Ditët e ftohta e kanë mbërthyer Tiranën e jo vetëm, në fakt çdo cep të Shqipërisë. E megjthatë ka pasur lajme të mjaftueshme për të marrë sado pak informacion “soft” për të harruar të ftohtin e hidhur. Në fillim të muajit në TK është shfaqur “Kaligua” një vepër e madhe e Kamysë, duke vijuar me “Letra dashurie”. Shanse të reja i janë dhënë krjimit të muzeve për të njohur më mirë historinë tonë.

Millenium jep premierë historinë e J. Edgar

J. Edgar”, filmi që sjell historinë e themeluesit të FBI-së, po shfaqet në kinema “Millenium”. Karriera dhe jeta personale e J. Edgar Hoover rrëfehen në137 minuta, nën drejtimin e regjisorit Clint Eastwood dhe interpretimin e aktorit Leonardo di Caprio.

Në krah të personazhit të tij, që ishte gjithnjë në kërkim të sekreteve të të tjerëve, kishte shumë pak njerëz që u besonte: sekretares Helen Gandy (interpretuar nga Naomi Watts), krahut të tij të djathtë, Clyde Tolson (interpretuar nga Armie Hammer) dhe nënës së tij, pas së cilës ishte shumë i lidhur (Judy Dench). Vdekja e saj i la një nevojë të jashtëzakonshme dashurie. Filmi është shkruar nga Dustin Lance Black dhe ndjek karrierën e Hoover prej moshës 19-vjeçare derinë ditët e fundit të jetës. Por, përveç karrierës së këtij njeriu, filmi zbulon edhe jetën e tij private. Polemikat mbi prirjen seksuale të Hoover nuk janë lënë pa u komentuar gjatë konferencëspër shtyp në AFI, ku është prezantuar filmi.

“Kaligula” një nga pjesët më të realizuara të Kamysë 

Emocionet e veprës shijohen në TK

Versioni ekzistencial i historisë së perandorit romak Kaligula, është dhënë në skenën e Teatrit Kombëtar. Si pjesë e Festivalit Teatror të të Rinjve, vjen në skenë drama “Kaligula” e autorit Albert Kamy (Albert Camus) me regji të Esmeralda Stafës. Kjo vepër, e shkruar nga Kamy kur ai ishte ende në moshë të re, është pjesë e triptikut të quajtur “Cikli i absurdit”. Ajo vjen si një vepër e shkatërrimit dhe vetëshkatërrimit. Kaligula i hidhëruar nga vrasja e së motrës, njëkohësisht e dashura e tij, kthehet në një tiran gjakatar, duke refuzuar çdo lloj ndjenje humane. Roli kryesor, ai i Kaligulës, luhet nga aktori fitues i çmimit “Aktori më i mirë”, Eni Shehu, ndërsa rolet e tjera vijnë nën interpretimin e Cubi

Metkës, Emiljano Palalit, Arjola Bashos, Pjerin Vlashit etj.

“Kaligula” është transmetuar me muzikë të Bojken Lakos dhe skenografi të Blerina Hoxhës, përgjatë tri netëve.

“Vdekja dhe Virgjëresha”, premierë në Metropol

Vdekja dhe Virgjëresha”, e autorit Ariel Dorfman, është ngjitur në skenën e Teatrit Metropol nga regjisori Kliton Hoxha, i cili është një nga fituesit e Festivalit të të Rinjve.

Aktorët Enkela Braho, Neritan Liçaj dhe Saimir Braho janë përzgjedhur nga regjisori për të interpretuar në veprën e Dorfman. Ngjarja zhvillohet në një shtëpi bregdetare jashtë qytetit, në një vend të Amerikës Latine të papërcaktuar, për të simbolizuar të gjitha demokracitë e brishta postdiktatoriale pikërisht në natën kur Gerardo, një jurist, është emëruar në stafin e komisionit hetimor të krimeve dhe përndjekjeve të së kaluarës së afërt. Gruaja e tij, Paulina, një ish e përndjekur, është një nga viktimat e torturuara, pjesë e krimeve të cilat pretendohet të dalin në dritë me angazhimin e këtij komisioni. Atë natë goma e makinës së Gerardos është çarë në rrugë, për shkak të një gozhde, ndërkohë që në mungesë edhe të krikos së makinës, të cilën Paulina ia ka dhënë nënës së saj, i vjen në ndihmë dr. Roberto Miranda, i cili sillet si një mik i vërtetë me të. Gjithçka do të vazhdojë një natë kur Miranda do të shkojë për vizitë në shtëpinë e Gerardos, pasi Paulina kujton që është ai doktori që e ka përdhunuar. Nga ana tjetër, Gerardo mbron me kujdes faktin që dr. Miranda u tregua një njeri I mirë me të. Ai mendon se gruaja e tij ende është nën efektin e së kaluarës së saj të hidhur. Paulina e ka lidhur doktorin në një karrige gjatë kohës që ishte në gjumë dhe pasi ai hap sytë, sheh Paulinën me pistoletë në dorë, që I kërkon të pohojë dhunën e ushtruar ndaj saj në të kaluarën. Replikat e fundit të Mirandës transformohen në monologë. Ato tashmë janë më tepër një shpërthim fjalësh në delir, një përçartje e subkoshiencës e ndërkohë, që ashtu siç janë, ngrijnë në fotografitë e tyre dhe dritat fillojnë të sfumohen.

Krijimi i muzeve të reja, një shans për njohjen e historisë

Me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në datën 10 shkurt është bërë publik një calendar aktivitetesh, të cilat sipas Bumçit do të jenë një gërshetim i aktiviteteve festive dhe atyre historike. Duke kujtuar shtrembërimin që pësoi historia shqiptare gjatë viteve të kulturës, Bumçi tha se “kemi nevojë të njohim historinë tonë”. E duket se në këtë drejtim një rol të rëndësishëm luajnë muzetë, të cilët pas viteve ’90 u përfshinë nga një valë masive shkatërrimi, në të gjithë territorin e Shqipërisë. E sot lind nevoja e ringritjes dhe modernizimit të tyre. Sipas tij, gjatë këtij viti në qendër të vëmendjes do të jenë përfundimi i punimeve në disa qendra shumë të rëndësishme, si Muzeu Arkeologjik i Durrësit, i cili luan një rol shumë të rëndësishëm për turizmin e një prej qyteteve më të rrahura prej turistëve, për të vijuar me Muzeun e Pavarësisë në Vlorë, që do të jetë dhe qendra e festimeve këtë vit, Muzeu Arkeologjik i Elbasanit, për të ardhur në kryeqytet, ku pas shumë përpjekjesh më në fund pritet që tëhapet Pavijoni Etnografik në Muzeun Historik Kombëtar. Ngritja e këtij pavijoni, i cili ka njohur disa hapje e mbyllje në historinë e vet, bëhet i mundur përmes një financimi ngabuxheti i shtetit në vlerën e 5.2 milionë lekëve. Por ky nuk do të jetë i vetmi muze që do t’u kujtojë shqiptarëve anën më të errët të diktaturës.

Golden Globe shpall fituesit Drama më e mirë “The Descendant”, fiton Scorsese për regjinë, Streep e Clooney për aktrimin

Një film pa zë, homazh për kinemanë e viteve ‘30 dhe një film familjar triumfuan në edicionin e 69- të të çmimeve “Golden Globe”. Ashtu si edhe pritej, duke parë numrin e kandidimeve, filmi bardhë e zi “The Artist”, që vinte nga Franca, ka rrëmbyer më shumë trofe në ceremoninë e zhvilluar mbrëmjen e së dielës në Beverly Hilton Hotel në Los Angeles. Filmi me regji dhe skenar nga Michel Hazanavicius ka marrë 3 “Golden Globe” si filmi më i mirë në kategorinë komedi ose muzikal, për aktorin më të mirë, protagonistin Jean Dujardin dhe si kolona zanore origjinale. Filmi pa zë “The Artist” dhe drama familjare “The Descendants” ishin protagonistët e mëdhenj të ceremonies së çmimeve “Golden Globe”, që u paraprijnë atyre “Oscar”, të cilët janë ndarë në fund të muajit shkurt. Në fushën e aktrimit kanë shkëlqyer George Clooney dhe Meryl Streep, të cilët u shpallën si aktorët më të mirë në kategorinë e filmit dramatik. Clooney, kandidat për tri çmime, rrëmbeu trofeun e aktorit më të mire për interpretimin në filmin “The Descendants”, ku luan rolin e një bashkëshorti e të një babai, fillimisht indiferent e më pas në kërkim të kohës së humbur për të vendosur lidhjet me fëmijët e tij. Ndërsa Meryl Streep u shpall si aktorja më e mire dramatike, për interpretimin e rolit të Margaret Thatcher në filmin e drejtuar nga Phyllida Lloyd dhe dedikuar të vetmes grua në postin e kryeministrit. Ndonëse emri i saj përflitej prej kohësh si fituesja më e mundshme e çmimit “Golden Globe” si aktorja më e mirë për interpretimin e rolit

të Margaret Thatcher, aktorja Meryl Streep u befasua aq shumë, kur Colin Firth lexoi emrin e saj, saqë harroi të merrte me vete syzet. “Golden Globe” janë çmimet e ndara çdo vit nga përfaqësuesit e shtypit të huaj në Hollywood dhe tradicionalisht janë konsideruar si një parantezë e çmimeve “Oscar”. Për këtë vit “Golden Globe” janë konsideruar si një triumph i Europës, që nga francezët e “The Artist”, tek britaniku Downton Abbey, apo tek anglezja Kate Winslet, e vlerësuar si protagonistja e miniseries “Mildred Pierce”. Shpresat që kjo tendencë të ruhet edhe në çmimet “Oscar” janë të mëdha.

Fituesit Sidi Kanani e Shpëtim Kërçova sjellin artin modern në “Onufrin 18”

Sidi Kanani e Shpëtim Kërçova kanë qenë fituesit e “Onufrit të18”. Ky edicion, i cili mund të quhet krejt i veçantë nga ata të parët, për mënyrën e organizimit dhe hapësirën kohore që rrokte, njohu për fitues Sidi Kananin, piktura e të cilit prezantoi gjithë këtë ngjarje në posterin e aktivitetit, ndërsa çmimin e dytë e meritoi artisti Shpëtim Kërçova me realitetet e tij të shtrembëruara. Duket se këta artiste pasqyronin më mirë rezultatin e atij kërkimi mbi modernitetin shqiptar, që kuratori Hajdini kishte kërkuar të arrihej. Përveç fituesve emra të tjerë të cilët prezantuan punët e tyre dinjitoze ishin Sonilda Bardhoshi, Sotir Capo, Rafael Dembo, Brilanta Kadillari, Sidi Kanani, Jakup Keraj, Shpëtim Kërçova, Dhimitër Kokoshi, Genti Korini, Greta Dhaskali Lami, Guri Madhi, Blerina Muça, Dashamir Myftari, Janaq Paço, Orion Papleka, Kristaq Sotiri, Roland Tasho, Orion Shima, Dhimitër Vangjeli dhe Ergys Zhabjaku. Mediumet e preferuara ishin piktura, fotografia e vizatimi e më pak skulptura, por nuk ishin të pranishme videoprojeksionet e instalacionet, medium shumë të përhapura viteve të fundit në hapësirën e asaj që quhet art bashkëkohor.