Tashmë imazhin e ndryshon si të duash

Loran dhe Ledion Dyrmishi janë dy vëllezrit e parë shqiptarë që studiojnë në Itali, të cilët kanë realizuar një program shumë të veçantë për përpunim fotosh në celular. PhotoNova është projekti i tyre i parë ku jo vetëm vajzat por dhe djemtë mund të ndryshojnë imazhin e tyre në foto celulari. Vëllezërit modest na rrëfejnë për këtë projekt

“Një nga dëshirat tona më të rëndësishme është ajo e realizimit të projektit tonë më të madh në Shpipëri, që të konkurrojë në rangun ndërkombëtar me kompanitë e mëdha të huaja”

Ata janë dy vëllezrit shqiptarë, Loran dhe Ledion Dyrmishi që studiojnë në Itali. Nuk janë të njohur si personazhet e tjerë mediatikë ndoshta, por projekti me të cilin po merren është vërtet i arrirë e për t’u vlerësuar. Kanë realizuar programin e veçantë të njohur si PhotoNova i cili ka 70 efekte e që mund të përdoret në çdo lloj celulari për të modifikuar foton si subjekt kryesor. Foton e modifikuar, përveçse mund ta ruash në telefon, mund ta shpërndash përmes Facebook-ut, Email-it, Twiteer-it ose Flickr-it direkt nga programi. Programi punon me foto të çdo lloj resolucioni. Për më tepër ata kanë lidhur dhe kontratën me Apple dhe programi i tyre ka filluar të përdoret e të blihet në dyqanet elektronike.

Është diçka ndryshe që vëllezrit Dyrmishi kanë bërë si studentë të informatikës. Lorani është vëllai i madh 27 vjeç, ndërsa Ledioni 23 vjeç. Edhe pse disi ndryshe nga të rinjtë e tjerë, duke menduar e punuar gjatë gjithë kohës për projekte fotosh e të tjera akoma më madhore. Sepse imazhi sot është shumë i rëndësishëm. Të gjithëve do të na pëlqente të kishim imazhin perfekt të paktën në foto, dhe kjo sot ndodh jo vetëm me vajzat por edhe djemtë.

Ata ndihen shumë krenar për këtë arritje edhe pse deri tani janë të bindur që kanë realizuar vetëm një projekt. Ëndrrat e tyre duan kohë dhe punë për t’u përmasuar.

Intervista

Lorani dhe Ledioni për ata që ende nuk ju njohin si do ta prezantonit veten tuaj?

Jemi dy vëllezër shumë të apasionuar pas informatikës , që kanë mbaruar fazën e studimit dhe që janë duke vënë në punë dituritë që kanë marrë. Për momentin jemi duke u marrë me programimin IOS (për iphone/iPad) por që në të ardhmen do të merren me projekte të informatikës grafike (DirectX,OpenGL,3DMax,Maja).

Djema si lindi ideja për realizimin  e një programi të tillë?

Ledioni: Unë studioj në Bolonja për informatik jam në vit të tretë. Vitin e kaluar kisha një detyrë kursi kur duhet të realizoja një program të vogël për Iphone. Ashtu bëra, realizova një program të vogël, që ishte diçka e thjeshtë,dhe ja prezantova profesorit, ai me thotë që është shumë i mirë si program dhe mund ta zhvilloni pasi mund të ketë suksese në telefonin Iphone.

Çdo të thotë Photonova në vetvete?

PhotoNova vjen nga latinishtja Photo do të thotë foto dhe Nova do të thotë e re. Ashtu edhe programi jonë merr foto, sado të vjetra apo të realizuara jo mirë, dhe e bën të re, e ringjall, duke përdorur funksionet e duhura.

Si mund të përdoret ai?

Gjëja e parë që duhet të bësh është të hapësh një foto nga albumi fotografik ose ta bësh atë në çast direkt nga programi. Për të filluar punën seleksionon pjesën që dëshiron të modifikosh dhe i jep efekte të ndryshme fotos, ka 70 efekte si dhe slider-at për ndryshimin e intensitetit të ngjyrës.Funksioni i dytë është mundësia e dhënies së efekteve në të gjithë foton. Këtu mund të krijosh edhe efekte të tjera të personalizuara. Funksioni i tretë, ai Fix, është për të hequr çdo papastërti (psh. puçrat, sende të vogla të padëshiruara) nga  fotot. Me pas vjen funksioni Paint, që siç dihet shërben për të vizatuar çfarë ti dëshiron. Ke mundësi t’i japësh çdo ngjyrë penelit të vizatimit si dhe t’i ndryshosh përmasat e tij. Foton e modifikuar, përveçse mund ta ruash foton në telefon, mund ta shpërndash përmesFacebook-ut,Email-it,Tëiteer-it ose Flickr-it direkt nga programi. Programi punon me foto të çdo lloj resolucioni.

Pse është i veçantë ky program?

Në radhë të parë, është i vështirë për t’u realizuar sepse është bërë që përdoruesi ta ketë sa më të lehtë ta përdorë. Në radhë të dytë është i nevojshëm sepse ata që merrem me fotografin dhe që u pëlqen fotografia me këtë instrument mund të modifikojnë shumë pjesë të një imazhi. Ke pastaj një instrument që e ke në telefon dhe që kushton shumë herë më pak se programet e tjerë. Është profesional por edhe zbavitës.

Programi hap foto të ndryshme dhe i punon direkt në çast, pa patur nevojë të hysh në kompjutër. Ka 70 efekte, tre katër lloj seleksionimesh, ka dhe pastrimin e fotove që mund t’i kryesh në çdo telefon Iphone ose Ipad.

Si u lidhët me Apple?

Komunikon me ta në mënyrë elektronike. Ka disa kontrata që duhet të firmosësh si fillim për të marrë disa licensa. Programin e përfunduar e dërgon në qendrën e tyre. Ata i bëjnë një revision, për të parë në qoftë se programi përmbush standardet e Apple-it. Më pas ata që merren me nxjerrjen në tregun e tyre (AppStore) të tij.

Ndërsa me reklamimin dhe me njohjen e programit nga përdoruesit duhet të merremi vetë ne.

A ju njohin në Itali si vëllezrit Dyrmishi, dy shqiptarët që merren me programe të veçanta fotosh?

Ende jo, në fakt. Megjithëse miqtë tanë dhe shumë të tjerë si pedagogët apo të afërm na kanë falënderuar në një farë mënyre dhe na kanë dhënë shumë mbështetje. Në duam të thellohemi në këto eksperimente sa teknologjike aq dhe argëtuese. Duam të zbulojmë veten më tepër. Nuk na intereson shumë fama.

Pse zgjodhët një program për modifikimin e fotove dhe jo diçka tjetër? Mendoni se dhe djemtë ashtu sikurse vajzat parapëlqejnë të merren me tepër me imazhin sot?

Dega për të cilën studiojmë në Bolonja është informatika.Unë mbaroj masterin, vëllai (Ledioni) tre vjeçaren. Unë jam më i madh dhe pasioni për informatikën më ka lindur që i vogël. Masteri im ka lidhje me elaborimin e fotove, i kam patur pasion, grafikën tredimensionale, fotot.

Nga ana tjetër të gjithëve na pëlqen të merremi me imazhin. Kur bëjmë një foto dhe na del keq mundohemi ta modifikojmë atë përmes programeve në kompjuter. Sikur ta kishe programin për modifikimin e fotove gjithnjë me vete a nuk do ishte ideale?!

Kam dëgjuar se jeni studentë që studioni për orë të tëra. Sa kohë iu desh të merreshit me këtë përpunimin dhe arritjen e këtij aplikacioni?

Ky projekt ka filluar nga maji i vitit të kaluar. Projekti i shkollës zgjati gati një muaj. Më pas nga fundi i qershorit bëmë kontratën me Apple edhe që prej andej iu dedikuam kësaj pune për katër muaj me radhë pa ndërprerje.

A jeni të kënaqur që keni realizuar diçka të tillë?A keni arritur aty ku dëshironit?

Sigurisht që jemi të kënaqur. Por jemi vetëm në fillim dhe tani presim që programi të arrij ato suksese që meriton. Duhet bërë marketingu i duhur dhe duhet të investosh për reklamat.

Si e kaloni kohën tuaj të lirë? Mendoni dhe atëherë për fotografinë?

Koha që kalojmë duke punuar mjafton për të menduar për fotografinë. Kohën e lirë e kalojmë duke u marrë me palestër, por gjithashtu merremi edhe me sport: Futboll (Ledioni) dhe Basketboll (Lorani).

Do t’ju pëlqente që të vazhdonit të merreshit me këto lloj programesh edhe në ardhmen? Apo keni projekte të tjera?

Ky aplikacion lindi rastësisht kur ne po merreshim me projekte të tjera.

Këto projekte, që janë në fazë punimesh, janë ato që kemi dëshirë të bëjmë në të ardhmen. Është një projekt në gjuhen DirectX, një lojë që personazhi kontrollohet me lëvizjen e trupit. Nëse deri më tani është lëvizur me butona, me komanda, ne po punojmë që lojtari të lëvizi me lëvizjet e trupit.

Kur lëviz krahun, lëviz dhe personazhi. Kur lëviz trupi mbrapa, lëviz dhe vetë personazhi. Personazhi je ti, në kohë reale. Kjo realizohet duke përdorur teknologjinë më të fundit që mundësojnë kompanitë e mëdha të elektronikës.Realizimi i një videogame duke futur këtë të re do të ishte një arritje shumë e madhe për ne.

Kush ndihet më tepër krenar për ju?

Kemi realizuar një program që duhet të arrijë akoma suksesin.Besoj se duhet të bëjmë diçka më të madhe që t’i bëjmë të gjithë të ndihen krenar për ne. Por gjithsesi familja dhe shoqëria jonë janë shumë krenar për ne dhe na mbështesin jashtëzakonisht shumë.

Si është marrëdhënia juaj si dy vëllezër? Keni të njëjtat ide apo edhe e kundërshtoni njëri tjetrin?

Ideja kryesore është e njëjtë: arritja e suksesit përmes programeve që po bëjme dhe që do bëjmë. Ne jemi dy tipa më tipare komplet ndryshe kështu që e kundërshtojmë shpesh herë njëri-tjetrin. Por nga ky ndryshim, në punën që bëjmë, plotësojmë njëri-tjetrin, që është gjëra më kryesore.

Mendoni se keni realizuar një projekt apo një ëndërr?

Absolutisht një projekt. Ëndrra është diçka tjetër, diçka shumë më e madhe dhe që do shumë e më shumë kohë të realizohet.