të rinis projektet e mia muzikore, po kjo s’do të thotë që të më pengojë. Për secilën gjej kohën e vet.

Cili është gatimi që të pëlqen të bësh më shumë?

Gatuaj shumë mirë. I qaj specat e mbushur, (qesh), ose patllëxhanët me mozzarella në furrë. Një ëmbëlsirë të cilën ma ka mësuar nëna ime, shëndetlinë, e qaj dhe këtë. Kur dua që të më vijë vëllai më shpesh në shtëpinë time, i prish mendjen duke i thënë se kam gatuar ëmbëlsirën e tij të preferuar. (qesh).

Cila është gjëja që bën me më shumë përtesë në punët e shtëpisë?

Për arsyen se Naimit dhe mua na pëlqen shumë natyra, vendosëm që shtëpinë ta blinim në një kodër ku mbizotëron gjelbërimi. Më shumë se gjysma e shtëpisë është me xhama. Dhe kushti i parë për t’u vendosur në këtë shtëpi ishte ose vetë Naimi t’i lante xhamat (qesh), përndryshe do merrnim një pastruese. Gjë që ndodhi realisht.

Ledina Çelo nder rroba?

Arjan…po të lagura s’i veshim dot, se zemë spitalin pastaj, (qesh). Shumica në dimër thahet me makinën tharëse, ndërsa në verë në ajër të pastër.

Po pjata lan me dorë?

Duke qenë se Naimi është në lëvizje për shkak të biznesit të tij, që e detyron të udhëtojë në shumë shtete, e shumicën e vakteve ushqehet jashtë, nuk më bëhen enë për të mbushur makinën pjatalarëse. Ato pak enë që përdor, i laj vetë.
Të mungon publiku shqiptar?

Shumë… Prej atij publiku u vlerësova si artiste, ishte ai publik që më dhuroi mbështetjen dhe duartrokitjet për të qenë më e sigurtë në rrugën e artit. Nuk mjafton vetëm talenti për t’u bërë një me publikun. Është dhënie dhe marrje. Ata të dhurojnë pritje të ngrohtë, duartrokitje, unë ua kthej me zë, thjeshtësi modesti, falënderimin.

Në Gjermani ke realizuar dy këngë anglisht që janë pritur mirë. Si ishte për ty kjo eksperiencë?

Për çdo artist në karrierën e tij është shumë plotësuse ose kompletuese të hysh në chartsin e tregut europian. Jo vetëm për ne shqiptarët, të cilëve na u krijuan mundësitë pak sa vonë, por për çdo artist kudo në botë është një arritje e madhe.

Çfarë mendon për festivalin e fundit në Rtsh?

Festivali në Rtsh është, ka qenë dhe do të jetë tradita jonë më e bukur shqiptare, e kjo do të përcillet brez pas brezi. Ishte një festival ku kishte vokale shumë të bukur, por krijimtaria ishte pak e vakët.

Mendon se kënga fituese do të ketë sukses në Eurovizion?

Duke marrë parasysh që çdo herë pjesëmarrja dhe performanca e këngëtarëve ka qenë në nivel, përsa i përket vlerësimeve të pikëve unë mendoj se ai ka qenë e do të jetë sërish gjeografik. Eurovizioni është jo vetëm gjeografik, pra ku fqinjët japin pikë njëri tjetrit, por dhe ne si shtet jemi pak të vonuar për të qenë në renditje më të lartë. Gjithsesi duhet të jemi shumë të kënaqur që kemi lënë prapa vende të fuqishme në renditje. Eurovizioni për mua dhe pa dyshim për kolegët e mi të cilët e kanë prekur, ka qenë një nga eksperiencat më të bukura. I uroj këngëtares Rona Nishliu shumë suksese, dhe ta shijojë këtë moment.
Cilat janë planet e tua muzikore së shpejti?

Së shpejti promovoj tre këngë në anglisht, ku njëra mendohet se do ketë suksesin e radhës këtu në Gjermani. Gjithashtu po përgatis një këngë në shqip e cila është enkas për fansat dhe publikun tim.

Edhe pse je bërë nënë ke ruajtur një formë trupore për t’u patur zili. Është thjesht gjenetike apo dhe kujdesesh duke bërë sport?

Tani që u bëra dhe mami, mendoj se fizikun e kam më tepër trashëgimi gjenetike. Gjithsesi jam shumë e kujdesshme në të ushqyer. Kam vite që i kam eliminuar brumrat po ashtu dhe ëmbëlsirat. Preferoj shumë produktet bio. Dhe sporti ka qenë kulturë në familjen time.

Si mendon është më mirë t’i bësh fëmijët me diferencë të vogël kohe nga njëri tjetri apo e kundërta?

Unë jam shumë e lidhur me vëllezërit, dhe të dy kanë vajzë dhe djalë me diferencë prej dy vitesh. E kam ndjekur ritjen e tyre, pasi kam qenë shumë afër me ta. Dhe prej kësaj, duke parë ata që luanin, rriteshin zhvilloheshin me njëri tjetrin kam marrë ndoshta nxitje, e do të thoja që dhe unë së shpejti ta bëja Erlisin me një motër.

 Nga Arjan Konomi