Ka qenë fare pranë fitores por nuk e ka prekur dot. Është Liami, djali Dj që dirigjoi për tre muaj me radhë një lojë të vështirë e të bukur në Big Brotherin shqiptar. Pak i mërzitur por i lumtur për përkrahjen dhe adhurimin që ka marrë prej shumë fansave shqiptarë. Por dhe vajza e jetës së tij Evelinë ka pasur momente të bukura edhe pse me ankth pas futjes së Liamit në shtëpi. Ajo e ka ndjekur atë çdo moment e ndërsa tani ka shijuar disa ditë qëndrimi në Tiranë. Një rrëfim personal mbi emocionet e lojës nga Liami dhe Evelina. Çifti simpatik flasin për Shqip

Spikati që në fillim të programit me natyrën e tij spontane dhe të drejtpërdrejtë duke u shndërruar menjëherë në një personazh të pëlqyer nga publiku e që padyshim gjatë javëve të ndryshme ka qenë edhe më i pëlqyeri për publikun, duke bërë që në fillim një dallim të dukshëm midis tij dhe banorëve të tjerë. Më një eksperiencë perëndimore, me një bagazh të pasur jete Liami apo

Armandi si quhet në të vërtetë, ka ditur që ta kthejë në një përvojë të rëndësishme me komunikimin dhe veprimet e tij që karakterizoheshin nga humori, batuta, përballja në mënyrë bindëse ngaj situatave dhe rrethanave të ndryshme. E mbi të gjitha me një qetësi dhe qytetari që e ka karakterizuar gjatë gjithë qëndrimit të tij. Shumë mendonin se ishte ai fituesi dhe padyshim që ka shkuar shumë afër sepse i kishte të gjitha cilësitë për të qenë një fitues. Por nuk i ka mjaftuar për të fituar çmimin prej 100 milionësh. Të gjithë u prekën nga historitë e tij por sidomos u afeksionuan më shumë me lidhjen që Liami rrëfeu. Një histori dashurie që kish nisur qysh në Gjermani me Evelinën, një studente e cila u bë e njohur për

publikun shqiptar nga surprizat e organizuara nga Vëllai i Madh. Një lidhje që ai diti t’i qëndrojë besnik në çdo moment duke mos u bindur tentimeve që pati gjatë qëndrimit të shtëpi për më shumë se tre muaj, siç na i tregon edhe vetë ai në këtë intervistë.

Intervista

E kishe menduar këtë popullaritet?

Aspak jo. Gjatë kohës së qëndrimit brenda shtëpisë më kishte shkuar mendja sesi mund të dukesha në publik dhe kisha menduar edhe më të keqen për shkak të natyrës sime shumë ekspresive, shakave të shumta që kisha bërë, ironisë që përdora dhe sidomos debateve. Mendoja se shumë njerëzve mund të mos i kasha pëlqyer por kur dola provova krejt të kundërtën. Njerëz të panjohur që më njohin dhe më ndalojnë e më përshëndesin e përgëzojnë. Për këtë ndihem mirë sepse do të thotë që ata më vlerësojnë për njeriun që jam.

Kush mendon se është cilësia jote që të ka bërë kaq shumë të dashur për njerëzit?

Besoj se është për shkak të karakterit tim si njeri dhe eksperiencat e mia në jetë. Në radhë të parë ajo e emigrimit e cila më ka bërë të përballem jo vetëm me anën e bukur të të jetuarit në një vend perëndimor, por edhe me problemet dhe vështirësitë që ndesh atje, pa familjen dhe të afërmit e tu, ku në shumë raste duhet të mbijetosh, të rrëzohesh e të nisësh gjithçka nga e para. Përveç kësaj puna ime e jetës së natës më ka bërë që të përballem më shumë lloj njerëzish dhe tipash dhe më është dashur të përshtatem me çfarëdolloj natyre edhe në gjendje jo esëll e ti marr gjërat shtruar. Ndaj dhe në Big Brother tregova një tip që di të përshtatet lehtë.

Për çfarë mund t’i bësh vërejtje vetes tënde gjatë qëndrimit?

Nuk kam ndonjë vërejtje konkrete. Gjatë qëndrimit shpesh mendoja se mos reagova gabim në ndonjë rast apo ia futa kot në një tjetër. Por tashmë nuk është se i mendoj shumë gjërat që kam kaluar aty dhe nuk di të të them një vërejtje konkrete për veten time.

Cila është një vërejtje që të kanë bërë të tjerët?

Është një kohë e shkurtër që kam dalë dhe ndoshta nuk kanë patur kohë të m’i thonë vërejtjet, si familja ashtu edhe miqtë e mi, (qesh). Por edhe ndoshta s’kanë. Por asnjë nuk është perfekt. Ah, po. Ka një vërejtje që më bëjnë miqtë e mi. Është në lidhje me Arbrin. “Pse e mbajte aq afër”,- më thonë në sensin që unë i kam dhënë shumë shanse për të arritur në finale. Kuptohet që aty siç e ka thënë edhe ai vetë ka patur më shumë shanse për të fituar.

Cili ka qenë momenti më i vështirë ?

Shumë kanë qenë të vështira, por dua të them një prej tyre nga javët e para. Kur hyri Françeska dhe u lidh menjëherë me Ermalin dhe unë e kritikova. Për këtë m’u kthyhen të gjithë banorët dhe mbeta i vetëm. Aty e pashë veten keq e mendova se gabova.

Po ndonjë situatë tjetër?

Po ka edhe një situatë tjetër në lidhje më Gerin. Kishin kaluar shumë kohë që nuk bëja seks dhe më është dashur të frenoj tundimet e mia ndaj saj, sepse të them të drejtën më pëlqente për tipin e saj, natyrën e qeshur dhe mënyrën sesi i kuptonte dhe priste batutat. Por duke patur një lidhje jashtë nuk mund të afrohesha më tepër sesa në një miqësi të mirë. Është e vështirë t’i rezistosh një vajze të bukur dhe me tip që më përshtatej plotësisht. E kam thënë edhe në rastin e Evelinës, u lidha me të sepse më pranon mua për atë që jam.

 

Po momenti që ishit të dy me Arbrin në finale dhe pritej të thuhej emri i fituesit a ishte i vështirë?

Për mua jo, sepse nga përvoja me jam mësuar që të përgatis veten për më të keqen ose ta them më mirë mos të entuziazmohem shumë përpara. Ndaj e kisha bindur veten gjatë javës së fundit që edhe mund të mos isha unë fituesi, ndaj nuk e përjetova  si një moment të vështirë.

Ishte kjo eksperiencë ashtu siç e kishe menduar para se të fillonte?

Është shumë më tepër sesa e kisha menduar. Nuk mund ta shpjegoj me detaje por është një ndjesi. Për shembull një nga ato është që nuk e mendoja që do të emocionohesha aq shpesh e do të përlotesha. E kisha menduar veten më të forte dhe në këtë aspekt ana emotive imja ishte një zbulim edhe për mua.

Banorët ishin ashtu si i prisje?

Ishin të limituar si persona, pa interesa dhe nuk flisnin asnjë gjë qoftë edhe

për profesionin e tyre. Muhabetet e tyre më dukeshin pa lidhje. Edhe mënyrën e shakasë nuk dinin ta bënin dhe ta kuptonin. Më dukeshin se kishin shumë për të bërë në jetë, përveç shumë pa  prej tyre.

Mos do të ishte më e vështirë për ty nëse banorët do të ishin ndryshe nga sa ti i cilëson?

Patjetër që do të ishte më ndryshe. Po për më mirë.

Cilët janë miqtë më të mirë prej banorëve?

Po ta marr që nga fillimi Gjoni, Ermira, Vlashi, Geri, Tani, kanë qenë personat që kam patur qejf të flas edhe në shtëpi. Këta janë ata që u përshtatesha mirë.

Po Arbri?

Nuk ishte një mik për mua por ishte një pjestar i lojës që kishte harmoni dhe krijonte situata gazmore. Dhe kjo pjesë më pëlqente tek ai. Po ishte shumë larg me mua përsa i përket bisedave dhe karakterit. Besoj se i thoshte shumë gjëra për të dalë mirë ai në sytë e publikut sepse sapo doli filloi të fliste krejt ndryshe nga më parë. Me arrogancë dhe një mënyrë të shprehuri që nuk e prisja prej tij. Arbri doli një njeri “labil”, pra i paqëndrueshëm e mbi të gjitha shumë kontradiktor. Kjo do të thotë që është i papjekur por ai ashtu si është i fitoi lekët.

Evelina çfarë të tha?

“Mos e vrit mendjen se më ke mua. Edhe pse nuk fitove lekët ke fituar shumë njerëz që të duan”. Kuptohet jo aq shumë sa më do kjo, (qesh).

Si e keni kaluar këto kohë?

Jemi si në ajër edhe me gjumë nuk po ngopemi.

Eveline Pollok është vajza që u bë e njohur për shkak të lidhjes së saj me Liamin. Me origjinë polake, e zhvendosur qysh tre vjeçe në Gjermani, ajo mbart me vete në feminilitetin e saj një bukuri lindore përzier me një sharm perëndimor. Studion menaxhim biznesi në Universitet. Elegante dhe fine, më një buzëqeshje që nuk e heq nga buza, ajo plot ëmbëlsi erdhi në spektakël natën finale të Big Brotherit për t’I bërë surprizën e fundit, e padyshim atë më të bukurën dhe prekësen të dashurit të saj shqiptar, që me shumë vëmendje e kishte ndjekur gjatë eksperiencës së tij si banor i shtëpisë ku ishin përqëndruar sytë e publikut shqiptar. Në ato momente tensioni, ku pak minuta I ndanin nga emri i fituesit të çmimit, Evelina dhe Liami u ngashëryen në krahët e njëri tjetrit duke zbrazur në njëfarë mënyrë tërë tensionin e asaj mbrëmjeje të paharruar. E natyrisht përlotën shumë nga publiku, sidomos fansat e Liamit. Por ja se çfarë na rrëfen Evelina në këtë intervistë për revistën Shqip, ku flet për herë të parë për ardhjen e saj në Shqipëri si dhe për emocionet që provoi e që vashdon ende të surprizohet.

Evelinë e ndiqje Big Brotherin nga Gjermania?

Po. E ndiqja qysh prej fillimit dhe isha shumë kurioze të shikoja jo vetëm Liamin por edhe sesi do të shkonte loja e tij.

Si e prite vendimin e tij për të marrë pjesë në këtë format televiziv?

Oh, sa jemi njohur Liami më kishte shprehur dëshirën e tij për të marrë pjesë në Big Brother në Shqipëri dhe unë nuk isha shumë dakord me këtë dëshirë të tij. Kisha parasysh BB gjerman dhe aty ka shumë banalitet dhe seks e nuk e kasha menduar që në Shqipëri do të kishte një nivel kaq të lartë dhe jeta do të ishte shumë reale, si në vërtetë pa ekzagjerime si ndodh tek ne. Por kur e pashë që me të vërtetë Liami kishte shumë dëshirë pranova dhe i thashë “Ok, shko dhe unë do të mbështes”.

Arrije të kuptoje çfarë ndodhte?

Ah, kjo ishte shumë e vështirë. Shikoja veprimet pa kuptuar asgjë dhe vrisja mendjen për të kuptuar çfarë po ndodhte. Por më vonë e gjeta një zgjidhje sepse kam një mike timen, shqiptare nga Kosova, e cila edhe pse isht e zënë me provime vinte tek mua dhe e shikonim bashkë. Kështu që ajo më përkthente çfarë ndodhte. Pastaj më vonë një grup vajzash në Tiranë, fanse të Liamit,

më dërgonin në Facebook të përkthyera në anglisht situatat e ndodhura. Kështu që kam qenë shumë e informuar mbi gjithçka përsa i përket Liamit.

Kishe xhelozi se mos Liami lidhej me ndonjë vajzë tjetër në reality?

Po edhe e kisha menduar, sepse e gjithsesi janë këto formate dhe ndodh shpesh që të krijohen lidhje mes personave. Nuk është se ia kasha kërkuar që të mos më harronte. Por kur e shikoja Big Brotherin në internet dëgjoja shpesh që përmendte emrin tim dhe aty qetësohesha e më vinte mirë.

Çfarë i the Liamit kur doli nga shtëpia?

I thashë që nuk duhej të demoralizohej. Natyrisht çmimi ishte një gjë e rëndësishme por jo vendimtare. I thashë se lekët duheshin por ka mënyra të tjera për të fituar lekët, të cilat mund të shfrytëzohen shumë mirë. Gjithashtu i thashë që ka për të gjetur shumë njerëz që e duan sepse unë e kisha kuptuar këtë nga rrjetet sociale, ndërsa Liami ende nuk dinte gjë.

Si u ndjeve në Tiranë?

Oh, jam ndjerë shumë mirë, të them të drejtën nuk e prisja që do të kisha patur tërë këtë përkushtim nga stafi i programit, të cilët u kujdesën për mua sapo vura këmbën në aeroport. Më befasoi fakti që qysh prej ditës së parë, pa shkuar ende në spektakël shumë nga njerëzit rrugës më njihnin dhe më thërrisnin në emër “Evelinë”. U çudita sepse nuk mendoja aq mund të më njihnin dhe kjo më gëzoi. Unë kisha treguar një klip në një nga javët e spektaklit, të xhiruar në Gjermani por nuk më shkonte mendja që mund të ishte ndjekur kaq shumë.

Si e prite propozimin e stafit për të ardhur si suprizë për Liamin në natën finale?

U gëzova shumë. Për disa arsye. Arsyeja e parë ishte fakti që më kishin ftuar do të thoshte se Liami i kishte qëndruar besnik dashurisë sonë dhe duhet të më kishte përmendur aq shpesh sa ardhja ime në këtë spektakël do të kishte efektin e duhur. E dyta sepse do të ishte një experience e veçantë ta takoja Liamin në atë moment aq të rëndësishëm për të, por njëkohësisht dhe shumë tensionues në sytë e miliona teleshikuesve. Dhe së fundi për faktin se nuk kisha ardhur ndonjëherë në Shqipëri edhe pse me Liamin e kishim menduar shumë herë. Ai më ka folur shumë por nuk kishim arritur të gjenim mundësinë që të alternonim kohën tonë.

Si u ndjeve në spektakël? Kishe emocione?

Oh, shumë. Kisha shumë njerëz që më flisnin dhe më orientonin, plus stafi ishte në një lëvizje të madhe për ndryshimin e skenës ku do të ndodhte takimi me Liamin. Nuk mund ta shpjegoj sesi jam ndjerë. Pastaj kur më thanë që duhet të hyja me makinë u terrorizova fare sepse në atë gjendje emocionale edhe të ngisja makinën para telekamerave më mungonte, (qesh). Më zuri frika se ngaqë isha me këpucë me taka dhe duhet të shkelja pedalet e makinës mendova se nuk do të frenoja dot e do të isha përplasur pas murit përballë. Ky ishte mendimi që më shkoi ndërmend. Por shyqyr që shkoi mirë. Pastaj takimin me Liamin nuk mund ta përshkruaj dot me fjalë sesi u ndjeva. Besoj tërë këto situata kanë forcuar edhe më shumë dashurinë tonë.

Si t’u duk Tirana?

Këto ditë kam parë vetëm Tiranën dhe të them të drejtën më ka befasuar shumë. Nuk e kam pritur të gjeja këtë realitet dhe këtë gjallëri. Është një qytet që të bën të ndihesh mire sikur ke jetuar edhe më parë. E sidomos njerëzit. Janë aq të dashur e aq të komunikueshëm sa rrallë se gjenden në një vend tjetër. Më pëlqen çiltërsia dhe ngrohtësia e njerëzve. Jam me të vërtetë e befasuar. Më beso aq shumë sa shtyva edhe biletën e kthimit për në Gjermani në mënyrë që të qëndroj edhe një javë më shumë këtu.

Ku po qëndroni tani?

Tek shtëpia e prindërve të Liamit. Ishte e bukur se u njoha edhe me ata që janë njerëz të mrekullueshëm dhe shumë të dashur. Këto ditë që do qëndroj do të doja se mbase me Liamin shkojmë në jug të vendit sepse më ka folur dhe Liami që natyra është dhe më e bukur. Kam parë edhe foto të bregdetit shqiptar e do të doja që ta vizitoja qoftë edhe për pak. Do të kasha dëshirë të qëndroja më gjatë, por e kam të pamundur sepse kam sezonin e provimeve në Universitet. Por me të mbaruar provimet do të kthehem sërish në verë, për të qëndruar

më gjatë me Liamin.

Nga Arjan KONOMI