Të rinjtë, të përballur me gjendjen e jashtëzakonshme prej pandemisë, në mungesë të një ceremonie diplomimi, marrin këshilla nga personalitete të rëndësishëm, si z. Gerard Baker, i cili u thotë: ‘Kërceni fort në trampolinën e talentit dhe zhytuni thellë.’ Me çfarë sfidash përballen të rinjtë e sapodiplomuar të vitit 2020?*

Dhe bëni mirë të shmangni kostumet pa shije dhe makinat e vogla sportive italiane

Nga Gerard Baker | Botuar në: The Wall Street Journal

Si një emigrant në Amerikë, më pëlqejnë pa masë ceremonitë e diplomimit. Fjalimet e këtyre ceremonive nuk praktikohen në Mbretërinë e Bashkuar, ku jetoja më parë. Ceremonia ime e diplomimit atje u mbajt e gjitha në latinisht. U vendosëm të gjithë nëpër rreshta, të veshur nga koka te këmbët me një kostum të quajtur “subfusc”, duke ndenjur para një burri të veshur si njëri nga personazhet e komedisë muzikore eduardiane, i cili na preku të gjithëve në kokë me një kopje të Biblës. Pastaj dolëm jashtë për t’u bashkuar me pjesëtarët e familjes.

Sigurisht, gjatë viteve të mia të kolegjit, një studenti të baçelorit i lejohej me ligj të pinte alkool, kështu që disa nga detajet që po jap këtu mund të mos i kem shumë të kthjellta. E di që në Amerikë, nuk mund ta kesh këtë të drejtë dhe në kampuset universitare nuk mund të pish alkool, prandaj para së gjithash, dua t’ju përgëzoj të gjithëve që më në fund do të jeni në gjendje të shijoni pijet alkoolike. Gëzuar dhe mos e teproni!

E di se unë duhet t’ju jap këshilla, të mbështetura në përvojën që kam fituar gjatë një jete që e kam shijuar më së miri. Por kam frikë se nuk mund ta bëj këtë gjë. Megjithatë, mund t’ju rrëfej disa gjëra që kam kryer këto 35 vitet e fundit, të cilat do ju këshilloja t’i shmangnit.

Mos shkoni ditën e parë të punës në një institut financiar konservator, me një kostum që duket sikur e ka veshur një anëtar pjesërisht i verbër i grupit Duran Duran. Mos blini një makinë të vogël italiane nga një tregtar i vogël italian, me shpresën se do t’ju ndihmojë të gjeni një të dashur.

Mos merrni kurrë kredi për një shumë që është më e madhe se çmimi i shtëpisë që po blini. Sidomos me një normë interesi të ndryshueshme, në një kohë kur normat pritet të arrijnë majat.

Nëse bëheni me fëmijë, mos e çoni fëmijën tuaj 5 vjeçar në një festë ditëlindje ku ai s’njeh njeri, ndërsa vetë shkoni të shihni një ndeshje futbolli në një bar aty pranë.

Këto të gjitha besoj se mund të shmangen fare lehtë.

Më e vështira, por edhe më e rëndësishmja: Mos u shqetësoni. Mos i kaloni dhjetë vitet që do të vijnë duke vrarë mendjen nëse po përparoni me shpejtësinë e duhur në karrierë, nëse po fitoni mjaf para, nëse po lini gjurmën e duhur në botë. Kini durim. Me zhvillimet që po shohim, ka shumë të ngjarë që ju të jetoni edhe 100 vite të tjera. Mos mendoni se gjërat që do të ndodhin në 90 vitet e fundit, do të përcaktohen nga gjërat që bëni në 10 vitet e para.

Qëndroni të hapur ndaj ideve të reja. Sfidoni, vini në pikëpyetje dhe analizoni çdo mendim – sidomos tuajin. Regjizori i madh Uilliam Goldman thoshte: “Askush nuk di asgjë”. Gdhendini këto fjalë brenda kapakëve të syrit.

Mos harroni se asgjë nuk vlen më shumë se dashuria. Dashuria e vërtetë. Zbuloni dëshirat e zemrës tuaj. Çmojeni njeriun dhe njerëzit e zemrës. Fjalë të tilla tingëllojnë të rëndomta edhe për veshët tuaj të rinj e idealistë, por lumturia e vërtetë vjen vetëm nëse arrini të kuptoni se vetja juaj ndihet më e plotë pranë një njeriu tjetër.

Këshilla më e dobishmne dhe largpamëse që më ka dhënë dikush kur isha në moshën tuaj, është: “Duhet të jesh i kujdesshëm që ta përdorësh talentin e dukshëm që ke si një trampolinë për arritje të mëtejshme dhe jo për t’i bërë bisht punës së lodhshme”.

Ju jeni të gjithë të talentuar. Jeni të gjithë të suksesshëm sepse keni arritur deri këtu. Pothuajse të gjithë mund të zgjidhni një rrugë të lehtë në jetë duke iu shmangur sfidave. Ky është edhe gabimi i fundit që duhet të shmangni.

Kur të ketë përfunduar kjo gjendje e çuditshme e shkaktuar nga pandemia, atje jashtë do të jetë duke ju pritur krahëhapur një botë, ku ju duhet të zini vendin tuaj. Kërceni fort në trampolinën e talentit dhe zhytuni thellë.

Zoti Baker është kryeredaktor i gazetës The Journal.

* nga redaksia