Metamorfoza e Ramës /hashtag.al

2018-09-19T14:26:34+00:0019 Shtator, 2018 14:14|Kategoritë: Kuvendim, Opinion|

Nga Namir Lapardhaja

Për të kuptuar shqiptarin në perspektivën historike, mjafton të shohësh sjelljen e sotme të Kryeministrit Edi Rama!

Ai në raport me Stambollin është mysliman; me Brukselin shndërrohet në katolik; me SHBA-të konvertohet në protestant (evangjelist etj.); me rusët dhe serbët paraqitet si ortodoks; me djalin e Xh. Sorosit prezantohet si liberal dhe i pafe etj.

Kjo nuk është tipikisht metamorfizim i tij. Nuk është gjetje origjinale. Ky është shqiptari historik, të cilit i është dashur të konvertohet në i krishterë, ashtu siç i është dashur të konvertohet në mysliman. I është dashur t’i shërbejë Portës së Lartë, ashtu siç i është dashur më parë t’i shërbejë Romës, Bizantit, Bullgarëve etj.

Ky është shqiptari që u shndërrua në italian në kohën e Italisë dhe gjerman në kohën e Gjermanisë. Më pas u bë jugosllav, u vesh si rus dhe u lye si kinez. Ky është modeli që u anëtarësua në Konferencën Islamike, ashtu siç u anëtarësua në Këshillin e Evropës. Ky është modeli që lidhet me grekun dhe rusin, ashtu siç lidhet me serbin dhe turkun.

Po ashtu, është modeli që lidhet me Brukselin, Uashingtonin, Pekinin dhe Moskën. Sipas rastit, momentin dhe nevojës. Pa një perspektivë dhe busull të qartë. Është shqiptari që përballë nevojës për të mbijetuar është gati të bëjë edhe marrëveshje me vetë djallin.

Ky është shqiptari për pushtet, të cilit historikisht i është dashur të mbajë pushtetin në dëm të shtetit, ngase pushteti dhe shteti për shqiptarin, në dallim nga të gjithë këta më sipër, janë në luftë me njëri-tjetrin.

Këtë gjendje të shqiptarëve e ka përshkruar mjaft bukur një prift i përndritur i viteve ’30-të, at Gjergj Fishta, i cili në poezinë e tij “Metamorphosis”, veç të tjerave, shkruan:

“Fis kam mâ t’fortin/ E vllá bujarin,/ Per atme barkun, /Per erz kam arin.//

Prandej, mbas sodit,/ Kur t’m’leverdisin / Un kam me shndrrue / Sá herë t’due fisin.//

Kshtû, kam me rá/ Un n’mbramet Grek,/ Kam me ndjehë n’nesret / Shkjá ja Zejbek.//

Dér sod kjeç dhanun/ Per gjuhë shqyptare:/ Por shka, me sodjet, / Per mue dalët fare.//

Per mue janë baras/ Si bukë si pane, / Por due q* gjindja/  Pa tê t’mos m’lâne.//

Persè veç shqypja / Do folë n’Shqypní, / (Si duen me thânun / Nji palë zotní),//

Kur me ‘i gut’n Morgen!/ A kali imera!/ Me ‘i dobra vecer! / A buona sera!//

Mue punët të tana / M’hecin për fille,/  E dér morrizi / M’qet drandofille?…//

……

Kushdo per mue/ Le t’jét i pár: / T’jetë dreq me bryna, / Por jo Shqyptár.//

Pse krejt sod jeten/ Un ndrrue e kam,/ Kam lé per s’dytit:/ Shqyptár mâ s’jam.//

E prej se s’dytit / Kam lé sivjèt:/ Kurdo t’pagzohem/ A t’m’bâjn synèt,// /hashtag.al