OBSH-ja ka nisur një mision të ri në Kinë për të gjetur burimin e patogjenit

Nga Jason Gale, Robert Langreth dhe John Lauerman | Botuar në: Bloomberg

Ekspertët më të mirë në virologji po përpiqen të zbulojnë një mister: Si arriti të transmetohet një koronavirus vdekjeprurës nga kafshët në Kinën rurale, në qendrat kryesore të popullsisë njerëzore? Dhe çfarë zinxhiri mutacionesh gjenetike çoi në prodhimin e një patogjeni kaq të përshtatshëm për transmetim në masë?

Tashmë që virusi është përhapur në të gjithë globin, zbulimi i historisë së krijimit të SARS-CoV-2, është një hap thelbësor drejt ndalimit të një pandemie e cila ka vrarë më shumë se 270,000 njerëz dhe ka shkaktuar rënien më të madhe ekonomike që nga koha e Depresionit të Madh.

Programet e shpejta për gjetjen e vaksinave kanë nisur në SHBA, Evropë dhe Kinë, prodhimi i një vaksine të efektshme mund të vonojë për disa muaj, dhe ende nuk është marrë një vendim për trajtime të mundshme. Ndërkohë, për të ulur rrezikun e një vale të dytë të sëmundjes apo shfaqjes së një variacioni të ri, studiuesit e sëmundjeve duhet të gjurmojnë udhëtimin e patogjenit nëpër botë. Kjo do të thotë se duhet të rikthehen në Kinë, vendin ku nisi gjithçka, në fund të vitit 2019.

Javën e kaluar, Organizata Botërore e Shëndetësisë kërkoi leje nga Pekini për të nisur në Kinë një mision të ri shkencor për të kryer punë detektive epidemiologjike. Kina, e cila ftoi një ekip të OBSH-së në fillim të shkurtit teksa epidemia ishte në kulmin e saj, ende nuk e ka pranuar këtë kërkesë.

Presidenti Shi Xhin Pin, i cili po mbikëqyr personalisht përgjigjen e Kinës ndaj virusit dhe hetimin se si nisi përhapja e tij, po i mban nën kontroll të ngushtë kërkimet shkencore kineze, të cilat duhet të miratohen nga autoritetet shtetërore para publikimit, sipas dy personave që kanë njohuri për situatën.

Sidoqoftë, teksa numri i të vdekurve dhe i të papunëve vazhdon të rritet në të gjithë botën, po shtohet edhe presioni ndaj Pekinit për të lejuar studiuesit ndërkombëtarë të marrin në pyetje të mbijetuarit, të kryejnë punë kërkimore në terren dhe të ekzaminojnë mostrat e viruseve, të cilat sipas SHBA-së, Kina ka ngurruar t’i mundësojë.

Ka kaluar pothuajse një gjysmë viti që po përjetojmë këtë krizë globale shëndetësore të një niveli historik dhe ende ekzistojnë boshllëqe të mëdha në njohuritë tona. Këto pyetje pa përgjigje po pengojnë aftësinë tonë për të frenuar përhapjen e këtij virusi dhe për të parandaluar pandemitë e ardhshme, ndërkohë që SHBA-ja dhe Kina vazhdojnë të grinden mbi origjinën e virusit.

Rreth 70% e sëmundjeve infektive që shfaqen tek njerëzit janë zoonotike, pra janë transmetuar nga kafshët. Sekuenca e gjenomit të SARS-CoV-2 tregon se ai është i lidhur me dy koronaviruse të tjera vdekjeprurëse që e kanë origjinën tek lakuriqët e natës.

Këto janë sindromi akut i frymëmarrjes, që u përhap në Kinë në vitin 2002, dhe sindromi i frymëmarrjes në Lindjen e Mesme që u përhap një dekadë më vonë tek njerëzit përmes kafshëve, nëpërmjet një burimi dytësor. Në rastin e virusit SARS, ekspertët mendojnë se një kanal i mundshëm transmetimi mund të kenë qenë macet zibet – disa gjitarë nate, të vegjël, me gëzof me shkëlqim, që hahen si kafshë të egra në Kinë. Për virusin MERS, bartës besohet të kenë qenë devetë.

Mendohet se edhe SARS-CoV-2 ka kryer një udhëtim të ngjashëm, megjithatë studiuesit nuk kanë identifikuar ende një kafshë të ndërmjetme transmetuese, sipas Peter Ben Embarek, një eksperti të sigurisë ushqimore dhe sëmundjeve të kafshëve në OBSH. “Në këtë histori na mungon një hallkë lidhëse midis origjinës së virusit dhe kohës kur filloi të qarkullojë tek njerëzit”, tha ai.

Kafshët shtëpiake

Kjo ngre mundësinë shqetësuese që një burim i panjohur kafshësh është ende duke e përhapur sëmundjen e njohur si Covid-19. Studiuesit e OBSH-së raportuan të premten se macet shtëpiake mund ta transmetojnë virusin mes familjes së maceve, megjithëse nuk ka ende prova që tregojnë se kafshët shtëpiake mund ta transmetojnë atë tek njerëzit.

Pengimi i një misioni të ri shkencor për të mësuar më tepër rreth origjinës së virusit në Kinë, është çështje praktike e kryerjes së hetimeve të paanshme në një sistem politik autoritar — dhe një rivaliteti gjeopolitik SHBA-Kinë, që është bërë mjaft armiqësor kohët e fundit.

Wuhan, tregu i kafshëve

Administrata Trump e ka akuzuar Pekinin se ka fshehur ashpërsinë e epidemisë. Ajo ka pohuar, pa mundësuar prova, se virusi mund të jetë përhapur aksidentalisht në një laborator bio-kërkimor në Uhan, qytet në Kinën Qendrore, ku virusi u identifikua për herë të parë. Një zyrtar kinez, akuzoi ushtrinë amerikane në Twitter se ishte ajo që e kishte përhapur patogjenin në vend.

Shkencëtarët që kanë studiuar gjenetikën e virusit, janë të bindur se ai ka origjinë natyrore dhe nuk është krijuar në një laborator. Një përhapje aksidentale në qendrën kërkimore në Uhan është e mundur në teori, por “shumë e pagjasë”, sipas Stanley Perlman, një profesori të mikrobiologjisë dhe imunologjisë në Universitetin e Iowa-s, i cili e ka vizituar vendin dhe e vlerëson atë shumë.

Një arsye pse kjo teori është e pagjasë është reputacioni i Shi Zhenglisë, një gruaje 56-vjeçare e cila është zëvendës drejtoreshë në Institutin e Virologjisë në Uhan. Në vitin 2004, Shi zbuloi një rezervuar natyral të koronaviruseve në shpellat e lakuriqve të natës pranë Kunmingut, një qyteti në provincën jugore të Kinës, Yunnan. Në shkurt, ajo publikoi një shkrim në revistën Nature, duke thënë se sekuenca gjenomike e patogjenit të ri ishte 96% identike me atë të një koronavirusi të identifikuar në Yunnan.

Shi tha për Scientific American se karakteristikat gjenetike të viruseve me të cilët ka punuar në laborator, nuk përputhen me ato të koronavirusit që përhapet tek njerëzit. Në një postim në mediat sociale, virologia tha se ishte e gatshme të “betohej” se patogjeni aktual që ka shkaktuar kërdinë në botë, nuk ka asnjë lidhje me laboratorin e saj. Sekretari amerikan i shtetit Michael Pompeo ka mbështetur pretendimet e mëparshme se ekzistojnë  “prova të mëdha” që virusi ka shpëtuar nga një laborator në Uhan.

Në këto kushte, shkencëtarët ende nuk e dinë se ku dhe si u transmetua virusi tek njerëzit. Tregjet e mishit si ai në Uhan ku u gjurmuan shumë nga rastet e para të sëmundjes, kanë qenë të përfshirë edhe më parë në përhapje sëmundjesh. Megjithatë, në këtë rast, ekspertët nuk janë të sigurt nëse përhapja e virusit nisi në treg, apo thjesht u zbulua atje.

Peter Daszak, një ekolog i sëmundjeve në EcoHealth Alliance, thotë se ka të ngjarë që Covid-19 të ketë nisur përhapjen para periudhës së dhjetorit siç hamendësohet, mbase edhe jashtë Uhanit. Ai ka llogaritur se çdo vit, 1 deri në 7 milion njerëz në Kinën Jugore dhe Azinë Juglindore, mund të infektohen me viruse të transmetuara nga lakuriqët e natës. Shumica e tyre nuk përhapen lehtësisht mes njerëzve dhe një pjesë e madhe dobësohen para se të prekin qendrat kryesore të popullsisë.

Ky virus ndoshta është përhapur mes njerëzve në Kinën Jugore ose Qendrore që në nëntor ose edhe më herët” thotë ai.

Një skenar tjetër parashikon se virusi mund të jetë transmetuar për herë të parë në tregun e Uhanit nga dikush që merret me tregtinë e kafshëve të egra. Dhe pasi virusi arriti në qytetin me 11 milion banorë, është rritur në mënyrë eksponenciale.

Një pyetje tjetër e rëndësishme është nëse virusi është transmetuar tek njerëzit direkt nga lakuriqët e natës, apo përmes një burimi dytësor. Nëse është kjo e fundit, kafsha në fjalë mund të jetë duke e përhapur ende infeksionin. Pangolinat – gjitarë të mbuluar me luspa që i ngjasojnë anteaterëve (kafshë që ushqehen me milingona) – mund të jenë një mundësi, por provat janë të pamjaftueshme. Nëse Covid-19 ka ardhur drejtpërdrejt nga lakuriqët e natës, është e rëndësishme të dihet se ku ka ndodhur kjo, në mënyrë që autoritetet të marrin masa parandaluese, për shembull, të mos lejojnë njerëzit të afrohen në shpella ku banojnë gjitarët fluturues.

Zbulimi i këtyre të dhënave kërkon mjaft punë shkencore hetuese. Viruset pësojnë vazhdimisht mutacione të vogla në materialin e tyre gjenetik. Duke ndjekur gjurmët e versioneve gjenetikisht të ngjashme, studiuesit e sëmundjeve mund të ndjekin përparimin e pandemisë me kalimin e kohës. “Duke studiuar mutacionet e virusit, mund të zbulojmë pikënisjen e tij”, tha Embarek, eksperti i OBSH-së mbi viruset e kafshëve.

Wuhan, rrugët e zbrazura për shkak të COVID-19

Gjurmimi i origjinës së virusit do të kërkojë bashkëpunimin e qeverisë kineze – dhe pak fat. Hetuesit do të kenë nevojë për akses të plotë në tregun e Uhanit, për të dhëna mbi shitësit e tregut të mishit, mbi pacientët e prekur dhe popullsinë e kafshëve.

Megjithatë, nëse origjina e SARS-CoV-2 mbahet e fshehtë, çmimi do të jetë mjaft i lartë. Mësimi kryesor që kemi marrë nga kriza aktuale, është ky: Teksa popullsia njerëzore zgjerohet dhe afrohet më pranë habitateve të kafshëve të egra, rreziku nga viruset e kafshëve do të vazhdojë të rritet. Dhe në një botë të ndërlidhur, epidemitë që më parë lokalizoheshin shpejt, tashmë mund të përhapen nëpër botë me një shpejtësi verbuese.

Pa sisteme më të mira hulumtimi dhe mbikëqyrëse të viruseve të kafshëve dhe pa ligje që përcaktojnë rregullat e tregjeve tradicionale dhe tregtisë së kafshëve të egra në të gjithë botën, rreziqet e pandemive të ardhshme do të shtohen.

Nëse nuk bëjmë asgjë, nëse vazhdojmë siç kemi bërë për 50 vitet e fundit”, tha Daszak, “do të vijë një pandemi tjetër”.

— Me ndihmën e Steven Yang dhe Drew Armstrong